Kuvendi i ShqiperiseNis me tre orë vonesë seanca plenare e Kuvendit, e paralajmëruar për në orën 10:00. Sot pritej që të kalonte për votim vendimi i marrë dje në Komisionin e Ligjeve për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho, përfaqësues i LSI-së. Por në fillim të seancës, u lajmërua se votimi shtyhet për ditën e hënë. Në fillim kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli paraqiti rendin e ditës pa dhënë justifikime për shtyrjen prej tre orësh e gjysmë të seancës. Ajo tha se ka pasur një konferencë kryetarësh ku është diskutuar kalendari dhe është miratuar me konsensus.


Herët në mëngjes Partia Socialiste ka vendosur në mbledhjen e grupit parlamentar të kundërshtojë vendimin e marrë nga Komisioni i Ligjeve një ditë më parë. Më herët, deputeti i LSI, Lefter Koka theksoi se situata politike është tensionuar tepër. Sipas tij nisma e PD është antikushtetuese.


“Zëvendësimi që po bëhet me kërkesë të PD, është një veprim i paprecedent, i rrezikshëm që tensionon procesin zgjedhor, antikushtetues. Në Kodin Zgjedhor është përcaktuar qartë kur bëhet zëvendësimi i anëtarëve të KQZ. Kjo tregon se, nesër mazhoranca mund të ndërrojë gjithë anëtarët nëse do. Bëj thirrje që mazhoranca të bëjë zgjedhjet e duhura, të mos krijojë tensione artificiale. Aktualisht mes partive politike ka një gjendje tensioni shumë të lartë, uroj të mos ndodhë diçka e paparashikuar. Unë besoj se respektimi i Kodit Zgjedhor është thelbësor dhe ligjvënësi duhet të respektojë KQZ. Unë besoj se është një fenomen tashmë i njohur. Sa kohë që kryeministri është në politikë nuk mendohet çdo ndodhë por çka në mendjen e tij. Ai gjithmonë ka krijuar trazira”, ka thënë.


Ndërsa kreu i LSI, Ilir Meta i pyetur nga gazetarët jashtë dyerve të parlamentit rreth zëvendësimit të anëtarit të LSI në KQZ komentoi shkurt se: “Ne kemi një sjellje politike prej diversantësh”.


Ndërkohë kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule u shpreh se zëvendësimi i anëtarit të KQZ-së është non sens dhe kryekëput jo ligjor. Ai vlerësoi se kjo është një minë me sahat. Ndërkohë ish-deputeti i PS-së Asllan Dogjani dhe deputetët e PDIU-së janë shprehur se do të votojnë pro vendimit të Komisionit të Ligjeve. Pritet që të shihet nëse të hënën, mazhoranca do të ketë votat e mjaftueshme për të  miratuar shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho.


Batutat e Topallit me opozitën


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli nuk i ka kursyer ironitë për opozitën duke u kujtuar përvjetorin e vdekjes së Enver Hoxhës.


“Sot ditëlindjen nuk e ka vetëm Ruli në fakt. Sot keni përvjetorin e vdekjes së Enver Hoxhës dhe meqë e keni përvjetor t’i votojmë 3 ligjet. Çojini edhe kurora te varri, por votojmë edhe tre ligjet. Vetëm mos qani. Mos qani”,- iu është drejtuar ajo deputetëve socialistë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi, i cili ka deklaruar: “Zonja kryetare, është e dyta herë që provokon opozitën. Tani unë po vrisja mendjen që në një seancë kaq të tensionuar, për një çështje kaq të rëndësishme, që ju tentuat ta bëni fakt të kryer, ku është kryeministri? Tani e mora vesh se  doktori kryeministër mendon se Enveri është gjallë”.


Topalli i është përgjigjur duke thënë se Berisha është në bashkëbisedim me qytetarët. “Por unë ju shikoj sot shumë të mërzitur. Qani. Keni bërë gati kurorat. A prisni vizita?”, ka thënë ajo, duke vazhduar më tej ironinë me deputetin socialist Saimir Tahiri.


“Ti Saimir zgjidhe njëherë ligjin me mamin dhe babin. Zbatoje njëherë ligjin kur e shkel mami dhe babi”.


 


Miratohet me konsensus ligji për përmirësimin e statusit të gjyqtarëve


Në seancën plenare është votuar me shumicë votash projektligji për përmirësimin e statusit të gjyqtarit, që parashikon rritje të pagave të gjyqtarëve. “U miratua me konsensus ligji për përmirësimin e statusit të gjyqtarëve. Është një ditë e mirë dhe mesazh i qartë që i japim sistemit të drejtësisë. Me miratimin e këtij ligji gjyqtarët nuk do kenë vetëm një pagë mbi 1 milion lekë, por edhe përmirësim të statusit. Një pagë më e mirë për gjyqtarët do thotë një rezistencë më shumë për devijancat që mund të kenë si dhe konsolidim të sistemit të drejtësisë”,- tha Halimi pas daljes nga Kuvendi.


11 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)