Vrasja e balerinës


“Atë natë mund të ishim vrarë edhe ne”


Silvana Muça


ilda rrapo “E vogla, e shtrenjta, e mira, e jona, Sonila… pati shumë ëndrra. Momentet kur morëm vesh lajmin për vrasjen e saj, kanë qenë të tmerrshme. Mbajmë vetëm dhimbje, lot e hidhërim në shpirt. Na mungon të gjithëve”, e nis rrëfimin Ilda Rrapo, mikja më e ngushtë e Sonila Tafës, 24-vjeçarja e vrarë mëngjesin e së shtunës në një prej bareve të natës, në periferi të Tiranës. Mikja e Sonilës tregon për gazetën “Shqip” momentet para vrasjes dhe dëfrimin në diskotekë. Ilda ka folur edhe për ëndrrat plot ambicie, të cilat u prenë në mes nga një dorë e papërgjegjshme.


sonila tafa


“Sonila kishte shumë ëndrra. Vetë natyra e saj dëshironte të arrinte shumë gjëra në jetë dhe një prej tyre ishte që të hapte një palestër kërcimi. Donte që të punonte më fëmijët. Gjithashtu kërkonte të kishte një punë të sigurt, në profesionin e saj, sepse ajo ishte balerinë profesioniste. Në Shqipëri është mjaft e vështirë të gjesh punë në këtë profesion. Ne kishim një muaj e pak, që kërcenim te lokali ku ndodhi vrasja. Atë natë do të prezantonim për klientët performanca të ndryshme. Sonila erdhi që të na takonte dhe njëkohësisht të shikonte artin që do të bënim në ‘skenë’. Ne jemi një grup që jemi rritur bashkë dhe njihemi me njëri-tjetrin që në klasën e katërt të fillores e deri në përfundimin e studimeve në Akademinë e Arteve. Puna që ne bëjmë na ka lidhur shumë me njëri-tjetrin, sepse të gjithë kohën e kalonim bashkë. Sonila ishte me pjesën tjetër të grupit në ato momente, edhe ata ishin balerinë dhe kishin ardhur për qejf. Në momentin që jashtë është qëlluar me armë, ne nuk kemi qenë aty, sepse ishim duke marrë kostumet në dhomën e zhveshjes. Sa zbritëm shkallët, u mbyllën dyert. Mua dhe kolegun tim na lanë aty dhe nuk pamë asgjë. Më pas dëgjuam që u vra një vajzë. U trembëm jashtë mase. Pas kësaj na thanë se vajza e vrarë ishte një balerinë. Aty u premë të dy dhe pas këtij momenti nuk mbaj mend asgjë. M’u copëtua shpirti, sepse shoqëria jonë atë natë përbëhej vetëm nga balerina. Kur dolëm tek ambienti tjetër i lokalit pamë shoqërinë, vetëm Sonila mungonte. Ato me ulërima më thanë lajmin që goditën Sonilën. U mbyllën dyert dhe ne ngelëm sërish brenda sepse njerëzit e lokalit kishin hall mos gjuanin prapë. Pas disa minutash dolëm dhe shkuam në Spitalin Ushtarak. Atje nuk na e thoshin dot lajmin që ajo kishte vdekur. Na e kanë thënë më mbrapa. Momenti më i vështirë ka qenë lajmërimi i familjes. U lajmërua e motra. Më pas unë s’kam qenë kur kanë ardhur familjarët, sepse më çuan në rajon të policisë, bashkë me pjesën tjetër të shoqërisë”, ka treguar kronologjinë e ngjarjes Ilda Rrapo, mikja e fëmijërisë e Sonilës. Ajo thotë se 24-vjeçarja nuk konfliktohej me njeri. Sipas balerinës Rrapo, vrasja ishte aksidentale dhe se atë natë mund të kishin mbetur të vrarë edhe shokët e tjerë, që ishin me të, por fati i ka shpëtuar. Mikja e fëmijërisë sqaron se Sonila ishte një vajzë shembullore, pa probleme dhe shikonte jetën e saj. “Ajo është në zemrat tona dhe do mbetet shume gjatë. Është engjëlli ynë” përfundon rrëfimin Rrapo.


 

Policia: Kuliçaj ndodhet në Tiranë!


Vrasësi i balerinës, ende i “arratisur”. Zyrtarët e policisë: I kemi bllokuar daljet?!


Zyrtarët e Policisë së Tiranës pohojnë se janë afër arrestimit të Artur Kuliçajt, i dyshuari kryesor për vrasjen e balerinës Sonila Tafa, mëngjesin e së shtunës. Të kontaktuar nga “Shqip” ata pohojnë se kanë pasur informacione se i kërkuari ndodhet në kryeqytet. Madje, drejtuesit e policisë pretendojnë se i kanë bllokuar daljet këtij personi, në një qytet me mbi 600 mijë banorë dhe i shtrirë në një sipërfaqe të konsiderueshme, ku ke mundësi “arratisje” nga të gjitha anët. Por, sërish drejtuesit e policisë janë optimistë se 34-vjeçari do të bjerë në pranga dhe mësohet se ka pasur edhe negociata me familjen e tij. Me gjithë këto deklarata në “ajër”, në terren nuk është bërë ndonjë operacion për arrestimin, aq më tepër që policia e di që ndodhet në Tiranë. Në raste të tilla, kur ndodh një vrasje, madje e një personi të pafajshëm, policia angazhohet tërësisht për arrestimin e autorit dhe nëse ka informacione “kreh” të gjithë zonën. Shpeshherë, patrulla të forcave speciale dalin në hyrje-daljet e Tiranës dhe me maska në kokë e kallashnikov në duar ndalojnë automjete dhe i kontrollojnë. Pavarësisht se terrorizojnë qytetarët, një operacion i tillë gjithmonë është mirëkuptuar, pasi qëllimi ka qenë ndalimi i elementëve kriminalë. Por, nga informacionet për vrasjen e Sonila Tafës, angazhimi i policisë ka munguar dhe për rrjedhojë, në ditën e katërt të vrasjes, nuk kemi arrestimin e autorit, por vetëm të bashkëpunëtorit. Ky i fundit, vetëm sa ka larguar Kuliçajn nga vendi i ngjarjes, megjithëse mund të hetohet për bashkëpunëtor në këtë vrasje. Duke u ndaluar tek hetimet për këtë çështje, policia thotë se vrasja mund të jetë aksidentale, madje me rikoshet, ku autori mund të hetohet për vrasje nga pakujdesia. Vepra të tilla penale kanë një dënim me rreth tre deri në katër vite burgim. s.ç