Financimi 


Pavarësisht apeleve, kreditimi vijon tkurrjen, në shkurt ishte 33% më pak se 2012-a


Fullani – “Rritja vjetore e kredisë për sektorin privat shënoi 2.4 për qind në muajin tetor, duke zbritur në nivele të ulëta historike”


ARD KOLA


ardian fullaniBankat nuk po i përgjigjen apelit të vazhdueshëm të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për më shumë financime drejt sektorit privat. Prej disa muajsh, BSH ka luajtur rolin e “negociatorit” mes bankave dhe sektorit tjetër privat, duke i rekomanduar palët për më shumë bashkëpunim, por rezultatet nga sistemi bankat sa vijnë dhe bëhen më pesimiste.


Kështu, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i kredisë për ekonominë në fund të muajit shkurt ishte 551.6 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel si në janar, por duke rezultuar gati 1 për qind më i ulët në krahasim me dhjetorin e vitit 2012. Në krahasim me shkurtin e 2012-s, stoku i huas për ekonominë është rritur vetëm me 1.7 për qind. Në tërësi, kreditimi për bizneset po ecën me ritme të ngadalta, nëse bëjmë krahasimet me periudhat e mëparshme.


Gjithnjë sipas të dhënave të BSH, bizneset në vend kanë mundur të bindin bankat për të përfituar në muajin shkurt rreth 8.7 miliardë lekë kredi, gati më pak se gjysma në raport me muajin shkurt të 2012, ndërsa nëse e krahasojmë si dymujor të parë, regjistrohet rënie me 33 për qind (afro 22 miliardë lekë kredi e re janar-shkurt 2013).


Në tërësi, huaja për ekonominë pothuajse ka ngecur gjatë muajve të fundit, si rrjedhojë e një sërë faktorëve, ku më kryesoret janë rritja e nivelit të kredive me probleme (ka bërë që bankat të përqendrohen në menaxhimin e portofolave ekzistues) dhe ngadalësimi i ekonomisë, që ka kufizuar kapacitetet investuese të bizneseve, si rrjedhojë dhe kërkesën e tyre për kredi. Tjetër shkak lidhet me problemet që bankat kanë hasur me ekzekutimin e kolateralit. Kredia me probleme është rreth 23 për qind, duke iu afruar nivelit të 1 miliard eurove, ku 300 milionë euro janë standardizuar si të humbura, pra, pa shanse për bankat që t’i rikuperojnë.


Tjetër ndikim në frenimin e kreditimit ka të bëjë me valutën, për shkak të kufizimeve të vendosura nga BSH, sidomos për fondet në euro. Nëse në muajin janar, sektori i energjisë ndikoi në mbajtjen e kreditimit në nivele të qëndrueshme, në muajin shkurt kjo peshë ra, për shkak edhe të përmirësimit të rezervës hidrike, duke zbutur nevojën e KESH për të marrë kredi nga bankat për blerjen e energjisë elektrike.


Kryesisht, të gjithë sektorët e ekonomisë kanë vërejtur rënie të kreditimit. Kështu, tregtia, që mban edhe peshën kryesore në strukturën e kreditimit të sipërmarrjeve, për dymujorin përfitoi 5.6 miliardë lekë kredi, vlerë që është më pak se një e treta e financimeve në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në rënie të ndjeshme ishte kreditimi edhe në sektorët prodhues të ekonomisë. Kredia për industrinë përpunuese kishte vlerën e 2.3 miliardë lekëve, me një rënie prej 36 për qind krahasuar me një vit më parë. Kredia për industrinë nxjerrëse kishte vlerën modeste të 194 milionë lekëve, 68 për qind më pak krahasuar me një vit më parë.


“Financimi i sektorit privat është ngadalësuar ndjeshëm. Rritja vjetore e kredisë për sektorin privat shënoi 2.4 për qind në muajin tetor, duke zbritur në nivele të ulëta historike. Në një masë të madhe, ajo është ndikuar nga kërkesa e ulët e individëve dhe bizneseve për financim, sikurse pasqyrohet edhe nga ecuria e konsumit dhe e investimeve private. Nga ana tjetër, edhe sistemi bankar vijon të tregojë kujdes të shtuar në kreditim, ndonëse gëzon kushte të mira likuiditeti e kapitali”, deklaroi pak kohë më parë, guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani.


Së fundmi, Banka e Shqipërisë ka miratuar një paketë masash për nxitjen e kredisë, në disa drejtime si përmirësimi i procesit të ekzekutimit të kolateralit, si dhe lehtësimi i rregullave për huadhënien në valutë që pritet ta gjallërojnë kredinë për ekonominë.


 


Shkaqet  


Situata – Në vitet e para krizës, kredia për ekonominë rritej me nga 50%, kurse më pas, ka zbritur në 10%, ku në vitin 2012 u rrit me 2.4%


Bankat – Përfaqësuesit e bankave janë të gatshëm të japin kredi, pasi kanë gjendje, por fajësojnë bizneset me planet jo të qarta të zhvillimit


Biznesi – Sa i takon sipërmarrjes private, këta thonë se bankat aplikojnë tarifa të larta, interesa kredish jashtë logjikës ekonomike


 


Masat


BSH miratoi paketën zhbllokuese të kredisë


Banka e Shqipërisë ka miratuar së fundmi një paketë masash që synon të nxisë bankat private të rinisin kreditimin e ekonomisë. Vendimi i parë është ai që synon të kufizojë bankat private të investojnë jashtë shtetit përmes rritjes së kërkesës për shtim kapitali. Për të gjitha fondet e reja që bankat do të investojnë jashtë do të jenë të detyruara të shtojnë më shumë kapital, çka e bën këtë investim një alternativë të paleverdishme për to. Paralelisht me këtë, Banka Qendrore ka hequr koeficientin e rrezikut për kreditë që bankat private do të japin dy vitet e ardhshme. Kreditë klasifikohen si investime me koeficient rreziku maksimal prej 100 për qind. Por për dy vitet e ardhshme, ky koeficient do të jetë zero, që do të thotë se bankat mund të japin kredi pa qenë nevoja të rrisin kapitalin e tyre. Masa e dytë është ajo që tenton të nxisë ristrukturimin e kredive që në fazat e hershme kur kreditorët shfaqin sinjalet e para të paaftësisë për të shlyer huan. Deri më tani, nëse një bankë do të pranonte të zgjaste afatet e një kredie për një huamarrës në vështirësi, ishte e detyruar të ngrinte si fond rezervë 20 deri në 100 për qind të shumës së kredisë. Me paketën e re për dy kategori kredish, që janë huat standarde dhe ato në ndjekje, ku fillojnë dhe shfaqen sinjalet e para për mosshlyerje, detyrimi për të ruajtur fonde rezervë zbritet në 10 për qind. Ndërsa masa e fundit, përmes të cilës Banka Qendrore do rigjallërojë kredinë, është ajo që lehtëson kërkesat për likuiditetet që duhet të mbajnë bankat private në 15 për qind për valutën dhe 20% për lekun.