Debate në Komisionin e Punës. Tafaj: OJF dhe biznesi po fitojnë projekte në kurrizin tonë
Komisioni i Punëve dhe Çështjeve Sociale ka miratuar parimisht projektligjin për personat me aftësi të kufizuara.
Ky projektligj është miratuar që në 2009-n nga grupi ndërsektorial dhe është aprovuar edhe nga Ministria e Drejtësisë, duke dhënë “ok” edhe ish-ministri Enkelejd Alibeaj.
Projektligji për përfaqësinë e personave me aftësi të kufizuara është iniciuar nga vetë shoqatat e invalidëve, por miratimi i tij është bllokuar për vite të tëra nga Ministria e Punës.
Kjo, sipas shoqatave të PAK, dhe sipas juristëve të atashuar pranë shoqatave të tyre. Dje, ministri i Punës, Spiro Ksera, ka aprovuar miratimin e këtij ligji, por shoqatat e invalidëve janë skeptike për kalimin përfundimtar të tij në qeveri, pasi koha e mbetur deri në mbyllje të seancave parlamentare është shumë e shkurtër.
Pavarësisht kësaj, dje, kreu i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara, Sinan Tafaj, u ka futur këmbët në një këpucë përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, duke thënë se personat me aftësi të kufizuara nuk duhet të përdoren politikisht dhe nuk kanë nevojë të citohen nga forcat e politikës, përveçse u duhet vullneti i tyre për të miratuar ato vendime e ato ndryshime për të cilat këto kategori kanë nevojë.
Projektligji për personat me aftësi të kufizuara ka shkaktuar debate të ashpra dje në Komisionin e Punës dhe Çështjeve Sociale. Deputetet e opozitës kanë akuzuar ministrin e Punës se i ka lënë pa pagesa personat me aftësi të kufizuara dhe po mban peng projektligjin që u vjen në ndihmë atyre.
Nga ana tjetër, ministri i Punës dhe i Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, ka akuzuar opozitën se po e shfrytëzon këtë kategori për qëllime politike. Vetë kryetari i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara, Sinan Tafaj, jo vetëm ka akuzuar politikën për abuzim me këtë shtresë, por edhe shoqatat joqeveritare dhe biznesin që në emër të kësaj kategorie po përfitojnë miliona lekë me projekte. Gjithashtu personat me aftësi të kufizuara kërkojnë të përfaqësohen vetë në vendimmarrjen që ka të bëjë me këtë shtresë.
Projektligji i iniciuar nga përfaqësitë e invalidëve kërkon që të drejtat dhe liritë e tyre të trajtohen nga vetë ata dhe jo nga shoqëria civile që bën një jetë normale në kushte normale.
Një tjetër projektligj i Ministrisë së Punës, kërkonte që kjo shtresë të përfaqësohej edhe nga OJF-të e tjera, që jo detyrimisht përfaqësohen nga invalidë, për të cilët do të ngrenë çështjen e tyre dhe do të përmirësojnë kushtet në bazë të projekteve dhe iniciativave. Lorina Mixha