Ngjarje e shëmtuar në Tirana-Skënderbeu. “Tirona Fanatics” reagon ndaj policisë
Kryendeshja e javës së 21 të Superiores, Tirana-Skënderbeu 1-0 në “Qemal Stafa”, do të mbahet mend jo dhe aq për rezultatin e saj, por për dhunën e paprecedentë të policisë kundër tifozëve bardheblu në stadium dhe jashtë tij. Pre e kësaj dhune është bërë edhe operatori i “Top Channel”, që ka qenë duke dokumentuar ngjarjen. Ai është penguar të filmojë, është shoqëruar në Komisariatin Nr.1 dhe është goditur brenda ambienteve të tij nga drejtues të lartë të policisë.
Dhuna zinxhir e forcave të rendit ka prishur jo vetëm një ndeshje futbolli, që presupozohet të jetë një ngjarje argëtuese, por shtrirja e saj edhe mbi gazetarët ka sjellë në vëmendje ditët me të errëta të policisë, ato të shumë viteve më parë.
Incidentet mes tifozëve dhe forcave të rendit kanë nisur gjatë pushimit të ndeshjes, kur policia ka ndërhyrë me forcë dhe ka dhunuar tifozët e Tiranës. Përveçse i ka goditur brenda në shkallët e stadiumit dhe jashtë tij, policia ka shoqëruar për në Komisariatin Nr.1 edhe mbi 20 tifozëve të Tiranës, të cilët janë dhunuar fizikisht edhe gjatë rrugës. Sipas një komunikate të grupimit të tifozëve “Tirona Fanatics” në lidhje me këtë ngjarje të shëmtuar, “dhuna ka qenë e pajustifikuar, brutale, madje edhe kur ndër të dhunuarit kanë qenë edhe tifozë në moshë jo madhore. Tifozët kanë qenë duke shikuar ndeshjen paqësisht dhe nuk kanë dëgjuar asnjë arsye pse mbi ta po ushtrohej dhunë”. Pas këtij veprimi të policisë, pjesa dërrmuese e tifozëve të mbetur në stadium, në shenjë proteste ka vendosur të braktisë stadiumin. Edhe kjo protestë është penguar nga Policia e Shtetit, pasi janë mbyllur dyert e stadiumit dhe pse kishte tifozë që kërkonin të dilnin nga stadiumi, njoftohet në reagimin e “Tirona Fanatics”.
Ndërsa tifozët e Tiranës ndodheshin në ambientet e komisariatit, dhe pjesa tjetër protestonte për arrestimin e tyre, policia ka shoqëruar brenda ambienteve të Komisariatit Nr.1 edhe operatorin e “Top Channel”, i cili ndodhej jashtë godinës në pritje të daljes së tifozëve të Tiranës. Sikur të mos mjaftonte vetëm pengimi për të kryer detyrën dhe shoqërimi pa asnjë shkak, operatori është goditur, sipas dëshmisë së gazetarit, në komisariat nga zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani. Operatori është lënë i lirë vetëm pasi ka firmosur një deklaratë, ku dhuna e ushtruar nuk figuron në përmbajtjen e tekstit të saj, por shenjat e dhunës janë më se evidente në fytyrë dhe në syrin e tij. Grupimi “Tirona Fanatics” thekson fort se “e konsiderojmë dhunën të tepruar, të panevojshme dhe të pajustifikuar karshi tifozëve të Tironës të pranishëm në stadium. Ne kërkojmë vetëm që Policia e Shtetit të fillojë të kuptojë që taksapaguesit janë njësoj, si ata që shkojnë e shikojnë një shfaqje në teatër, ashtu edhe ata që shkojnë në stadium. Futbolli dhe kampionati i futbollit zhvillohet pikërisht për tifozët, të cilët u detyruan të largohen nga stadiumi e nuk mundën të ndjekin normalisht një ndeshje që luhej për ta. Do të ftonim të gjithë sportdashësit dhe publikun e gjerë që të mos e deformojnë këtë situatë, duke e përkthyer në politikë. Në asnjë moment nuk ka pasur motiv politik nga ana e tifozëve dhe do të donim që të trajtohej në këtë formë siç e parashtrojmë ne”.
Superiorja (Java XXI)
DJE
Teuta-Kukësi 1-1
Jakupi 90′ / Malota 8′
Tirana-Skënderbeu 1-0
G.Lika 64′
Flamurtari-Luftëtari 3-0
Memelli 40′ (11-m), 74′, Pepa 50′
Shkumbini-Vllaznia 1-0
Isaji 44′
Tomori-Apolonia 1-0
Mitraj 45+1′
Laçi-Bylis 3-1
Blloku 45′, Vucaj 53′, 76′ / Bakiu 44′
TË SHTUNËN
Besa-Kastrioti 2-0
Cikalleshi 25′, 88′ (11-m)
Klasifikimi
Skuadra N P
1. Skënderbeu 21 49
2. Flamurtari 21 39
3. Teuta 21 39
4. Kukësi 21 37
5. Tirana 21 35
6. Vllaznia 21 32
7. Laçi 21 31
8. Kastrioti 21 28
9. Besa 21 27
10. Bylis 21 26
11. Shkumbini 21 19
12. Luftëtari 21 18
13. Tomori 21 12
14. Apolonia 21 9