edi rama 1Kreu i PS-së paralajmëroi nga Elbasani, surpriza të reja në kampin e majtë dhe vetmi në atë të Berishës


Fatjona Mejdini  


Kreu i PS-së, Edi Rama, premtoi dje nga Elbasani një koalicion edhe më të madh opozitar kundër mazhorancës më 23 qershor. Teksa mbajti fjalën e tij përgjatë konferencës rajonale të kësaj partie në këtë qytet, Rama la të kuptohej se në ditët në vijim koalicioni i PS-së do të zgjerohej me forca opozitare. Në konferencën e prezantimit të programit “Rilindje”, kreu i PS-së theksoi se Berisha ka mbetur sot më i vetmuar se kurrë në krye të partisë së tij familjare. “Sot ne jemi një koalicion më i madh. Bashkimi ynë me LSI-në ka ndryshuar vetëm një gjë, sot vota e fitores sonë është më e mbrojtur nga vjedhja, ndërsa Saliu dhe partia e tij familjare janë më të vetmuar në humbjen e tyre. Por koalicioni ynë do të jetë edhe më i madh deri ditën kur do të regjistrohet, kur të hyjë në fushën e betejës, ndërsa Saliu dhe partia e tij familjare akoma më i vetmuar”, theksoi Rama, duke premtuar surpriza të reja në kampin e majtë. Nga ana tjetër, ai gjeti rastin të theksojë se PS nuk do ta harronte 21 janarin dhe sulmoi deklaratën e djeshme të Partisë Demokratike e cila i mëshonte faktit se Rama e kishte përdorur këtë ngjarje politikisht. Sipas tij, pas 23 qershorit socialistët jo vetëm do të kërkonin drejtësi për këtë çështje, por do të çlironte dhe vetë PD-në nga dikati i Berishës. “Sot e gjora ime, Laura, doli për të qarë në emër të urdhëruesve të vrasësve të 21 janarit, për 21 janarin. Unë do t’i thosha nga këtu, mos u mërzit Laura, 23 qershori do t’i hapë rrugë drejtësisë për 21 janarin, por do të shpëtojë edhe ty edhe Partinë Demokratike nga përgjegjësi më i madh i 21 janarit”, theksoi Rama. Por përveç këtyre konstatimeve politike, ai në fjalën e mbajtur përpara mbështetësve të PS-së në Elbasan, iu referua nevojës për rritjen e sigurisë në vend, si pasojë e situatës së vështirë me të cilën po përballet vendi. Ai e konsideroi alarmante faktin që në vend ndodh të humbnin jetën pesë femra në një ditë dhe theksoi se këto shifra vinin nga paaftësia e Policisë së Shtetit për të ruajtur jetën e qytetarëve shqiptarë. “Qysh atëherë, kur Shqipëria regjistronte 8250 krime në vit, krimi ka marrë përmasa alarmante. 20.688 krime vitin e shkuar. Mesatarisht 1.500 krime më shumë çdo vit. 3.500 krime më shumë midis vitit 2011 dhe vitit 2012. 4 herë më pak makina sesa në vendet e Europës, 4 herë më shumë të vdekur dhe të plagosur nga aksidentet për 100 mijë banorë sesa në çdo vend tjetër të Europës”, deklaroi Rama, duke shtuar se sot Policia e Shtetit është një trupë tërësisht e çoroditur, e cila mbron vetëm qeverinë nga populli. Ai premtoi se situata do të ndryshonte në mënyrë radikale brenda 100 ditëve të para të qeverisë socialiste. Rama foli dje dhe për programin e PS-së për infrastrukturën, bujqësinë dhe çështjen e taksave. Ai tha se socialistët nuk do të hiqnin dorë nga programi i tyre i “rilindjes” dhe se ai do të aplikohej në mënyrë të plotë sapo e majta të ishte në qeverisjen e vendit.


Ajala në Tiranë


Sekretari i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, Luis Ajala, do të jetë sot në Tiranë për të takuar dy liderët e të majtës tashmë të bashkuar, Edi Ramën nga PS dhe Ilir Metën nga LSI. Kjo vizitë vjen në kuadër të vlerësimit të së majtës europiane pas kësaj lëvizjeje në politikën shqiptare.


Ben Blushi


“Bashkë me qeverinë e vet edhe Sali Berisha është Kryeministri më i lehtë për t’u mundur, ai është në detyrë dhe po pret që ne ta mundim”