Takimi
Pas betimit në Presidencë, java është mbyllur me ndryshime në Dikasterin e Shëndetësisë. Ashtu siç bëri rreth 10 muaj më parë ish-kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, edhe Vangjel Tavo ka pritur me buzëqeshje kolegun, zëvendësues në postin e ministrit.
Kreu i ri i Shëndetësisë, Halim Kosova, është prezantuar dje në mesditë me stafin e Ministrisë së Shëndetësisë. Prezantimi është kryer nga zv/kryeministri Myqerem Tafaj në prani të dy zv/ministrave të Shëndetësisë. Gjatë prezantimit i pranishëm ka qenë dhe ish-ministri Vangjel Tavo.
Ministri Kosova, pjesë e elitës mjekësore shqiptare, njihet si një ndër menaxherët e suksesshëm me një përvojë shumëvjeçare në krye të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.
“Kontaktet me pacientët, informacioni i shkëmbyer me ta do të përfaqësojnë fuqinë e ndryshimit”, tha kreu i ri i shëndetësisë. Për ministrin e ri të Shëndetësisë, Halim Kosova, kjo është një bindje e krijuar nga një përvojë e gjatë dhe e suksesshme si drejtor i një prej institucioneve shëndetësore më të vjetra dhe të rëndësishme të vendit maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Ndaj kjo do të jetë dhe motoja e punës në krye të Dikasterit të Shëndetësisë.