Petrit-Vasili-Sekretar-i-Pergjithshem-i-LSIDalja e Lëvizjes Socialiste për Integrim nga koalicioni qeverisës ka sjellë edhe një valë dorëheqjesh nga funksionarë të kësaj partie ditët e fundit.


Mëngjesin e sotëm është dorëhequr nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili. Mësohet se Vasili ka informuar kryebashkiakun Lulzim Basha përmes një letre vendimin për dorëheqjen e tij. Në motivacionin e largimit, Vasili shkruan se dorëheqja vjen për shkak të angazhimit të tij elektoral. Po sot edhe Drejtori i Spitalit të Vlorës, njëherësh kreu i LSI-së në këtë qytet ka dhënë dorëheqjen.


Nëpërmjet një deklarate për mediat, Selami bën me dije se vendimi i tij erdhi pasi mbrëmjen e djeshme ka marrë një shkresë nga Ministria e Shëndetësisë ku i kërkohej të jepte dorëheqjen. Selami thekson se largimi i tij lë pezull 2 projekte të rëndësishme për spitalin që sipas tij do të vijojnë pas 23 qershorit. Tashmë postin e drejtorit të spitalit rajonal të Vlorës do ta mbajë Remzi Haxhiu. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë, që i ka vlerësuar si të pavërteta akuzat e ish-drejtorit Selami. “Shkëlqim Selamit nuk i është kërkuar dorëheqje. Ai nuk është shkarkuar nga ana jonë. Shkarkimi është bërë për rritjen e performancës së spitalit të Vlorës. Qëllimi final, përmirësimi i cilësisë së shërbimit”, thuhet në deklaratë.


Po sot është dorëhequr edhe drejtori i spitalit rajonal në Lezhë Nevruz Bare. Dorëheqjen e tij të parevokueshme, Bare ua ka prezantuar fillimisht mediave, ku ka bërë të ditur se nuk mund të vazhdonte të ishte drejtor i spitalit përsa kohë ka një funksion politik në Lezhë, duke mbajtur pozicionin e nënkryetarit të LSI.


Bare ka mohuar faktin qe vendimi i marrë prej tij të ketë qenë i kushtëzuar, duke shtuar se një situatë e tillë diktohet pas largimit nga mazhoranca me PD dhe kalimi në opozitë.


11 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)