Shërbimi Social, Mesiti: Pagesat për familjet, sipas kategorive të fëmijëve


Shpresa Mezini


zyber hallulliDuke qenë se më e mira për fëmijët është të rriten brenda ambientit familjar, Shërbimi Social Shtetëror ka vendosur të ndryshojë “fytyrën” e institucionalizimit të tyre.


Kështu, nëpërmjet një projekti pilot, që ka nisur në vitin 2011, përveç Shtëpisë së Fëmijës, vogëlushët mund të strehohen në familje, kundrejt një pagese të caktuar.


“Interesimi i familjeve për të ofruar shërbimin e kujdestarisë për fëmijët jetimë, por jo vetëm, është i konsiderueshëm. Aktualisht, në zyrat e regjistrimit të shërbimit social shtetëror kemi 66 kërkesa për të strehuar fëmijë që janë pjesë e kategorive që përfitojnë nga ky lloj shërbimi. Jemi në fazën e grumbullimit të dosjeve që dorëzohen nga aplikantët, proces që do të vijojë gjatë gjithë vitit. Administratori shoqëror harton kërkesën për fonde dhe masën e financimit të kujdestarisë dhe bën kërkesën për bllok ndihmë ekonomike në muajin nëntor dhe e paraqesin në zyrat rajonale të shërbimit social”, sqaroi Ermelinda Spaho, specialiste në Shërbimin Social Shtetëror.


Kështu, Shërbimi i Kujdestarisë nuk do të jetë më një koncept i panjohur për vendin tonë. Përvoja shumëvjeçare e vendeve të zhvilluara të botës do të huazohet edhe në vendin tonë.


Projekti


Shërbimi Social Shtetëror ka hartuar një projekt pilot, që do të aplikohet fillimisht në dy bashki, Tiranë dhe Shkodër, për t’u shtrirë edhe më gjerë në qytete të tjera të vendit. Praktika konsiston në ofrimin e një pagese të caktuar parash për familjet që strehojnë në shtëpitë e tyre fëmijë jetimë. Kjo nuk nënkupton birësimin e ligjshëm të tyre, por strehimin e tyre pa e kryer këtë procedurë ligjore, me qëllim që fëmija të rritet në një ambient të ngrohtë familjar, duke u bërë pjesë e saj. Mirëpo ky shërbim, sipas drejtoreshës së Shërbimit Social Shtetëror, Kozeta Mesiti, do të shpërblehet me një shumë të caktuar parash. Kështu, për të zbutur formën tradicionale të strehimit të jetimëve në shtëpitë e fëmijëve, SHSSH ka vendosur të ofrojë pagesë kujdestarie, në këmbim të strehimit të fëmijëve në familje. Në projekt, përveç shumës së parave që ofron ky institucion për kategori të caktuara jetimësh, përcaktohen qartazi edhe kriteret që duhet të plotësojnë familjet kandidate për të fituar të drejtën e “prindërimit”, kujdestarisë.


Në draft thuhet se kjo praktikë përfshin vetëm fëmijët jetimë, të cilët janë nën 18 vjeç.


Pagesa


“Komisionet multidisiplinare të kujdestarisë pranë këtyre njësive do të përzgjedhin familjet kujdestare, të cilat kanë aplikuar. Masa e përfitimit të shërbimit të kujdestarisë për çdo fëmijë të vendosur në një familje kujdestare është 90 mijë lekë në muaj + 250 mijë lekë për shpenzimet vjetore, ku përfshihen: veshmbathjet, shpenzimet shkollore, duke mos përjashtuar edhe masën e financimit për fëmijët me aftësi të kufizuara, e cila është 100 mijë lekë në muaj. Fëmijët, që përfitojnë statusin e jetimit dhe vendosen në shërbimin e kujdestarisë do të përfitojnë vetëm pagesën e kujdestarisë. Fëmijëve me paaftësi, që përfitojnë shërbim kujdestarie do t’u përllogaritet: Pagesa e aftësisë së kufizuar + masa e shërbimit të kujdestarisë, përkatësisht 93 mijë + 90 mijë = 183 mijë lekë, duke i bashkangjitur pagesën e paaftësisë”, sqaron për gazetën “Shqip”, drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror. Mesiti thotë se familjet e interesuara duhet të aplikojnë pranë pushtetit vendor, bashki, komunë sipas kritereve dhe dokumentacionit, që përcaktohet në vendimin e Këshillit të Ministrave, ndërsa thekson se efektet financiare kanë nisur në shtator të 2012-s, shpenzime që mbulohen nga buxheti i Ministrisë së Punës. Sipas saj, praktika disavjeçare ka treguar se mënyra tradicionale që ndiqet për strehimin e fëmijëve jetimë është institucionalizimi i tyre në shtëpitë e fëmijës, ku u sigurohet jetesa, edukimi dhe arsimimi. Kështu për të ndryshuar këtë format shërbimi, Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me UNICEF po vijon reformën e shërbimeve sociale, thelbi i së cilës është që për çdo fëmijë të ketë një familje.