I krijuar njëzet e pesë vjet më parë, ilaçi më i famshëm kundër depresionit ka hyrë në jetën e botës me forcë, duke u kthyer në një kulturë të krijuar përmes marketingut
Tara McKelvey, BBC
Njëzet e pesë vjet pasi Prozak u nxor në treg, ky emër hyri në gjuhën e përditshme, ndërsa ilaçi ka përkufizuar mënyrën se si njerëzit mendojnë për shëndetin mendor.
Në vitet 1990, Prozak arriti atë që shumë pak ilaçe me recetë mjekësore e arrijnë. Ky ilaç u bë modë. Ilaçi mori famë mes laikëve, përgjithësisht për shkak të librit të shumëshitur të Elizabeth Wurtzel, “Kombi Prozak”. Tashmë ai është bërë pjesë e leksikut të çdo dite.
Ilaçi u prezantua në SHBA më 1988 dhe më pas në shumë vende të botës. Që nga ajo kohë, është bërë emri në kod për diskutimin mbi sëmundjet mendore dhe mbi dilemën nëse sëmundje të tilla duhet të trajtohen përmes terapisë së të folurit me një psikolog apo me ilaçe.
“Ishte një lëvizje shumë e mençur”, thotë shkrimtarja Sarah Dunant, bashkëredaktore e një antologjie me ese me titullin “Koha e ankthit”. Ajo vetë ka pasur përvojë me antidepresantët dhe thotë se ato e kanë ndihmuar të kalojë në kohë të vështira.
Ajo beson se Prozak ka pasur pasoja shumë të gjera. “Gjërat nuk janë sot njësoj siç ishin më parë”. Por jo të gjithë janë të lumtur për këtë. “Ajo që e bëri Prozakun të mirë nuk ishte fakti që qe një ilaç i fuqishëm, pasi në fakt ishte i lehtë, por Prozaku pati një marketing shumë të mirë”, thotë David Healy, profesor në Universitetin e Kardifit.
“Reklama na bëri ne të kapërcejmë prirjen për të qenë të kujdesshëm me ilaçet dhe të na bindim se janë të mira”, thotë Healy. Plani i marketingut ishte hileqar. Prodhuesi Eli Lilly mori një kompani të krijuar nga Interbrand dhe synon të distancojë këtë ilaç nga “çdo gjë që zakonisht lidhet me antidepresantët, me kimikatet e forta apo me efektet anësore”.
Prozak – si ilaç apo si koncept – u pranua shpejt. Libri “Kombi Prozak” pati shumë ndjekës. Vetëm gjatë vitit të fundit, ai libër shiti mbi 120 mijë kopje.
Përmes librave dhe filmave, Prozak i dha një pamje pothuajse luksi sëmundjeve mendore në sytë e disa njerëzve. Pasi u publikua “Kombi Prozak”, Wurtzel “shkoi në shtëpi çdo mbrëmje me një burrë të ndryshëm dhe mori heroinë çdo ditë”, shkroi autorja për veten.
Prozak, i cili tashmë është simbol i të gjithë antidepresantëve, ka hyrë edhe në fjalorin e gjuhës angleze. Aty thuhet se njerëzit mund të kenë një “moment prozak”, gjë që nënkupton lumturi të rrufeshme apo harrese. Ata mund të kenë edhe një shots prozaku.
Pra nuk është surprizë që Prozaku është bërë një burim për regjisorë filmash. Në thrillerin psikologjik të Soderbergh “Efekte anësore”, një njujorkez merr pilula kundër depresionit dhe Prozaku përmendet në mënyrë të pashmangshme.
Ilaçi ka hyrë edhe në kulturën popullore dhe në jetët e njerëzve të zakonshme. Sot, europianët dhe amerikanët marrin antidepresantë në afërsisht të njëjtën normë. Më 2010-n, një në dhjetë njerëz në Europë pati konsumuar ilaçe të tilla. Në SHBA, 11 për qind e njerëzve më të mëdhenj se 12 vjeç marrin antidepresantë.
