Shqipëria merr 6 medaljet e para në Europianin e Peshëngritjes në Tiranë


Altin Manallari


Daniel Godelli medalje ari ne Europianin e TiranesDaniel Godelli ka fituar medaljen e artë në stilin e shtytjes për peshën 69 kilogramë në Europianin e Peshëngritjes që po zhvillohet në Tiranë. Gjithashtu, peshëngritësi ynë mori medaljen e bronztë në shkëputje dhe një tjetër medalje të bronztë në dygarësh.


E djeshmja, e cila shënon edhe ditën e tretë të Europianit të Peshëngritjes për të Rritur, që po zhvillohet në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, konsiderohet si dita e madhe për Shqipërinë, e cila do të përfaqësohej me sportistët pretendentë për medalje. Dhe në fund mund të festojë, edhe pse kishte shumë gjëra që mund të ishin bërë më mirë, për të mos e lënë të vetme atë medalje ari të marrë nga Daniel Godelli. I papërmbajtshëm shtangisti kuqezi arriti të ngjitet në podin më të lartë, duke mbajtur mbi supe 180 kilogramë në stilin e shtytjes (4 kg më shumë se vendi i dytë), një shtangë e ngritur për rikthimin e tij si kampion, i mbështetur nga shumë tifozë të pranishëm në “Asllan Rusi”. Nënkupton medalje ari dhe titulli i Kampionit të Europës për të në këtë stil. Në stilin e shkëputjes ai ngriti 145 kg, duke zënë vendin e tretë, pra medalje bronzi. Në dygarësh, Daniel Godelli ka ngritur 325 kg, duke u renditur i treti, me medalje bronzi. Pra, 1 medalje ari dhe dy bronzi, këto kanë qenë tre medaljet e para për Shqipërinë në Kampionatin Europian të Peshëngritjes. Menjëherë më pas, vetë Godelli u shpreh: Jam i lumtur që i dhurova Shqipërisë këtë dhuratë të bukur. Tashmë ndihem krenar që bëra detyrën ndaj vendit tim. Sigurisht që asgjë nuk ka qenë e lehtë. Për këtë arritje dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Peshëngritjes, familjen time dhe të gjithë tifozët që më mbështetën në këtë garë. Mua akoma nuk më besohet. Jam shumë i kënaqur për rezultatin, edhe pse mund të kisha bërë më mirë se kaq. Gjithsesi karrierën e kam përpara dhe besoj se në të ardhmen do të kem mundësi të arrij maksimumin”. Ndërkohë, peshëngritësi tjetër Brikel Calja, pas dështimit në stilin e shkëputjes, ku nuk arriti të ngrejë në asnjë nga tre provat, në stilin e shtytjes ka ngritur 174 kg, duke zënë vendin e katërt. Ka tentuar në provën e fundit të ngrejë 177 kg, por nuk ka arritur dot. Romela Begaj, ashtu si Godelli, ka marrë tri medalje në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, por pa arritur të shkojë te medalja e arit. Në stilin e shkëputjes, ajo ka ngritur 95 kg, po aq sa vendi i parë, por për peshë trupore më të madhe, ka zënë vendin e dytë, duke marrë medaljen e argjendtë. Ndërsa në stilin e shtytjes është renditur e treta, duke ngritur 112 kg dhe duke marrë medalje bronzi. Në dygarësh është renditur e treta dhe për pasojë ka marrë medalje të bronztë. Fetie Kasaj e ka mbyllur në vendin e tretë garimin e saj në Baterinë B për peshën 58 kilogramë.



Romela Begaj – Romela Begaj ka marrë tri medalje në Europianin e Peshëngritjes në peshën 58 kg për femra, por humbi medaljen e arit vetëm për shkak të peshës më të madhe se Alena Çyçkan


Brikel Calja – Brikel Calja, pas dështimit në stilin e shkëputjes, ku dështoi në të tri provat, në stilin e shtytjes ka ngritur 174 kg, duke zënë vendin e katërt në peshën 69 kg


Fetije Kasaj – Një rezultat pozitiv mund të konsiderohet edhe ai i peshëngritëses Fetije Kasaj, e cila e ka mbyllur në vendin e tretë garimin e saj në Baterinë B për peshën 58 kilogramë


Daniel Godelli – Daniel Godelli ka fituar medaljen e artë në stilin e shtytjes në peshën 69 kilogramë, të cilës i shtoi edhe medaljen e bronztë në shkëputje dhe atë të bronztë në dygarësh. “Ende nuk e besoj as vetë, jam i kënaqur që i kam bërë këtë dhuratë të bukur Shqipërisë”, tha Godelli në fund