Dhunoi kameramanin
Policia e Shtetit: Ndaj Erzen Breçanit do të fillojë edhe ecuria disiplinore
Policia e Shtetit ka pezulluar dje nëndrejtorin e Policisë së Tiranës, z. Erzen Breçani, pas denoncimit të “Top Channel” se dhunoi një kameraman gjatë kryerjes së detyrës. Në një komunikatë për shtyp, thuhet se ndaj këtij oficeri të policisë ka filluar edhe ecuria disiplinore. “Lidhur me rastin e bërë publik nga televizioni ‘Top Channel’, që bën fjalë për dhunimin e operatorit të këtij televizioni, ditën e sotme (djeshme), rreth orës 14:00, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është marrë masa e pezullimit paraprak nga detyra ndaj zv/drejtorit për Sigurinë Publike të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, z. Erzen Breçani, pasi ndaj tij ka filluar ecuria disiplinore”, thuhet në njoftimin e shkurtër të policisë.
Më herët, Policia e Tiranës refuzoi të merrte masa ndaj z. Breçani, duke anashkaluar plotësisht dhunën e ushtruar. Pozicioni i Policisë së Tiranës ka qenë më shumë se i turpshëm duke mohuar çdo përgjegjësi e duke justifikuar dhunën.

Më pas, “Top Channel”, me anë të një letre drejtuar ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, dhe për dijeni Kryeministrit Sali Berisha, ka shprehur “protestën për ngjarjen e rëndë dhe dhunimin e operatorit të tij nga drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, saktësisht prej zëvendësdrejtorit të Drejtorisë së Qarkut Tiranë, Erzen Breçani, dhe për më tepër brenda në ambientet e Komisariatit Nr. 1”.
Në letër, “Top Channel” ka dënuar dhunën dhe i ka kërkuar ministrit të Brendshëm, që të marrë masa ndaj përgjegjësve të ushtrimit të saj, të cilët janë njerëz me uniformë”. Më tej thuhet se “dhunimi i operatorit në krye të detyrës, nga një punonjës i lartë i Policisë së Shtetit, për më tepër brenda mjediseve të komisariatit, përbën një ngjarje të paprecedentë dhe një shkelje të rëndë të ligjit nga drejtuesit më të lartë të Policisë së Tiranës. Pikërisht nga ata që kanë për detyrë respektimin e ligjit dhe garantimin e jetës së qytetarëve. Kjo ngjarje dhune dhe intimidimi më pas ndaj operatorit të ‘Top Channel’ krijon një klimë tensioni të pakërkuar, të panevojshme në raportet mes Policisë së Shtetit dhe medias, dhe ‘Top Channel’ në veçanti. Dhuna ndaj punonjësve të medias, gjatë kryerjes së detyrës dhe më konkretisht nga një punonjës i lartë i Policisë së Shtetit me uniformë brenda në zyrat e shtetit bie ndesh edhe me vetë deklaratat e Kryeministrit Berisha, që më shumë se një herë dhe publikisht e ka pozicionuar veten ‘si një mik të gazetarëve dhe një dashnor të fjalës së lirë’”.
Për këtë ngjarje reagoi edhe Unioni i Gazetarëve. Përmes një deklarate për shtyp, Unioni shpreh shqetësimin për ngjarjen dhe shton se “ky rast, si dhe disa ankesa të ardhura nga gazetarë e reporterë në terren, paralajmërojnë një klimë të re acaruese ndaj reporterëve, që angazhohen në kushte shumë të vështira për të pasqyruar çdo zhvillim e ngjarje në mjediset e veprimtarive masive, jo vetëm elektorale”.
Protesta
“Ne nuk do të heshtim!”
Policia e Tiranës, me në krye Erzen Breçanin, shoqëruan dhe më pas keqtrajtuan në mjediset e policisë, kameramanin e “Top Channel”, Gent Ballta, ndërsa ky i fundit qe në krye të detyrës duke filmuar keqtrajtimin që policia po i bënte disa tifozëve të futbollit.
Keqtrajtimi i qytetarëve nga policia është gjithmonë një veprim i pështirë, por kur një kameraman në detyrë shoqërohet me justifikimin “për t’u identifikuar” dhe më pas keqtrajtohet, ky veprim duket se synon diçka më tepër! Synon të frikësojë të gjithë kameramanët dhe gazetarët që të mos kryejnë detyrën e tyre të dokumentimit të keqbërjeve dhe abuzimit me pushtetin. Synon të frikësojë të gjithë qytetarët për t’i detyruar ata të pranojnë në heshtje dhe të mos e ngrenë zërin kur keqtrajtohen.
Protesta do të organizohet para Piramidës, sot, e Mërkurë, 10 prill 2013, ora 12:00. Motoja e protestës është: Ne nuk do të heshtim! Kërkohet marrja e masave për keqbërësin Erzen Breçani. Ftohen të gjithë qytetarët të marrin pjesë.
Një nga nismëtarët e protestës, gazetari Gjergj Erebara, bëri të ditur se dje, rreth orës 16:00, u përpoq të dorëzonte në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë njoftimin për organizimin e protestës, por policët përgjegjës refuzuan të marrin në dorëzim njoftimin. Protesta do të organizohet pavarësisht këtij fakti.