Lidhja me Teatrin e Vlorës


Është gjithnjë një vend në jetën apo karrierën e një artisti në të cilin mund të ndalesh dhe të rrish gjatë. Kjo gjë i ndodh Hysit dhe me Teatrin e Vlorës, aty ku u rrit dhe krijoi personalitetin e tij si dramaturg. Hysi beson se teatri është ai që e rrit dramaturgun. “Unë për vite me radhë kam qenë në mërgim, dhe ishte Teatri i Vlorës ai që nuk i shkëputi lidhjet me mua, dhe në sajë të kësaj lidhjeje unë vazhdoja të shkruaja, e shkruaj ende”, thotë ai. Një vit më parë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit, në skenën e këtij teatri u ngjit pjesa e tij “Testamenti”, dy vjet më parë komedia “Jetë qeni d.m.th VIP”. Këto kohë ka dorëzuar një tjetër komedi për t’u ngjitur në skenë, ka shkruar parodi për grupin e parodistëve. “Mendoj që teatri duhet ta mbajë afër dramaturgun, pasi kështu rrit dhe dramaturgjinë shqipe”, thotë ai.


 


 


“PranverArt 4 – 2013”


Është hapur dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar ekspozita “PranverArt 4”, ku marrin pjesë një grup artistësh të njohur të traditës. Grupimi i artistëve të lirë të “PranverArt” u krijua në vitin 2009-2010 nga një grup krijuesish piktorë e skulptorë në kujtim të së vetmes ekspozitë me krijimtari relativisht të lirë, “Pranvera” e hapur në vitin 1972, por që pati një fat të ngjashëm me Festivalin e 11 në RTSH. Ky grupim është ideuar si një veprimtari kombëtare, për të mundësuar ekspozimin dhe përmes tij, inkurajimin dhe motivimin e krijuesve të lirë jo vetëm nga Tirana por edhe nga qytete të tjera të vendit, është aktualisht grupimi më i madh artistik që në aktivitetet e veta ka përfshirë deri në 80 krijues, jo vetëm piktorë, por edhe skulptorë, që është një risi absolute në veprimtaritë artistike publike.


Gjithashtu grupimi i artistëve e personaliteteve krijues ka dhënë në vijimësi kontribut me vlera për promovimin e talenteve të reja, duke i mbajtur afër e duke ju dhënë mundësi për ekspozimin e krijimeve të tyre.


 


Drama


Shtëpia e Bernarda Albës në Kavajë


“Shtëpia e Bernarda Albës”, shfaqja nën regjinë e Kiço Londos do të shfaqet të mërkurën në publikun e qytetit të Kavajës. Vepra e shkruar nga Frederico Garcia Lorka tregon historinë e Bernardës, e cila pas vdekjes së burrit të dytë, vendos të mbajë një periudhë zije, e cila sipas traditës së familjes, duhet të zgjasë për tetë vjet. Bernarda ka pesë vajza nga mosha 21 deri në 40, të cilat ajo i ka mbrojtur, kontrolluar dhe kategorikisht i ka ndaluar të kenë lidhje dashurore. Koha e mbajtjes së zisë i izolon të bijat e saj, duke shkaktuar nëpër shtëpi një ndjesi tensioni dhe shtypjeje. Pas ritualit të mbajtjes së zisë në shtëpi, Angustia, vajza më e madhe vjen duke shokuar të gjithë të ftuarit, pasi ajo nuk ka qenë e pranishme në ritual. Bernarda acarohet me të, duke e akuzuar se ka dëgjuar muhabetet e burrave në oborrin spanjoll. Angustia ka trashëguar një shumë të vogël nga i ati i saj. Gjithashtu i shoqi i dytë i Bernardës i trashëgoi asaj një shumë të madhe parash, duke e bërë kështu një nga vajzat më të pasura në familje. Pasuria e saj tërheq një djalë të ri nga fshati i quajtur Pepe el Romano. Pasioni dhe xhelozia midis motrave rritet. Motrat e tjera mendojnë se është e padrejtë që Angustia, motra më e vjetër dhe më shëndetliga të ketë pasurinë më të madhe dhe të ketë lirinë të martohet. Në këtë mënyrë të iki larg shtëpisë së Bernardës. Momentet e mbylljes së veprës shfaqin Bernardën shumë të shqetësuar për prishjen e reputacionit të familjes. Ajo kërkon me ngulm që të deklarohet se Adela vdiq e virgjër, e cila nuk është e tillë, pasi sipas pjesës ajo takohej në fshehtësi me Pepen. “Askush nuk duhet të qajë”. Interpretojnë aktorët: Bernarda – Luiza Xhuvani; Maria Hosefa – Roza Anagnosti; Angustia – Erjona Kakeli; Magdalena – Adriana Tolka; Amelia – Mirela Naska; Martiro – Ermira Hysaj; Adela – Esela Pysqyli; Poncia – Taulanta Jupi.