Dita Botërore e Shëndetit
Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova, shoqëruar nga dy profesorët e njohur Artan Goda dhe Mihal Tase kanë qenë vizitorët e parë në aktivitetin e zhvilluar nga Autoriteti Shëndetësor Rajonal në Tiranë me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit.
Për prof. Mihal Tasen, një nga emrat më të njohur në trajtimin e sëmundjeve të tensionit arterial, në Shqipëri, vlerësohet që të paktën 46% e adultëve kanë vlera mbi normën të tensionit arterial. “7 Prilli është Dita Botërore e Shëndetit. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar parandalimin dhe kontrollin e Tensionit Arterial apo ‘presionit të gjakut’ si temën e këtij viti, me qellim sensibilizimin e popullatës si dhe të të gjithë ofruesve të shërbimeve shëndetësore, për rëndësinë dhe mundësitë reale që ekzistojnë për parandalimin e hipertensionit arterial dhe pasojave që lidhen me të”, tha ministri i ri Kosova.
Sëmundjet kardiovaskulare përbëjnë 59% të vdekjeve në popullatën shqiptare. Vërehet një rritje prej rreth 25% e sëmundjeve kardiovaskulare në Shqipëri gjatë 20 viteve të fundit. Në rang botëror, hipertensioni arterial prek më shumë se 1 në 3 adultë të moshës mbi 25 vjeç, duke përbërë kontribuuesin kryesor të patologjive kardiake dhe aksidenteve cerebrale. Patologjitë kardiake dhe aksidentet cerebrale përbejnë shkaqet kryesore të vdekjeve të parakohshme dhe paaftësisë.