Largimi i LSI nga qeveria e ka bërë Partinë Republikane forcën e dytë më të madhe në koalicionin mazhoritar, çka ka pasuar me kërkesën zyrtare të kësaj force pranë KQZ për të pasur të drejtën e një anëtari në Komisionin Qendror Zgjedhor.
Nënkryetari i Partisë Republikane, Arjan Madhi ka kërkuar nga KQZ që të zbatojë ligjin në lidhje me këtë kërkesë, e cila sipas tij është tërësisht legjitime.
“PR peshën e saj politike e ka të konfirmuar dhe legjitime, pasi përfaqësohet me një mandat në Kuvend dhe ka 32 mijë vota të fituara në vitin 2009. Kodi Zgjedhor përcakton vendin e partive në bazën e mandateve, dhe niset nga numri i votave që ka fituar. Ne renditemi si forca e dytë mazhoritare”, deklaroi Madhi për News 24.
Aktualisht LSI ka përfaqësuesin e saj në KQZ duke qenë se deri pak ditë me parë ishte forca e dytë në koalicionin qeveritar, me 4 deputetë në parlament, ashtu siç ka përfaqësuesin e vet edhe PBDNJ nga opozita.
9 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)