Eva Londo – Unë besoj se zhvillimi i shoqërisë shqiptare është peng i politikës. Shumëkush mund të qeshë dhe të ndërpresë leximin, sepse besoni se nuk po them ndonjë gjë të re. Por, në fakt, besimi im rreth prapambetjes së shoqërisë shqiptare analizohet disi ndryshe për të konkluduar në marrëdhënien bllokuese shoqëri-autoritete, që më tej çon edhe në probleme të zhvillimit ekonomik.


Duhet pranuar se pjesa më e madhe e problemeve sociale vjen si rezultat i zhvendosjes së përgjegjësive nga ana e autoritetit legjitim, duke mbivendosur interesat në disfavor të shtetit, por edhe në disfavor të shoqërisë. Në këtë kuptim, është e lehtë të kujtojmë se shtetet e zhvilluara kanë një sistem social të zhvilluar, ku individi ndihet i mbrojtur nga rrjedha e jetës dhe fatkeqësitë e ndryshme, qoftë kur plaket, dëmtohet, mbetet jetim etj. Ndërsa në Shqipëri, paaftësia për të lidhur problemet e shoqërisë dhe zhvillimin e saj me përgjegjësinë politike ka çuar në fakt në rritjen e varfërisë, krimit, racizmit etj. Jo vetëm si pasojë e krizës ekonomike, por edhe e mosreagimit të instancave shtetërore, njerëzit nxiten në veprime të dhunshme e të dënueshme për të plotësuar nevojat e tyre, qofshin ato të mbijetesës apo shpirtërore, hedoniste. Ndërkohë që, gjithnjë e më tepër rrugët po bëhen të pasigurta, pasi në çdo çast disa duar, ndonjëherë vrasëse, do të mund të zgjaten drejt teje për të rrëmbyer varëse e bizhu sadopak të kushtueshme apo çanta. Nga ana tjetër, gjithnjë e më tepër po konstatojmë se po rritet numri i rasteve të dhunës për të plotësuar nevoja shpirtërore, ndonjëherë deri në perversitet. E megjithëse shoqëritë janë të përbëra nga lloje të gjithëfarsojshme elementesh të quajtur humanë, cili është roli i politikës apo autoriteteve të tjera legjitime në marrjen e përgjegjësive për përmirësimin dhe zhvillimin e një mjedisi ekosocial të shëndetshëm.


Më vjen menjëherë ndërmend makthi i gjatë që zaptoi shoqërinë para pak ditësh, kur shpërtheu lajmi i frikshëm i pedofilisë, që u prezantua jo vetëm në të gjitha detajet e aktit, por edhe në paaftësinë e autoriteteve për të penguar ngjarjen. Megjithëse, edhe mënyra se si ngjarja si akt u detajua në media ka efekte madhore në sjelljen e shoqërisë, kjo nuk është subjekt i këtij trajtimi. Por më i dhimbshëm është fakti i një ngjarjeje që mund të ishte penguar nëse autoritetet ligjore do të kishin dhënë dënimin që parashikon ligji. Është klishe tashmë, e dinë të gjithë, që ky sistem gjyqësor që funksionon në vend është abuziv, i padrejtë, dhunues, por edhe nxitës i sjelljeve të dhunshme, pasi paaftësia për të gjykuar me drejtësi i shtyn njerëzit të kërkojnë drejtësinë në mënyra të tjera. Kjo është e dëmshme për shoqërinë, pasi nëse gjykata nuk dënon përdhunuesin aq sa i takon, atëherë me shumë gjasa ai do të vijojë të infektojë shoqërinë. Po kështu, edhe kur një qytetar nuk merr të drejtën mbi pronën e tij, atëherë mund të futet në konflikt verbal apo fizik me palën tjetër, që mund të çojë, sikurse edhe ka ndodhur, deri edhe në përplasje me humbje jete. Nga ana tjetër, paaftësia për të marrë drejtësinë nga autoritetet legjitime çon në konfrontime edhe me vetë njerëzit brenda sistemit gjyqësor.


