Deklaratat
E motra: Tetë ditët e fundit në agoni. Shahini, një vrasës
Nëna – “Fëmijëria e tij ka qenë mjaft e pasur dhe të gjithë e donin Bujarin për zgjuarsinë që e karakterizonte. Ahh…! Im bir moj bijë, krijoi shumë gjëra, por nuk gëzoi asgjë”
Motra – “Bujari erdhi në shtëpi i shoqëruar me katër shokë. Ai nuk ishte në gjendje që të tregonte se çfarë kishte ndodhur. Nuk dëgjonte, nuk shikonte dhe nuk dinte të thoshte se çfarë kishte ngjarë”
Silvana Muça
Familjarët e Bujar Barçit, producentit të njohur të filmave shqiptarë, njëkohësisht ish-drejtorit të Kinostudios, kërkojnë dënim maksimal për autorin e krimit. Ata pretendojnë se nuk është aspak e vërtetë që viktima t’i ketë pasur borxhe financiare Halit Shahinit. Gjithashtu thonë se nuk kanë besim se vrasësi do të marrë dënimin e merituar, pasi ish-truproja i një ministri të qeverisë në vitin 2005, ia ka hedhur drejtësisë edhe herë të tjera për mjaft krime të rënda. Sipas të afërmve të 59-vjeçarit të vrarë më 12 shkurt të këtij viti, krimi është bërë me gjakftohtësinë më të madhe.
Vëllai: Autori, gjobëvënës
Vëllai i Bujar Barçit, Agroni, ka përshkruar të gjithë zhvillimin e ngjarjeve të shkurtit të këtij viti. “Gjithçka ka nisur më 11 shkurt 2013. Paraditen e kësaj dite, Halit Shahini ka shkuar në banesën e tim vëllai për të ditur vendndodhjen e Bujarit. Nëna ime i ka treguar me të drejtë se ku mund ta gjente, sepse ata kanë qenë shokë të vjetër bashkë. I është përgjigjur se vëllai ndodhej në lokalin që kishte marrë me qira para disa kohësh. Të nesërmen rreth pasdites ai i ka shkuar te lokali për t’i kërkuar para. Unë e pashë, madje ishte duke biseduar me dikë. U përshëndetëm dhe ika. Si duket ai kishte pritur që të largohesha unë. Pas 10 minutash është futur në lokalin e Bujarit dhe pa bërë asnjë debat, i ka qëlluar në befasi, në pjesën e kokës. I ka qëlluar me gjakftohtësinë më të madhe. Plumbi kishte hyrë në pjesën e pasme të kokës, rrëzë veshit. Ishte nga ata plumbat e vegjël, që mbajnë kryesisht truprojat e zyrtarëve të lartë. Pas krimit, vrasësi, mjaft i qetë, ka shkuar në një lokal të zonës në “Siri Kodra”, që të shohë ndeshjen sportive. Nuk kam qenë në dijeni të mosmarrëveshjeve që im vëlla ka pasur me Shahinin. Shokët më kanë thënë se disa ditë para vrasjes, ai i kishte kërkuar para. Të njëjtën gjë e bënte gjithë andej dhe njerëzit ia jepnin prej frikës. Kohët e fundit kishte ngelur keq me paratë dhe pronari i një shtëpie që ai rrinte, e kishte nxjerrë jashtë, sepse nuk kishte paguar qiranë. Nuk besoj që im vëlla i kishte para borxh atij, pasi do të më kishte thënë dhe ne do e ndihmonim. Pastaj Bujari ishte në gjendje të mirë financiare. Kishte në pronësi një lokal të tijin dhe do e shiste nëse do të ndodhej keq me paratë. Para 10 vjetësh, im vëlla ka pasur një çështje borxhi prej 100 mijë dollarësh. Jam shumë i sigurt që ia ka paguar, sepse disponojmë edhe dokumente. Por Haliti atë punë bënte, kërkonte para sa herë që ngelej keq”, shprehet Agron Barçi.
Motra: Erdhi i plagosur
Motra e të ndjerit, Myzejen Myftari, ka treguar momentet kur Bujari ka shkuar në shtëpi i plagosur. Ata nuk e kanë kuptuar fare që 59-vjeçari ishte qëlluar me plumb në kokë. “Pasditen e 12 shkurtit, Bujari erdhi në shtëpi i shoqëruar me katër shokë. Ai nuk ishte në gjendje që të tregonte se çfarë kishte ndodhur. Plumbi i kishte kaluar zigzag në kokë, duke i shkaktuar çorientime. Si pasojë e kësaj, ai nuk dëgjonte, nuk shikonte dhe nuk dinte të thoshte se çfarë kishte ngjarë. Gjatë gjithë kohës villte. Menduam se ai kishte pirë dhe në gjendje të dehur mund të kishte përplasur kokën. Nuk dyshuam fare se ai ishte qëlluar me pistoletë. Rrëzë veshit ishte një plagë e vogël që rridhte pak gjak. Kur e dërguam në spital, mjekët na thanë se Bujari kishte plumb në pjesën e kokës. Ishte e pamundur që ata të ndërhynin. Pas tetë ditësh u nda nga kjo botë, sikur të mos ishte asgjë”, shprehet e motra e të ndjerit.
Karriera e Barçit
E motra ka folur për karrierën e pasur dhe të suksesshme të producentit. “Im vëlla ka qenë i palodhur për punën. Të gjithë jetën ia dedikoi filmit. Atij njeriu nuk i shteroheshin energjitë. Ishte i habitshëm. Kemi qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe çdo shqetësim që kishte, kërkonte ta ndante me mua. Kohët e fundit po merrej me një projekt, tashmë të lënë përgjysmë. Kishte nisur bashkëpunimin me disa persona të huaj, të cilët do të realizoni një film”, tregon Myftari. Gjithashtu e motra thotë se Barçi nuk ka pasur borxhe, sepse ai ka pasur mjaft prona. “Nëse ai do të kishte borxhe dhe gjendja do të ishte shumë keq, do të shiste lokalin që ka në pronësi të tijin dhe do i mbyllte ato halle. Lëre që ne nuk do ta linim në baltë. Të gjithë jemi në gjendje të mirë ekonomike dhe së bashku do i kishim zgjidhur ato probleme. Halit Shahini e ka vrarë, sepse mendon se do ia hedhë drejtësisë edhe këtë herë. Më kanë thënë se ai ka kryer 3-4 vrasje të tjera, njërës prej të cilave në Angli dhe nuk është dënuar. Nuk do ta lëmë që ai t’ia hedhë lehtë. Do t’i shkojmë çështjes deri në fund”, vijon ajo. Nëna e viktimës, Meremja, thotë që i biri kishte punuar për të gjithë jetën, por nuk arriti që të gëzonte asgjë. “Nuk ka fjalë që ta përshkruaj aktivitetin artistik të tim biri. Jetën ia kishte dedikuar artit dhe ai ka dhënë një kontribut të shkëlqyer në realizimin e shumë filmave. Fëmijëria e tij ka qenë mjaft e pasur dhe të gjithë e donin Bujarin për zgjuarsinë që e karakterizonte. Ahh…! Im bir moj bijë, krijoi shumë gjëra, por nuk gëzoi asgjë. Ndenji tetë ditë në agoni dhe u nda nga kjo jetë para kohe”, thotë nëna e ish-producentit.