Tiranë


18-vjeçarja Xhensila D., konflikte me të fejuarin që kur ishin kthyer nga emigrimi


Prindërit – Lidhja nuk është pritur mirë nga prindërit e djalit. Ata janë konfliktuar me vajzën duke i kërkuar që të largohej nga shtëpia


policia e tiranesNusja denoncon vjehrrin dhe vjehrrën se kanë tentuar ta vrasin, duke e hedhur nga kati i dytë i një pallati. Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë në Tiranë, ku një 18-vjeçare pretendon se ka pasur konflikte të vazhdueshme me të fejuarin e saj. Ajo kishte shkuar në banesën e bashkëjetuesit dhe i kërkoi llogari për ndarjen. Pasi ka marrë përgjigjen se ndarja ishte për “mospërputhje karakteri”, vajza ka kërkuar të tjera shpjegime. Këmbënguljes së saj i janë përgjigjur prindërit e djalit, të cilët i kanë dhënë një “dorë”, duke e shtyrë nga shkallët e pallatit dhe duke e rrëzuar nga një lartësi më shumë se dy metrash. Burime nga Policia e Tiranës thanë se shkak për këtë zënkë janë bërë mosmarrëveshjet e shumta që 28-vjeçari Ariz Z., ka pasur me bashkëjetuesen e tij Xhensila D. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Llazar Shapatini”, mbrapa Spitalit Ushtarak.


Mësohet se dy të rinjtë jetonin jashtë shtetit dhe pas kthimit në Shqipëri kanë nisur të jetojnë në një apartament me qira në kryeqytet. Gjatë bashkëjetesës, mes çiftit kanë lindur konfliktet, të cilat kanë qenë të vazhdueshme dhe banale. Gjendja u acarua deri në pikën ku 28-vjeçari kërkoi që të ndahej nga Xhensila. Kjo nuk është pritur mirë nga 18-vjeçarja. Ajo i është përgjëruar që të vazhdojnë lidhjen, por ka qenë e kotë. Lidhja e dy të rinjve nga Dibra nuk është pritur mirë as nga prindërit e djalit. Ata janë konfliktuar me vajzën duke i kërkuar që të largohej nga shtëpia. Situata ka degjeneruar deri në përleshje mes palëve. Në gjaknxehtësi e sipër, prindërit e Arizit e kanë hedhur vajzën nga kati i dytë i pallatit. Si pasojë e kësaj, 18-vjeçarja ka marrë plagë serioze në trup. Nusja e “padëshiruar” është dërguar në Spitalin Ushtarak për të marrë mjekimin e nevojshëm. Gjithashtu, Xhensila e ka denoncuar dhunën në polici. Ajo pretendon se prindërit e të fejuarit e kanë hedhur nga një lartësi e konsiderueshme, duke i shkaktuar plagë të dukshme në trup. Menjëherë pas denoncimit, policia ka shoqëruar Arizin, i cili nuk pranon që të ketë ushtruar dhunë mbi ish të dashurën e tij. Ndaj 28-vjeçarit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Gjithsesi ngjarja ende nuk është zbardhur tërësisht. S. Muça