Një çift britanik shumë i dashuruar, që e përjetoi romancën në adoleshencë, por nuk mori miratimin nga prindërit, është bashkuar dhe martuar pas gjashtë dekadash ndarje
Kuriozitet
Të dashuruar që në adoleshencë, një çift nga Britania e Madhe provoi se nuk është kurrë shumë vonë për t’u bashkuar përsëri.
“Ne ia nisëm aty ku e lamë. E gjitha kjo është sikur të jemi adoleshentë të dashuruar përsëri”, thotë 78-vjeçarja Eilen Billington rreth marrëdhënies me të dashurin e saj të rigjetur, Uarner, 79 vjeç.
“Duket sikur nuk jemi ndarë kurrë. Për sa kohë e duam njëri-tjetrin, jemi partnerë të mirë, ashtu sikur ishim kur u takuam për herë të parë. Në fakt, jemi vërtet si një çift i martuar prej shumë kohësh, që janë plakur bashkë.”
Eilen Loklei e takoi Uarner Billington kur ajo ishte 16 vjeçe dhe ai 17. Ata ishin fqinj në zonën qendrore Uest Midland, në Angli. Uarner thotë se e pa për herë të parë teksa ajo po shëtiste me motrën e saj, Margaret.
“Kur e pashë, zemra më rrahu fort”, tha Uarner për “Daily Mail”. “Mora gërshërët dhe fillova të bëj sikur po prisja gjethet e kopshtit të prindërve. Kur ato kaluan, e përshëndeta Margaretën dhe e pyeta se cila ishte vajza pranë saj, aty filluam të flisnim për herë të parë.”
Nuk kaloi shumë kohë dhe Uarner u fut në listën e Forcave Mbretërore Ajrore, që e kishte qendrën tri orë larg qytetit të tij. E vetmja mënyrë për të ruajtur kontaktet ishin letrat dhe ai i shkroi Eilenës, duke i kërkuar të dilnin bashkë. Ata shkonin të shihnin filma dhe shëtisnin buzë detit sa herë që ai vinte në shtëpi me pushime. Çifti i shkruante njëri-tjetrit çdo ditë.
Pas dy vjetësh, ata kishin planifikuar të martoheshin, por babai i Eilenës tha se ishin shumë të rinj, ndaj Uarner e humbi qetësinë.
“Mendova se babai i Eilenës e kishte gabim, por as unë nuk i propozova më asaj prej këtij shkaku. Në një farë mënyre ne thjesht u ndamë prej mosmiratimit nga familja. Ishte faji im, nuk duhet të isha dorëzuar aq shpejt dhe të merrja rrugën time”, thotë tashmë 79-vjeçari Uarner.
Kështu jeta kaloi për të dy ata. Në vitin 1956, Eilen u martua me një burrë të quajtur Xhek Lenton, me të cilin drejtonte një hotel në Kornuall. Ata patën një vajzë e një djalë dhe qëndruan së bashku deri kur Xhek vdiq në vitin 2006.
Nga ana tjetër, Uarner ishte martuar në vitin 1957 me një grua të quajtur Gillian. Ata patën tri djem dhe qëndruan së bashku derisa Gillian vdiq në vitin 2010.
Edhe pse Eilen dhe Uarner nuk ishin takuar që prej ndarjes së tyre vite më parë, një mik i Uarnerit, që ishte klient i rregullt në hotelin e Eilenës, i tregoi asaj se ai sapo kishte humbur gruan. Eilena i kërkoi mikut të përbashkët që t’i dërgonte Uarnerit ngushëllimet e saj dhe pas këtij momenti ata komunikuan në telefon rregullisht.
Një vit më vonë, Uarner e ftoi Eilenën ta vizitonte në shtëpinë e tij në Uest Midland. Ky rezultoi një ribashkim i përlotur, ku Uarner e priste me trëndafila në duar në stacionin e trenit.
Në vitin 2011, me miratimin e të dyja familjeve, Uarner dhe Eilena filluan të jetonin bashkë. Ata u martuan menjëherë pas këtij bashkimi të ëmbël.
“Ne të dy patëm martesa të lumtura, por kushdo që thotë se nuk e kujton dashurinë e parë, gënjen”, thotë Uarner.
Çifti i dashuruar që në adoleshencë, pyet veten se çfarë mund të kishte ndodhur me jetët e tyre, nëse gjërat do të kishin shkuar ndryshe. Ata shprehen të lumtur dhe të kënaqur, që pavarësisht të gjithave, u bashkuan dhe që do ta kalojnë bashkë kohën e mbetur të jetës.