imagesIsh-kryeministrja e Britanisë së Madhe Baronesha Margaret Thatcher u nda nga jeta sot në moshën 87 vjeçare si pasojë e një ataku kardiak, njoftoi zëdhënësi i saj. Lordi Bell tha: “Është një hidhërim i thellë që Mark dhe Carol Thatcher njoftuan se nëna e tyre, Baronesha Thatcher vdiq në paqe pas një goditjeje në zemër”.


Baronesha qe kryeministrja konservatore e Britanisë nga viti 1979 deri më 1990. Ai qe gruaja e parë që mbajti këtë post.


Ajo pati lindur si Margaret Roberts dhe u bë deputete konservatore për zonën Finçlei, Londra veriore, në vitin 1959. Ajo u tërhoq si deputete në vitin 1992. Pasi pati qenë sekretare (ministre) për Arsimin, ajo sfidoi ish-kryeministrin Edward Hearth për kryesinë e partisë më 1975. Ajo fitoi zgjedhjet e përgjithshme më 1979, 1983 dhe 1987.


Berisha: Shqiptarët sot kanë humbur një mike të madhe të çështjes së tyre të drejtë


Kryeministri Berisha shprehu sot pikëllimin për ndarjen nga jeta të ish Kryeministres së Britanisë së Madhe Margaret Thatcher.

Me anë të një mesazhi zyrtar, Berisha ka vlerësuar figurën e Zonjës së hekurt jo vetëm për Britaninë dhe gjithë Perëndimin, por edhe për çështjen shqiptare në konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë.


“Lajmi i ndarjes nga jeta të ish Kryeministres së Britanisë së Madhe Margaret Thatcher më pikëlloi thellë. Me vdekjen e Lady Thatcher, Britania e Madhe dhe bota perëndimore humbën një nga personalitetet politike udhëheqëse, më të shquara, të të gjitha kohërave. Me ndarjen e saj nga jeta, Mbretëria e Bashkuar humbi “Zonjën e hekurt”, legjendë e gjallë e vendosmërisë dhe përkushtimit ndaj saj, reformatoren e madhe që ngriti në zenit ekonominë, potencialin e gjithanshëm dhe emrin e madh të vendit të saj. Për kombe të tjera, ish-Kryeministrja Thatcher ishte simboli i pathyeshëm i luftës kundër komunizmit, avokate e pamposhtur e lirisë, vlerave të saj dhe paqes në botë.


Shqiptarët sot kanë humbur një mike të madhe të çështjes së tyre të drejtë. Në memorien time mbetet gjithnjë i paharruar dhe i gjallë takimi i parë me ish-Kryeministren Thatcher, në Blackpool. Kisha vetëm 3-4 muaj në politikë dhe në audiencën që më akordoi, pas përshëndetjes e nisi bisedën duke me pyetur me fjalët më të para: Më thuaj si po i masakron vëllezërit tuaj në Kosovë kasapi i Ballkanit, Slobodan Millosheviç.


Duke u përulur me nderimin më të madh, para kujtimit të ndritur të Lady Thatcher, i shpreh në emër të qeverisë shqiptare, familjes, qeverisë dhe popullit të Mbretërisë së Bashkuar, ngushëllimet më të thella dhe lutem së bashku me ta që shpirti i ish-Kryeministres Thatcher të gjejë paqen e merituar”, thuhet në mesazhin e kryeministrit.