Është e mundur të thuhet se imazhi publik i Prozakut ka ndihmuar pranimin shoqëror të përdorimit të antidepresantëve. Por shumë nga ata që kanë marrë ilaçe të tilla, mund të jenë kritikë për mënyrën se si ato po përdoren. “Qe e gjithë kjo ideja se Prozaku të bën të ndihesh mirë. Unë nuk jam shumë e sigurtë”, thotë Joanna Moncrieff, pedagoge e neuroshkencës në Londër.
Moncrieff punoi për vite me pacientët në një pavijon me 22 krevate në një qendër të shëndetit mendor. “Më është dashur të kaloj shumë kohë në pavijon në përpjekje për të ulur shkallën e përdorimit të ilaçeve”, thotë ajo.
Jo të gjithë duhet të marrin mjekime, mendon Moncrieff. “Nëse njëqind vjet më parë ndodhte që nuk ndiheshe mirë, nuk do të prisje që kjo ndjesi të eliminohej.”
Megjithatë ajo e di se njerëzit do të vijojnë të marrin antidepresantë. Njësoj siç e ndryshoi jetën Viagra dhe ofroi ushqim për shakatë e orëve të vona të natës, Prozaku ka ndryshuar diskursin kombëtar mbi shëndetin mendor.
Shumë ekspertë besojnë se antidepresantët janë të nevojshëm. Ian Anderson, profesor i psikiatrisë në Universitetin e Mançesterit, thotë se njerëzit nuk duhet të ndërmarrin një qëndrim dogmatik ndaj ilaçeve.
“Në fund të fundit, bëhet fjalë për të vijuar të jetosh”, thotë ai. “Kam parë shumë njerëz që vuajnë me depresion dhe kjo nuk më duket e drejtë”.
Dunant thotë se antidepresantët e ndihmuan dikur në një rast ndarjeje të pakëndshme. Ajo thotë se dëshiron që ilaçet që ishin të disponueshme në kohën kur babai i saj, një menaxher në industrinë e fluturimeve ajrore, pësoi një kolaps nervor në vitet 1970. Atij iu desh të kalojë në terapinë me elektroshok.
“Do ta ndihmonin atë të kapërcente rënien tmerruese në errësirë”, thotë ajo.
Shumë njerëz ndihen më mirë kur përdorin ilaçe. Por mekanizmi i saktë nuk është ende i dukshëm. Antidepresantët kanë një efekt në nivelin e serotoninit në tru, një element që duket se ka lidhje me mirëqenien emocionale. Megjithatë marrëdhënia mes serotoninit dhe lumturisë mbetet e paqartë.
“Ne jemi disi të verbër në këtë drejtim”, thotë një studim universitar. Kërkuesit duket se nuk kanë një model të ngjashëm mes kafshëve për të studiuar efektet e ilaçit. “Nuk ekziston ndonjë gjë e tillë si një mi në depresion”.
“Për rrjedhojë, ka disa elementë besimi në rastin kur vendos të marrësh ilaçe”.
Çfarë bën “pilula e lumturisë”?
Shumë antidepresantë mund t’i bëjnë njerëzit të ndihen keq fillimisht, duke shkaktuar të përziera.
Antidepresantët mund të ulin joshjen seksuale.
Pas tre muajsh konsumimi, gjysma e njerëzve me depresion “të moderuar apo të rëndë” do të ndihen më mirë.
Njerëzit që i nënshtrohen terapisë së të folurit për një vit kanë po aq gjasa të ndihen më mirë se sa ata me antidepresantë.
Më 2010-n, një në dhjetë njerëz në Europë pati konsumuar ilaçe të tilla. Në SHBA, 11 për qind e njerëzve më të mëdhenj se 12 vjeç marrin antidepresantë