Realisht, krijimi i perceptimit për pandëshkueshmërinë e veprimeve penale krijon një kaos shoqëror që ndikon shumë negativisht në zhvillimin e shoqërisë. Për sa i përket rastit të pedofilisë, përmendur më sipër, për të cilin jam e sigurt se nuk kishte asnjë akt korruptiv që i liroi dhunuesit vetëm me një penalitet material, por lehtësia dhe paaftësia e autoritetit legjitim për të marrë përgjegjësitë e veta përkundrejt shoqërisë. Dhe ndërkohë që nuk i shërben, e dhunon atë. Në një analizë psikologjike të shoqërisë në marrëdhënie me autoritetin dhe ligjin, nëse aktet e dhunës vijnë nga një autoritet legjitim, njerëzit në mënyrë të pandërgjegjshme imitojnë të diktuar nga veprimet e tij… Në lidhje me ligjet, marrëdhënia e njerëzve me to nuk është fort kompatibël. Sipas disa studiuesve, kur autoriteti tenton të rregullojë sjelljen me ligj, njerëzit tentojnë të sillen në një mënyrë që e kundërshtojnë atë, pasi ata nuk ndihen përgjegjës për veprimet që burojnë nga diktati i të tjerëve. Në këto kushte është vendosmëria e veprimit që projektohet nga autoriteti që definon sjelljen e individit dhe të shoqërisë, çka do të thotë se kur ligji zbatohet me drejtësi, shoqëria përqendrohet në krijimin e aspekteve të tjera të shëndetit social, si zhvillimi ekonomik etj.


Duke analizuar faktorët që ndikojnë në zhvillimin e shoqërisë, është i pashmangshëm vëzhgimi i marrëdhënies shoqëri–politikë. Duke qenë se veprimet që kryhen nga autoriteti janë më lehtësisht të përthithshme për mendjet përgjithësisht irracionale të masave, fajin për nivelin e zhvillimit shoqëror dhe dhunën e reflektuar tek ajo, pa frikë mund t’ia hidhnim edhe politikës. Prej vitesh tashmë, mjedisi i tensionuar politik, që e ka shndërruar atë në spektakël argëtimi, është në fakt i dëmshëm për individin dhe për shoqërinë, po njësoj si dhuna në filma. Nga njëra anë politizimi i skajshëm i shoqërisë dhe, nga ana tjetër, dominanca e politikës në media dhe për më tepër kur kjo politikë është tejet joetike dhe e dhunshme fizikisht e verbalisht (grushte, armë, bojkote, fjalor i ndotur etj.), ndikon që, mesazhi që përcillet të jetë i dëmshëm për shëndetin e shoqërisë. Kjo ndihmohet më shumë nga niveli i lartë i ekspozimit të njerëzve ndaj informacionit violent, çka krijon një mikromjedis të tensionuar social që mund të riprodhohet në jetën reale, pasi ajo fillon të perceptohet si ngjarje normale, duke i bërë njerëzit jo sensitivë ndaj dhunës dhe në rastin më të keq subjekt për imitim. Kjo kthehet në një fenomen më të rrezikshëm po të gjykosh se sjellja njerëzore priret më shumë të imitojë sjellje që demonstrohen nga autoriteti (në këtë rast politikanët si pushtetarë). Po kështu, edhe prostitucioni politik apo mungesa e kompromisit, fenomene shumë evidente në politikën shqiptare janë lehtësisht prezente edhe në shoqërinë shqiptare, ku njerëzit zihen e vriten për një fjalë goje apo vështrim, një vijë toke, për nder e moral; apo prostituojnë me njërën palë e tjetrën si ajo ambiciozja që përdor hiret femërore për t’u ngritur në post apo mbajtur pushtetin.


E aspak e pafajshme nuk mund të jetë në këtë zhvillim shoqëror edhe media, e cila për audiencë (njerëzit ‘vdesin’ për pak gjak e seks, por edhe për politikë, veçanërisht kur ajo ka konflikt) prezanton çdo imoralitet e perversitet shoqëror e politik me çdo detaj e në një intensitet të lartë. E nëse për politikën publiku/votuesi është një konsumator i show-t që ato japin përditë, dhe për median audienca është një konsumator i produktit të marketingut që ata publikojnë, për sociologë e psikologë shoqëria nuk mund të konsiderohet vetëm si spektator indiferent i taktikave politike, apo interesave të ekzistencës së mediave, por ajo është edhe një receptor i ndjeshëm ndaj çdo stimuli të jashtëm, të cilat në varësi të intensitetit ndikojnë në formësimin e sjelljes së tij.


Kështu, është i rëndësishëm rishikimi i vlerave mbi bazën e të cilave duhet të punojnë autoritetet legjitime shqiptare si përgjegjëse për zhvillimin e vendit, por edhe ndërtimin e një bërthame shoqërore të shëndetshme. Në fund të fundit, ky është thelbi i një demokracie të suksesshme, që prodhon më tej edhe shoqëri të shëndetshme përtej çudisë paradoksale.