Guvernatori i BSH mbledh Këshillin Mbikëqyrës për paketën me propozimet


Banka e ShqiperiseFshirja nga bilanci i bankave për zërin “kredi me probleme”, pikërisht pjesën e atyre huave që vlerësohen të humbura, konsiderohet një hap përpara drejt lirimit të financimit për ekonominë. Në kuadër të paketës me masat e propozuara nga guvernatori, një pjesë e të cilave janë miratuar nga Këshilli Mbikëqyrës, “oferta” e pastrimit të bilanceve nga kreditë e këqija ka hasur shumë diskutime dhe paqartësi. Ideja është hedhur për herë të parë në grupin këshillimor të stabilitetit financiar, kryesuar nga ministri i Financave, në bashkëpunim me guvernatorin e BSH-së, gjatë takimit zhvilluar më datë 2 prill.


Ishin përfaqësuesit e Bankës së Shqipërisë që theksuan në atë takim rëndësinë e fshirjes së kredive të humbura nga bilanci i bankave. Më pas, kjo ide u prezantua dy ditë më parë nga vetë guvernatori në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku sipas të cilit, fshirja e kredive me probleme në bilancin e bankave, pra zerimi i tyre, do të zhbllokonte situatën.


“Ky proces pastron bilancin e bankave nga asete që nuk performojnë, që deformojnë strukturën dhe cilësinë e bilancit, si edhe që angazhojnë në mënyrë joeficente burime të vlefshme të bankës. Më tej, ky është një veprim që vendos në një raport më të drejtë marrëdhëniet financiare që bizneset dhe familjet kanë me bankat dhe me njëri-tjetrin për sa i takon transparencës së gjendjes financiare, duke nxitur ristrukturimet e ndryshme në treg”, sqaron më tej BSH-ja në një nga njoftimet e fundit të këtyre ditëve plot debate.


Po çfarë synohet ose çfarë do të thotë “fshirja e kredisë së pashlyer nga bilanci”, kush përfiton dhe kush humbet, janë disa nga pikëpyetjet që edhe vetë bankierët apo aktorët e tregut nuk e kanë ende të qartë. Sipas asaj çfarë mendon BSH-ja, në rastet kur kreditori ka humbur jetën dhe banka e ka të pamundur të rikuperojë huan, pasi i ka përfunduar të gjitha rrugët, ky detyrim fshihet, pra bëhet zero. Edhe në rast se biznesi ka falimentuar dhe nuk ka se çfarë të ofrojë më për të shlyer kredinë, ndërsa banka i ka ezauruar rrugët e vjeljes së huas, atëherë mendohet të fshihet. Për këtë biznes nis një tjetër histori me bankën, një tjetër mundësi rikuperimi etj. Këto mbeten në kuadër të diskutimeve, pasi bankat do të vazhdojnë t’i vjelin kreditë dhe nuk do të reshtin për t’i mbledhur ato.


Fshirja nga bilanci i kredive me probleme çliron bankat nga detyrimi tatimor. Pra, kjo nismë i ndihmon ata, dhe pikërisht kjo pjesë vijon të mbetet në diskutim me Ministrinë e Financave.


Sakaq, grupi këshillimor i stabilitetit financiar thekson rëndësinë e fshirjes së kredive të humbura nga bilanci i bankave në kohën dhe mënyrën e përshtatshme. “Ata rekomanduan që përmes një bashkëpunimi ndërinstitucional, të evidentohet saktë problematika me të cilën ndeshet ky proces, për shkak të trajtimit tatimor dhe të propozohen mënyrat e zgjidhjes së tyre në një kohë të shkurtër”, thotë BSH-ja. Megjithatë, deri ku do të shtrihet reforma e fshirjes së kredive të pashlyera nga bilanci i bankave, kjo mbetet për t’u sqaruar më hollësisht nga banka qendrore, pasi tek individët ka konfuzion.


A.Kola