Pushteti vendor 


Këshilli Bashkiak, miratohen vendimet me shumë para, zgjatimi i bulevardit dhe kredi për bizneset


Lorina Mixha


lul bashaKëshilli Bashkiak miraton gjashtë vendime të rëndësishme për qytetin e Tiranës. Miratohet granti 7 milionë euro i dhënë nga shteti i Katarit, kriteret për bankën që do të japë kreditë për biznesmenët e rinj nën 35 vjeç, si dhe katër vendimet e tjera të bëra publike pak ditë më parë nga Bashkia e Tiranës.


Pas dyshimeve dhe frikës se çfarë do të bëhet me pushtetin vendor dhe vendimet që lidhen me ecurinë e punës së kreut të bashkisë Lulzim Basha, Lëvizja Socialiste për Integrim ka mbajtur premtimin.


Asnjë nga anëtarët e Këshillit Bashkiak, përfaqësues të LSI-së, nuk ka bojkotuar mbledhjen e djeshme. Të pestë anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë treguar mbështetje të hapur për projektet e propozuara nga kryetari Lulzim Basha, ndërsa kreu i tyre, Shezai Rrokaj, ka bërë deklaratë të plotë dhe të qartë, duke thënë se: Këshilli Bashkiak ka miratimin dhe mbështetjen e anëtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për të përmbushur detyrimet dhe vullnetin e qytetarëve të Tiranës, për punët e qytetit dhe investimet në Tiranë.


Kjo ka qetësuar anëtarët e mazhorancës në Këshillin Bashkiak, por ka qenë edhe një formë e garancisë që të paktën deri në muajin qershor nuk do të ketë asnjë komprometim të anëtarëve të LSI-së dhe ata do të miratojnë gjithçka që do të propozohet nga bashkia pa i vendosur shkopinj nën rrota kreut Lulzim Basha.


Nga ana tjetër, në mbledhjen e djeshme të këshillit janë vërejtur mungesa, kanë qenë 6 anëtarë që kanë munguar dhe vendimet janë marrë me 29 vota mazhorancë dhe 26 opozitë. Po ashtu, përkrahjen dhe bashkëpunimin e tyre e ka dhënë edhe kreu i anëtarëve të PDIU-së, Taip Muhedini, i cili ka deklaruar se anëtarët e kësaj force politike janë dakord për të miratuar vendimet e propozuara nga kreu i Bashkisë së Tiranës dhe fondin e dhënë nga shteti i Katarit.


Gjithsej janë 55 këshilltarë bashkiakë, 29 i ka koalicioni “Aleanca për qytetarin”, përfshirë këtu edhe anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërkohë që në këshill janë 27 anëtarë opozitarë me logon “Aleanca për të Ardhmen”.


Anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Këshillin Bashkiak të Tiranës janë 5.


Adriana Berberi, këshilltare e PS-së, ka deklaruar se pavarësisht grantit 7 milionë euro, anëtarët e parlamentit vendor nuk e kanë të qartë se cilat janë rrjedhimet e miratimit të këtij fondi, lidhur me taksat që do të rëndojnë më pas dhe cilat do të jenë programet e planet e hollësishme që do të pasojnë punën pas miratimit të këtij granti. Projektvendimi, sipas saj, është i paplotë dhe nuk është i sqaruar ashtu siç kërkon nevoja.


Po ashtu, edhe anëtarët e tjerë të PS-së kanë kundërshtuar miratimin e këtij vendimi, pikërisht për mangësi të informacionit dhe mungesë transparence.


Nga ana tjetër, kreu i anëtarëve të PS-së Aldrin Dalipi, ka deklaruar se këto projekte të mangëta, pa sqarime e pa detaje u hapin rrugën abuzimeve. Sipas Dalipit, si projekti i parkimit nëntokësor apo plani urbanistik janë miratuar me shpejtësi, për shkak të interesave politike dhe klienteliste.


Sipas Dalipit, plani urbanistik ishte një nga vendimet e nxituara që Basha kërkoi të miratonte në parlamentin vendor, ende i paqartë deri sot.


Po ashtu, probleme të mëdha nuk janë zgjidhur ende, si para miratimit të tij ashtu edhe pas miratimit të këtij dokumenti strategjik.


“Tirana është mbushur me ndërtime pa leje, që jo vetëm e kanë vënë në pikëpyetje planin, por edhe besimin e qytetarëve. Plani ishte për efekte klienteliste dhe elektorale po shtoi edhe interesa të tjera. Plani urbanistik nuk është gjë për t’u mburrur, pasi është plan klientelist. Ne kemi qenë kundër buxhetit, pasi nuk ka qenë transparent dhe nuk na është dhënë asnjë informacion”, tha Dalipi. Basha hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se këshilltarët e majtë po parashtrojnë arsye politike me qëllim mosvotimin e vendimeve. Sipas Bashës, plani urbanistik i Tiranës është bërë në transparencë të plotë, pasi është diskutuar për tre muaj rresht me qytetarët dhe me grupet e interesit.