Pasiguria 


Kompanitë e huaja po i transferojnë fitimet në vende të tjera. Në 2012, 40% më shumë


ARD KOLA


money-counter-EuroTë paktën për afro dy vitet e fundit, një herë në çdo muaj, në daljet publike të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, frazat “e ardhmja është e pasigurt” dhe “biznesi është pesimist” kanë shoqëruar deklaratat zyrtare të Këshillit Mbikëqyrës për Politikën Monetare. Faktorët janë të shumtë dhe lidhen me ekonominë, por duket shtuar së fundmi edhe destabilitetin politik në vend, planet e zhvillimit për kompanitë e huaja pësojnë luhatje. Vetëm në dy muajt e fundit, qeveria e ka rishikuar 5 herë sistemin fiskal, fenomen ky që pengon planin e qëndrueshëm të investimeve, sikurse gjatë vitit 2012 janë regjistruar raste në rritje të përballjes së shtetit me gjykatat e arbitrazhit për prishje të njëanshme të kontratave me private.


Për këto dhe të tjera arsyeje, Banka e Shqipërisë raporton se në vitin 2012, shoqëritë e huaja kanë rritur masën e transferimit të fitimeve jashtë vendit. Shumë kompani nuk kanë pranuar që fitimet t’i riinvestojnë, por kanë preferuar t’i dërgojnë në vendet ku janë të stacionuara selitë mëma apo në shtete me stabilitet ekonomik.


Kështu, sipas të dhënave nga bilanci i pagesave për vitin 2012, zëri “të ardhura dalëse nga investimet”, që kryesisht është transferimi i fitimeve jashtë vendit shënoi një rritje të ndjeshme me 40 për qind me bazë vjetore, duke arritur në 264 milionë euro, duke iu afruar nivelit të vitit 2008. Një vit më parë, ky zë kishte shënuar një rënie të ndjeshme prej gati 50 për qind.


Të dhënat nga bilancet e kompanive, mundësuar përmes administratës tatimore, tregojnë se, kompanitë e mëdha, kryesisht telekomunikacione dhe banka (që janë sipërmarrësit më të mëdhenj të huaj në vend) kanë rezultuar me fitime më të ulëta në vitin 2011 (përgjithësisht në 2012-n janë transferuar fitimet e një viti më parë). Sistemi bankar rezultoi me një fitim minimal prej 0.7 miliardë lekësh në vitin 2011, nga 6.7 miliardë lekë një vit më parë, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë. Dy kompanitë kryesore celulare kishin norma fitimi me 40 për qind në vitin 2010, kurse në 2011-n regjistruan norma mesatare me rreth 26 për qind (ose rreth 46 milionë euro më pak fitime).


Në tërësi, të ardhurat nga tatimi mbi fitimin për 11-mujorin 2012 arritën në rreth 15.2 miliardë lekë nga 18 miliardë të mbledhura një vit më parë, me një rënie të ndjeshme prej 15.9 për qind, dhe 24.1 për qind më pak se plani i periudhës janar-nëntor 2012. Te sektori privat, sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat nga tatimfitimi janë ulur me 9.9 për qind mbi baza vjetore. Të gjithë sektorët e ekonomisë kanë pësuar rënie për periudhën 11-mujore, duke e krahasuar me një vit më parë. Rënien më të madhe në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë e ka shënuar sektori i prodhimit me 26.2 për qind i pasuar nga sektori i ndërtimit me 21.2 për qind, sektori i transportit me 13 për qind, sektori i shërbimeve me 11.5 për qind dhe sektori i tregtisë me 6.5 për qind.


“Në këto kushte, rritja e transferimit të fitimeve nënkupton se sipërmarrjet e huaja po i riinvestojnë më pak fitimet në Shqipëri, ndërkohë që po çojnë një pjesë gjithnjë e më të madhe të fitimeve te mëmat, të cilat janë të etura për cash, si rrjedhojë e vështirësive të krijuara nga kriza europiane e borxheve”, thotë ekspertja Ornela Liperi.


Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se investimet e huaja direkte vitin e kaluar arritën në 744.8 milionë euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo shifër është thuajse në të njëjtat nivele me një vit më parë 2011, ku fluksi i investimeve ishte 745.4 milionë euro. Viti më i mirë i investimeve nga kompanitë e huaja në ekonominë shqiptare ishte 2010-a. Sipas Bankës Qendrore, në atë kohë investimet e huaja arritën rekordin historik prej 793 milionë euro ose afër 1.1 miliardë dollarë.


Por një vit më pas shifra u ul me rreth 6 për qind, nivel në të cilin është stabilizuar edhe për 2012-n.


 


Investimet e huaja


Më tepër në banka dhe industrinë minerare


Në fund të vitit 2011, stoku i investimeve të huaja në ekonomi arriti 3 miliardë euro. Shifra paraqet vlerën aktuale të investimeve nga jashtë që Shqipëria ka marrë përgjatë viteve, të pastruar nga amortizimi. Të dhënat tregojnë se gati gjysma e tyre janë përqendruar në dy sektorë, industrinë nxjerrëse dhe bankat. Në sektorin bankar investimet totale të ardhura gjatë viteve janë sipas Bankës së Shqipërisë rreth 701 milionë euro. Por shifrat tregojnë se pjesa dërrmuese e tyre ka ardhur para vitit 2007, kur në Shqipëri mbërritën grupet e huaja bankare që sot zotërojnë thuajse gjithë këtë industri. Ndërsa për vitet e fundit, flukset e kapitalit të huaj kanë shkuar kryesisht në industrinë nxjerrëse. Sipas të dhënave zyrtare, krahasuar me vitin 2007, stoku i investimeve të huaja në industrinë nxjerrëse është rritur me mbi 60 herë nga 10.7 milionë euro që ishte në 630 milionë euro. Pjesa dërrmuese e tyre janë në naftë dhe sektorin minerar. Në vendin e tretë është industria përpunuese me rreth 472 milionë euro, ndërsa sektori që ka thithur më pak është bujqësia me vetëm 3.9 milionë euro, pikërisht dega e ekonomisë që vuan më shumë nga produktiviteti i ulët. TCH