Sa do të marrin prokurorët e thjeshtë, të Apeleve dhe Krimeve të Rënda. Përfitojnë edhe OPGJ-të
Qeveria ka përgatitur projektligjin për rritjen e pagave të prokurorëve, draft të cilin do ta kalojë së shpejti në qeveri, për t’u miratuar më pas në Kuvend. Nisma vjen disa muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe mund të konsiderohet si një “fushatë”, por duke u ndaluar në terma ekonomikë, mësohet se rritja e pagave do të jetë 20 për qind. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, pagat më të larta për aktorët e drejtësisë do të kenë ndikim në rritjen e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies. “Pagat e prokurorëve do të rriten me 20%. Pagë jo më e vogël se 1 milion lekë në muaj për prokurorët e Shkallës së Parë. Pagë jo më pak se një milionë e treqind mijë lekë për prokurorët e Apelit dhe Krimeve të Rënda. Pagë jo më pak se një milionë e katërqind mijë lekë për prokurorët e Krimeve të Rënda të Apelit”, thotë Ministria e Drejtësisë.
Sipas saj, çdo prokuror që ka një vjetërsi prej 25 vitesh përfiton pagën e prokurorit më të lartë, edhe në rast se nuk do të ketë mundësi të promovohet për shkak të mungesës së vakancave në institucione.
Ministria thotë se pagat më të larta do të përmirësojnë statusin e prokurorëve dhe do të ndikojnë në rritjen e pavarësisë dhe paanësisë së prokurorëve të republikës nga vektorët ekonomikë, dhe do të reduktojnë korrupsionin në këto institucione duke konsoliduar sistemin e drejtësisë.
“Reforma e rritjes së pagave do të prekë më shumë se një mijë prokurorë, gjyqtarë dhe oficerë të policisë gjyqësore në vend. Do të ndihmojë ata qindra prokurorë e gjyqtarë që sapo kanë nisur karrierën e tyre”, pohon ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi.
Pagat e gjyqtarëve
Ministria e Drejtësisë ka tashmë gati draftin e ligjit për reformën e pagave në sistemin gjyqësor. Çdo gjyqtar që fillon punën ditën e parë nuk mund të ketë një pagë më të vogël se 100.000 lekë/muaj. “Një pagë më e mirë, do ta bëjë atë më të pavarur nga vektorët ekonomikë, por dhe të përgjegjshëm nga çdo sanksion. Gjyqtari i Krimeve të Rënda do të paguhet jo më pak se 120.000 lekë/muaj. Një gjyqtar në Gjykatën e Apelit (minimalisht 7 vjet gjyqtar karriere) nuk mund të ketë pagë më të ulët se 140.000 lekë/muaj. Një gjyqtar i Shkallës së Parë me 25 vjet punë, pagën të njëjtë me gjyqtarin e Apelit. Një gjyqtar në Gjykatën e Apelit, me 25 vjet punë, pagë të njëjtë me Gjykatën e Lartë”, sqaroi ministri i Drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë pretendon se në KLD, me nismën e Presidentit, po instalohet një sistem karriere transparent për gjyqtarët, duke i vlerësuar ata për punën e tyre çdo vit, me anë të kontrolleve, por kjo duhet shoqëruar, sipas këtij perceptimi, edhe me rritjen e pagave.
Në perceptimin popullor, sistemi i drejtësisë mbetet më i korruptuari në vend, nga të gjitha sondazhet e kryera, por Ministria e Drejtësisë, me anë të rritjes prej 20 deri në 30 mijë lekë të reja çdo muaj, mendon se mund të ndalë këtë korrupsion. Një rritje vjetore, me të ardhura 200 mijë lekë në vit, pritet sipas Ministrisë së Drejtësisë të ndalë korrupsionin ose tundimin për të korruptuar, në të paktën 40 deri në 60 procese gjyqësore, që çdo anëtar ka në 12 muaj për të gjykuar. s.ç