Qeveria e majtë urdhëron të bardhët të largohen dhe të lirojnë tokat për indigjenët
Damião Paridzané ishte nëntë vjeç në vitin 1966 kur një avion i forcave ajrore të Brazilit e ngarkoi atë dhe qindra bashkëkombës të tij nga fisi Ksavantes në një avion mallrash. Qeveria ishte e uritur për të hapur një tokë pjellore nën kontrollin e indianëve në Brazilin Qendror për bujqësi. Ajo i dërgoi ata 250 kilometra më larg në një rezervat të ri. Paridzané thotë se shumë nga shokët e tij vdiqën nga sëmundjet ndërsa të tjerë u përplasën me fise rivale që ishin dërguar me detyrim në të njëjtën zonë.
Gati gjysmë shekulli pas përzënies së dhunshme, Ksavantes janë kthyer. Paridzané tashmë është shefi i tyre. Sot është koha e “të bardhëve” që të largohen me detyrim. Ndërsa qeveria e presidentes Dilma Rousseff përpiqet të përballet me të këqijat e së shkuarës, ajo ka përzënë rreth 7 mijë fermerë e banorë të tjerë për t’ia kthyer tokën indianëve që e kishin më parë.
Por kjo nuk është një histori tërësisht me fund të lumtur. Përplasje të dhunshme kanë shpërthyer. Fermerët e kanë kundërshtuar urdhrin e largimit para gjykatës së lartë. Qyteza që ata kanë lënë pas është rrënuar.
Konflikti vë në dukje rrezikun e të qenët një superfuqi bujqësore e qeverisur nga një qeveri e majtë që po përpiqet të zgjidhë mosmarrëveshjet shumëshekullore etnike mbi pronësinë e tokës, nga ku vjen shumica e pasurisë së kombit.
Më shumë se 100 vjet pasi Shtetet e Bashkuara nxorën nga rezervatet indianët e vet, Brazili është një nga vendet e fundit në Amerikë që është ende duke ndarë se kujt i takon toka. Por qeveria e Rousseff ka shkuar një hap më tutje, duke përzënë jo-indianët nga territori i indigjenëve.
Sasia e territorit në diskutim është relativisht e vogël. Dhe Brazili në përgjithësi ka një histori të mirë të mbrojtjes së të drejtave të pronësisë për banorët vendës dhe të huaj. Megjithatë lobi i bujqësisë në shkallë industriale ka frikë se praktika e rikthimit të indianëve mund të fuqizohet, ndërkohë që fermerët dhe minatorët shtyjnë gjithnjë e më thellë në xhunglën e Amazonës, ku disa fise nuk kanë kurrë kontakt me botën e jashtme. Qeveritë në të gjithë Amerikën Latine e kanë pasur të vështirë të balancojnë nevojën akute për zhvillim ekonomik me të drejtat e indigjenëve, të cilët përbëjnë rreth 10 për qind të popullatës së rajonit.
Gjatë viteve të fundit, indigjenët janë treguar më të fuqishëm politikisht. Më 2009-n, Brazili pastroi fermerët e orizit nga një sipërfaqe gjigante prej 1.68 milionë hektarësh pranë kufirit me Venezuelën dhe ia dha atë indianëve.
Por përplasjet mbi të drejtat e pronësisë në Peru kanë shkaktuar më shumë se 100 të vdekur gjatë viteve të fundit. Protestat e indigjenëve kanë vonuar plane për miniera dhe rrugë në Ekuador dhe Bolivi. Në vende të tjera në Brazil, protestat nga fiset e Amazonës kanë vonuar një nga projektet më të dashura të Rousseff, një kompleks të stërmadh hidroenergjetik.
Por vendosja e drejtësisë për padrejtësitë e së shkuarës pritet të ketë një kosto në ekonominë bujqësore të Brazilit, thonë lobuesit e fermerëve. Brazili është sot eksportuesi kryesor në botë për ushqime. Ata thonë se rritja e prodhimit ushqimor është një çështje e rëndësishme jo vetëm për ekonominë e Brazilit, por edhe për të ushqyer popullatën në rritje të botës.