Vendimet
Urdhër Olldashit për verifikimin e ndërtimeve pa leje pas 2006-s
Qeveria ka miratuar dje disa vendime në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit, duke hequr e përgjysmuar taksa, duke ofruar shërbime falas dhe përgatitur terrenin për zgjerimin e gamës së legalizimit të ndërtimeve pa leje.
Me dy vendime të djeshme, Këshilli i Ministrave kaloi për miratim në Parlament heqjen e taksës për shitjen e tokës bujqësore dhe përgjysmimin e taksave për makinat e përdorura.
Duke dhënë sqarime për nismat, Kryeministri Berisha tha në mbledhjen e qeverisë, se “së pari përjashtojmë tokën bujqësore që shitet për qëllime bujqësore nga taksa 10%. Kjo bëhet në mënyrë që të hapet mundësia e tregut të tokës dhe ky treg të jetë sa më i lirë… Së dyti, një vendim tjetër i rëndësishëm për taksat kombëtare është përgjysmim i plotë i taksave për makinat e përdorura dhe ky është një vendim shumë i rëndësishëm, nga i cili përfitojnë ata që kanë më pak dhe mendoj se është një vendim shumë i drejtë.”
Kryeministri bëri të ditur dje edhe vendimin për hapjen e zyrave këshillimore juridike falas në mbështetje të qytetarëve në nevojë, në të gjitha qarqet e vendit.
Gjithashtu, Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar verifikimin ajror të territorit të vendit për kryerjen e legalizimeve për ndërtimet pas vitit 2006. Kërkesa iu drejtua dje ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, për të përgatitur një projektvendim për verifikimin ajror të territorit.
Qeveria miratoi dje edhe një vendim për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe TransAdriatik Pipeline AG, lidhur me projektin e gazsjellësit TAP.