“Kujdes me listat, të sqarojmë koalicionet”


edi-ramaKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbledhur dje pasdite Asamblenë e PS-së për qarkun më të rëndësishëm të vendit, atë të Tiranës. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, kanë marrë pjesë përveç anëtarëve të Asamblesë, edhe krerët e njësive vendore që përfshin ky qark, madje dhe kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi. Takimi ka ngritur si çështje kryesore sqarimin e bazës socialiste për sa i përket marrëveshjes së re mes PS-së dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, nisur nga fakti se një pjesë e elektoratit socialist është shprehur skeptik ndaj një bashkimi të tillë. Një tjetër çështje e diskutuar dje ka qenë dhe nevoja e regjistrimit të socialistëve të cilët ende nuk e kanë gjendjen civile në vendin ku banojnë. Kontrolli i listave ka qenë në fokus të mbledhjes, nisur nga fakti se sipas socialistëve janë të shumta dublimet dhe pasaktësitë në listë. Çështja e komisionerëve gjithashtu ka qenë në rend të ditës dhe është diskutuar nga socialistët.