SKËNDER MINXHOZI
Dukej që i kishte studiuar edhe nga ana figurative gjestet që do bënte, ngritjen në këmbë, fjalët që do thoshte, të qeshurën shpërthyese dhe më në fund, edhe urimin publik për opozitën “që e mbylli në minorancë”. Sali Berisha dukej njeriu më i lumtur në botë pardje, kur votoheshin ndryshimet e fundit të kabinetit të tij, para zgjedhjeve të 23 qershorit. Ishte një ekzaltim prej një njeriu që kishte arritur një fitore të madhe, në metrat e fundit të garës. Një prej atyre fitoreve që presin me thikë epokat dhe ribëjnë historinë.
Por a ishte vërtet i tillë votimi i së enjtes në Kuvend? A është një triumf politik, ky i mazhorancës tashmë të gjymtuar të djathtë, që zëvendësoi me duart e tre ish-deputetëve socialistë, ministrat e ikur të LSI? Apo është një arnim i minutës së fundit, me “zorrë nëpër këmbë” dhe sa për të evituar rënien e qeverisë? Që do të ishte edhe nënshkrimi de facto i kapitullimit në zgjedhje, tre muaj para mbajtjes së tyre?
Katër vjet më parë, kjo shumicë nuk kishte asnjë dhembje koke. Ishte konfirmuar për herë të dytë, duke e futur në krizë të thellë kundërshtarin, të cilit i duhej t’i hynte të përpjetës së vështirë të bojkotit dhe daljes nga institucionet. Katër vjet më parë, Sali Berisha rivotohej kryeministër me 74 vota, prej të cilave katër ishin vota që vinin nga mandate të fituara në këmbim të premtimit se do të përdoreshin për ta hequr nga puna atë vetë. Krushqia politike PD-LSI e atij momenti, shënoi të parin precedent spostimi mandatesh nga njëra anë e spektrit në tjetrën, në funksion të ruajtjes së pushtetit. Me fjalë të tjera, lindi precedenti i mbajtjes së pushtetit “me miell hua”.
Sipas këtij mekanizmi të ri, vijoi edhe ndarja e shëmtuar e qeverisjes sipas ngastrave dhe pashallëqeve të partive aleate, që ka qenë një ndër fenomenet më negative dhe me pasoja, në vetë rezultatin shkatërrimtar të kësaj qeverie në katër vitet e fundit. Shumëkush e kujton sesi “kriteri i 20 përqindëshit”, e ktheu qeverinë pas vitit 2009, në një përbindësh me shumë koka, ku secila kokë vepronte sipas logjikës meskine partiake, pa u merakosur fare se ç’bënte koka tjetër.
Ajo që ndodhi në verën e vitit 2009 duket se i shërbeu në më shumë se një rast së djathtës qeveritare. Edhe ish-ministri i Brendshëm i 21 janarit u ndihmua fuqishëm nga formula politike e shpikur atë verë, në garën drejt Bashkisë së Tiranës, kur nuk përtoi t’i përdorë në favorin e tij deri edhe votat e nostalgjikëve të Partisë së Punës, për të mundur Edi Ramën. Eksperimenti politik, sipas parimit të lashtë “përça e sundo”, arriti gjatë këtyre katër vjetëve apogjeun e tij.
Por ja që mesa duket, ky eksperiment moralisht i pështirë (sa shumë flitet sot për amoralitetin e aleancës PS-LSI), nuk i paska sosur të gjithë fishekët. Të gjithë e pamë sesi në orët e fundit, kur po afronte largimi i LSI-së nga kabineti qeveritar, dy deputetë socialistë, prej javësh në konflikt të heshtur me kreun e partisë, dolën si me komandë për të shpallur largimin nga grupi parlamentar dhe kalimin në kuadratin e “të pavarurve”.
Ky gjest i pilotuar, ishte paradhoma e gjestit tjetër të pilotuar. Pra, të votimit të ndryshimeve në kabinet. Tri vota të tjera të marra nga mandate të majta (sipas zgjedhjeve të vitit 2009), siguruan votimin e ndryshimit të radhës në qeverinë “Berisha”, si dhe i dhanë kryeministrit mundësinë që të mos e linte zyrën para datës 23 qershor.
Nuk është një fitore e parëndësishme, në funksion të zgjedhjeve të qershorit, por të paktën fitimtari (pra kryeministri Berisha), duhet të ketë kurajën që, pasi të ketë hedhur shpotitë e zakonshme ndaj opozitës “që e mbylli në minorancë”, të pranojë se e nisi dhe e mbylli mandatin e tij të dytë qeveritar “me miell hua”. Në këto orë kur për moralin po thuren elegji në të katër anët, kjo është një fitore e shëmtuar, të paktën po aq sa edhe aleanca e re PS-LSI. Veçse propaganda e mediave pranë qeverisë të parën e shet si triumf, kurse të dytën si turp. Megjithatë, një gjë është e qartë, si drita e diellit: Rama e nisi dhe e mbylli si minorancë, kurse Berisha e nisi dhe po e mbyll me miell hua. Zgjidhni e merrni cila është më anormale!