Debate të ashpra në Komisionin e Ligjeve. PD voton emrat e Zgurit e Çobos si emra të PR-së
BLEDAR HOTI
Në mes debateve të ashpra dhe me procedurë të përshpejtuar, Komisioni i Ligjeve miratoi shkarkimin e anëtarit të propozuar nga LSI-ja në KQZ, Ilirjan Muho, si dhe ka propozuar për këtë post dy emrat e paraqitur zyrtarisht nga kreu i PR-së, Klement Zguri, dhe Patriot Çobo. Komisioni Parlamentar i Ligjeve u mblodh pas një shkrese të kreut të grupit të PD-së, Astrit Patozi, në orën 14:30. “Kjo situatë paligjshmërie, ku e gjithë administrata kontrollohet nga një krah i spektrit politik, dërrmon shtyllën kurrizore të procesit të përgatitjes së zgjedhjeve, votimit, numërimit të shpalljes së rezultateve, dhe shuan shpresat për një proces të ndershëm të shqyrtimit të ankesave zgjedhore nga administrata zgjedhore. Prishja e kësaj baraspeshe kërcënon drejtpërdrejt zhvillimin e zgjedhjeve, mbarëvajtjen e procesit dhe/apo të drejtat e garancitë e palëve në proces, sipas ligjit. Prishja e kësaj baraspeshe është përmbysje e sistemit ligjor të menaxhimit të zgjedhjeve. Prishja e baraspeshës, në formën si është realizuar me zhvillimet e fundit politike, është paralajmërim i manipulimit. Aleanca e lidhur me këtë qëllim është provë e platformës për manipulim, prandaj, ndërhyrja në mbrojtje të ligjit dhe të parimit themelor të tij duhet bërë e menjëhershme, pa hezitim dhe me vendosmëri të plotë”, shkruan Patozi në kërkesën e tij. Pas paraqitjes së kësaj nisme nga demokrati Gent Strazimiri, fjalën e ka marrë nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, socialisti Fatmir Xhafaj, duke e cilësuar si një precedent të rrezikshëm për demokracinë shqiptare. “Kërkesa e PD-së është një skandal, nuk ka një nen të Kodit Zgjedhor që t’i referohet. Ky është një precedent, sipas të cilit, kur ne të vijmë në pushtet, t’i fshijmë institucionet. Po ndërprisni në mënyrë të dhunshme mandatin e anëtarit të KQZ-së, duke marrë për bazë nenin 14 që është zgjedhja, jo shkarkimi. Kjo është një njollë turpi për proceset zgjedhore, kush luan me votën e popullit, luan me jetën e tij”, është shprehur deputeti socialist, Fatmir Xhafaj. Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri, deklaroi se “i vetmi argument që po jepet nga kjo mazhorancë është dërrmimi i shtyllës kurrizore të frymës së Kodit Zgjedhor apo institucioneve zgjedhore. Po dërrmohet shtylla kurrizore e shtetit, Kuvendi po kthehet në xhelat. Beriasha po bën njësoj si Hitleri, po jep urdhër dhe ekzekuton një anëtar të një institucioni të pavarur, pa asnjë shkak ligjor, sepse nuk ka. Sepse të gjithë e dinë, ABC-ja e zgjedhjeve të lira e të ndershme është KQZ-ja e pavarur nga politika, me mandat të plotë gjashtëvjeçar. Pushtetin po e përqendrojmë në një dorë. Këtu po i vini shkelmin procesit zgjedhor. Çmimin do ta merrni vetë. Po hidhni dorashkën në një konflikt të hapur me popullin. Asgjë nuk e pengon fitoren, por precedenti është shumë i rrezikshëm. Zgjedhjet i njollosët, i prishët, i qelbët përpara