Mjekësia


Krijimi i Universitetit të Mjekësisë do të sjellë dhe rregulla të reja për specializimet. Aktualisht janë ngritur grupet e punës që po punojnë për kriteret. Rektorja e Universitetit të Mjekësisë, Jera Kruja, sqaron se mënyrat që do të përdoren për të zgjedhur kandidatët më të mirë janë strikte, ndërsa thekson se nuk do të ketë një rregullore fikse, por të reja për çdo vit akademik.


“Nuk ka formë të përsosur. Janë futur elemente të reja, si për shembull intervista që për mua qëndron. Diskutohet nëse është më e rëndësishme përgatitja gjatë viteve të fakultetit në ciklin e parë dhe ciklin e dytë të studimit, mesatarja”, tha Kruja. Rektorja e Universitetit të Mjekësisë thotë se vitin e ardhshëm akademik, do të çelen edhe disa fakultete të tjera. Ndërkohë që po rishikohen edhe kurrikulat akademike, që sipas saj duhen rifreskuar. Për sa u përket ambienteve, Universiteti i Mjekësisë nuk do të ketë një godinë, ku të përfshijë të gjitha fakultetet e saj, por godina të ndryshme për secilin prej tyre.