Sondazhi
Andrea Gebbeken: Paguajmë më tepër se 10%. Ambasadorja: Kujdes krimin dhe korrupsionin!
Shqipëria renditet e fundit mes 20 sheteve për sa i përket atraktivitetit si vend për të bërë biznes
ARD KOLA
Taksa e sheshtë, e proklamuar me të madhe nga Kryeministri si “histori suksesi” nuk konsiderohet e tillë për bizneset gjermane që operojnë në Shqipëri. “Faktet e raportuara nga anëtarët tanë tregojnë se taksa e sheshtë prej 10 për qind nuk është e vlefshme për të gjithë, pasi kemi plot raste ku bizneset e pyetura në sondazh deklarojnë se kanë paguar më tepër. Ky është problem serioz i zbatimit të ligjit nga tatimorët”, deklaroi dje Andrea Gebbeken, kryetare e Shoqatës Gjermane të Industrisë
dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA), në kuadër të publikimit të rezultatit të anketimit vjetor. Sipas sondazhit, Shqipëria renditet e fundit mes 20 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore sa i takon klimës. “Është problem zbatimi i ligjit dhe respektimi i kontratave nga të dyja palët, pra shtet-privat. Vihet re se ka diferencime dhe sjellje jo të barabartë nga administratat ndaj bizneseve”, u shpreh nga ana e saj, ambasadorja gjermane në Tiranë, Karola Muller.
Të dhënat e sondazhit tregojnë se vendi ynë ka hedhur hapa mbrapa në raport me anketimet e viteve të mëparshme dhe se biznesin gjerman po e shqetëson së tepërmi niveli i korrupsionit dhe kriminaliteti. “Nuk po kërkojmë rishikimin e ligjeve, thjesht duam zbatimin e tyre”, u shpreh më tej Gebbeken, e cila është njëkohësisht edhe drejtore ekzekutive e “Tirana Aeroport Partners”, koncesionari gjerman që menaxhon aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend.
Në vlerësimin e kushteve të vendit si destinacion investimesh, kompanitë e pyetura vazhdojnë të shohin nevojën për përmirësim të dukshëm. Rezultatin më të keq e merr faktori “Korrupsioni dhe kriminaliteti”. Afro 55 për qind e të anketuarve shprehen se janë shumë të pakënaqur me “Luftën ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit”. Rreth 52 për qind e kompanive të pyetura janë të pakënaqura me “Administratën Publike” dhe kërkojnë që procedurat në administratën publike të jenë më transparente, kurse 48 për qind janë të pakënaqur me “Parashikueshmërinë e politikave ekonomike”
Të dyja zonjat evidentuan faktin se, për investitorin e huaj nuk është thjesht e rëndësishme shkalla e ulët tatimore, por mënyra se si administratat i mbledhin ato. “Në Gjermani, taksat janë më të larta se te ju, por ama, investimet nuk mungojnë dhe interesi është i madh”, u shpreh ambasadorja.
Rezultatet e anketimit mbi klimën e biznesit në Shqipëri 2013 dëshmojnë për një përkeqësim të situatës ekonomike në vend. Ndërkohë që vitin e shkuar 64 për qind e të anketuarve e vlerësonin situatën ekonomike si të kënaqshme, këtë vit 64 për qind e të tyre mendojnë se situata ekonomike aktuale është negative. Rreth 15 për qind e të anketuarve parashikojnë përmirësim të gjendjes ekonomike gjatë vitit 2013, 33 për qind mendojnë se situata nuk do të ndryshojë, kurse 52 për qind mendojnë se situata do të përkeqësohet.
Rezultatet e vlerësimit të biznesit vetjak gjatë këtyre viteve janë përkeqësuar. Në vitin 2011, 67 për qind e të anketuarve e cilësojnë situatën si pozitive, në vitin 2012 vetëm 42 për qind dhe në vitin 2013 ky vlerësim ka rënë në 24 për qind. Në lidhje me parashikimet për biznesin në kompanitë e tyre, të anketuarit janë paksa optimistë.
Këto vlerësime jo pozitive kanë ndikuar edhe në parashikimet për numrin e punonjësve. Vetëm 27 për qind e kompanive të pyetura parashikojnë rritje të numrit të punonjësve, ndërkohë që 18 për qind prej tyre presin të ulin numrin e të punësuarve. I njëjti hezitim vihet re edhe në parashikimet e shpenzimeve për investime. Lidhur me vitin ekonomik aktual, 45 për qind e të anketuarve mendojnë se investimet për këtë vit do të mbeten të pandryshuara. Vetëm 27 për qind do të rrisin investimet e tyre, ndërkohë që 27 për qind do t’i ulin ato.
Gjetjet
- 55% e të anketuarve shprehen se janë shumë të pakënaqur me “Luftën ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit”
- 52% e kompanive janë të pakënaqura me “Administratën Publike” dhe kërkojnë që procedurat të jenë më transparente
- 48% janë të pakënaqur me “Parashikueshmërinë e politikave ekonomike
- 64% e të pyeturve mendojnë se situata ekonomike aktuale është negative
- 33% mendojnë se situata nuk do të ndryshojë, kurse 52% mendojnë se situata do të përkeqësohet
Kërkesat
Detyrat e qeverisë!
Zbatimi i ligjeve, zhvillimi i infrastrukturës, furnizimi me energji elektrike, përmirësimi i sektorit të ujësjellës-kanalizimeve, largimi dhe trajtimi i mbetjeve, si dhe investimet në arsimin profesional, janë disa nga kërkesat e bizneseve gjermane në Shqipëri. “Përmirësimi në sektorin e arsimit profesional mundëson vende pune për persona që kanë kualifikim të ulët, të cilët janë urgjentisht të nevojshëm për industrinë prodhuese”, shprehet presidentja e DIHA-s, Andrea Gebbeken.
Anketa
Sondazhi është kryer nga 1 shkurti deri në 3 mars 2013, i katërti radhazi që realizohet, ku përfshin edhe përfundimet me anketat e zhvilluara në 16 vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, ku dhomat gjermane të tregtisë kanë shtrirë prezencën. Në të gjithë vendet e rajonit të EQL-së morën pjesë gjithsej 1623 kompani, nga të cilat 33 kompani ishin nga Shqipëria (nga 66 që janë gjithsej). Me përjashtim të disa pyetjeve, të cilat lidhen me rastet specifike, të tjerat janë për të gjitha vendet njësoj.