se ta lini”. Socialisti Pandeli Majko u shpreh se “pak ditë më parë, Kuvendi votoi ndryshimet në qeveri. Berisha mori një mandat tjetër. Po a e dini ju që qeveria mbahet në pushtet nga katër vota të PS-së. Nëse ecim me këtë logjikë, i bie që të kemi një kryeministër antikushtetues, sepse mbahet me 4 vota që i takojnë PS-së. E gjithë kjo histori e bën marrëdhënien e votuesit me qeverinë tuaj, një problem shumë të madh. Grusht shteti është edhe një mënyrë për të manipuluar zgjedhjet. Kjo që po bëni është mënyra më e hapur për t’u thënë njerëzve se në këtë vend s’ka ligj, s’ka Kushtetutë. Është rruga më e gabuar për t’u larguar nga pushteti”. Demokratët, nga ana e tyre, e cilësuan këtë si një përpjekje e PS-së për të manipuluar zgjedhjet nga opozita. “Jam i befasuar më shumë nga Majko. Dëgjova thënie nga më të ndryshmet, skenarë ogurzinj, Hitleri etj. Çfarë kërkoni ju? Baraspeshë. Po ajo është fryma e Kodit Zgjedhor të votuar nga ju. Si na akuzoni për skenarë ogurzinj, kur ky skenar qëndron te ju. Rezultatin e vendos vota e popullit, jo nën tavolinë në gjirin e Lalëzit, duke ngrënë ngjala”, tha demokrati Fatos Hoxha. Demokrati Dashnor Sulaj u shpreh se “do t’u thosha deputetëve të opozitës, pa dashur t’i fyej, gjithnjë nëse janë të vërteta nga titujt e gazetave, që Majko të heshtë, sepse nuk mund t’i thotë dot derrit dajë, por sot po i thotë edhe hallë. Më vjen keq, por qëndrimi i zotit Xhafaj sot ishte një kërcënim i hapur për deputetët e komisionit dhe gjithë qytetarëve shqiptarë, që tha dhe kërcënoi hapur se do të mbani përgjegjësi me jetën tuaj personale. Shyqyr që nuk na kërcënoi dhe nuk do të na vrasi dhe familjarët tanë, të paktën do të na vrasë vetëm neve. U kthye viti ‘97. Një sjellje e tillë nuk e ndihmon ambientin tonë politik”. Demokrati Hoxha doli kundër diskutimit të deputetit të PS-së, Sajmir Tahiri, duke bërë më pas replika mes deputetëve. Ndërsa kryekomisioneri Rusmali ka theksuar se gjithçka erdhi pas deklaratës publike të Edi Ramës, se pas bashkimit me LSI-në, komisionet drejtohen nga opozita. “Marrëveshja juaj ishte që me LSI-në do të marrim kontrollin e KQZ-së. Kjo ju çon vetëm te manipulimi, dhuna dhe arbitrariteti. Të gjitha këto janë armike të procesit zgjedhor”, deklaroi Rusmali. Me 13 vota pro dhe 10 kundër të PS-së, Komisioni i Ligjeve vendosi për lirimin e Ilirjan Muhos. Ndërsa po realizohej ky shkarkim, në zyrën e protokollit, sekretari i përgjithshëm i PR-së, Arjan Madhi, depozitoi kërkesën për dy emrat e anëtarëve të KQZ-së. Kryekomisioneri Rusmali bëri të ditur vazhdimin e mbledhjes, por opozita u largua nga seanca, ku parashikohej shqyrtimi i dy kandidatëve të PR-së, Klement Zguri dhe Patriot Çobo, për anëtar të KQZ-së. Këta dy emra për në seancë u miratuan me 14 vota pro të deputetëve të PD-së.
Tensioni
Mbledhja e komisionit ka qenë e tensionuar, ku debatet nuk kanë munguar mes demokratit Fatos Hoxha dhe socialistit Sajmir Tahiri, apo mes Dashnor Sulajt me Xhafajn, Bashkim Finon apo dhe me Shega Ligorin