Kryeministri deklaroi se PD nuk do e heqë TVSH-në për prodhimet bujqësore
Kryeministri Berisha ka zgjedhur dje nga Vlora të kritikojë programin e Partisë Socialiste për prodhimet bujqësore. Gjatë një takimi që ai ka zhvilluar me fermerët e kësaj zone, Berisha ka theksuar se propozimi i PS-së për të hequr TVSH-në e prodhimeve bujqësore do të shkatërronte prodhimin bujqësor. Ai deklaroi se PD nuk do ta hiqte TVSH-në për këto prodhime, sepse fermerëve do t’u kalbeshin të gjitha prodhimet e tyre. “Duke hequr TVSH për prodhimet bujqësore, fermerëve u kalben në fushë prodhimet. Natyrisht hapet çdo mundësi për konkurrim të egër e të pandershëm. Në Europë paguhet 3 euro subvencion për lopën, dhe i bie që fermeri atje ta shesë qumështin me çmim më të lirë duke ju konkurruar. Prandaj ne nuk e heqim TVSH-në se duhet t’i mbrojmë prodhimet tuaja. Ata propozojnë politika kokëposhtë”, theksoi Berisha në Vlorë. Nga ana tjetër, ai ka theksuar se projekti i ullirit është një ndër projektet më madhore dhe se fermerët duhet të paraqesin sugjerime konkrete që puna e tyre të lehtësohet. “Në Vlorë jemi në djepin e prodhimit të ullirit, qëllimi ynë është të shumëfishojmë rrënjët e ullirit. Ne kemi financuar vetëm ullinj mbi 9 mijë hektarë, ne jemi të vendosur të 3-fishojmë grantet për fermerët shqiptarë, çka do të thotë 3-fishim i granteve për ullirin. Ne hoqëm çdo taksë e tatim që nevojitet për çdo makineri për prodhimet bujqësore. Do subvencionojmë mbrojtjen e ullirit dhe vjeljen e tij”, theksoi Berisha në lidhje me këtë projekt. Ai theksoi se PD kërkonte që programi i saj të ishte njëkohësisht program i interesave më të mira të qytetarëve shqiptarë.
Premtimi
“Siç ndërtuam rrugët do të ndërtojmë edhe sistemin kombëtar të vaditjes dhe ky është projekti i 4 viteve që vijnë”