Nga Bosnja ku ndodhet në një vizitë me komisionerin Stefan Fyle, zëdhënësi i tij, Peter Stano, në një intervistë telefonike për “Top Channel” deklaroi qëndrimin e Komisionit Europian që po ndjek me shume shqetësim ngjarjet e fundit me tentativat për shkarkimin dhe zëvendësimin e një prej komisionerëve të tij.
Peter Stano nënvizoi faktin se sipas Kodit Zgjedhor shqiptar, organet e administrimit të zgjedhjeve duhen shkarkuar nga detyra në një mënyrë profesionale dhe të paanshme. Ato duhet të funksionojnë pa pengesa dhe në një mënyrë transparente e jo partizane.
’’Ne jemi duke e ndjekur nga afër situatën që po ndodh me KQZ. Komisioni Europian dëshiron të theksojë, se sipas Kodit Zgjedhor në Shqipëri, administrata zgjedhore duhet të mbahet larg nga veprime që cenojnë pavarësinë e saj. Ky komision duhet të operojë qetësisht dhe në mënyrë transparente, jo në mënyra partizane. Duhet të garantohet pavarësia e KQZ-së, pasi anëtarët e zgjedhur janë betuar të jenë si jo të njëanshëm dhe të pavarur. Të gjitha palët politike kanë detyrimin të sigurojnë kredibilitetin e KQZ-së, duke garantuar po ashtu edhe besueshmërinë e këtij komisioni tek publiku. Marrëveshja e arritur në Kodin Zgjedhor vitin e shkuar, ishte një sinjal i qartë njëkohësisht provë e një konsensusi të pastër mes qeverisë dhe opozitës për ta çuar vendin përpara drejt rrugës europiane. Ne u bëjmë thirrje në mënyrë urgjente të gjithë aktorëve të politikës shqiptare që të përsërisin këtë konsensus, pasi kjo është në të mirë të vendit dhe qytetarëve”, deklaroi Stano.
Zëdhënësi theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 23 qershorit jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vlerësimin që do të japin vendet anëtare të BE-së.
“Zgjedhjet, sigurisht edhe fushata elektorale do të duhet të tregojnë një shenjë tjetër maturie të funksionimit të demokracisë në Shqipëri. E gjitha kjo do të jetë objekt vlerësimi nga vendet anëtare kur ato të marrin një vendim për Shqipërinë, gjatë procesit të negociatave për zgjerim”, tha Stano.
11 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)