PDIU s’ka vendosur çdo të bëjë. Rrezikohet kuorumi në seancë


Protesta – Atmosferës së nxehtë në sallën brenda Parlamentit do t’i shtohet nesër edhe protesta që PDIU-ja do të zhvillojë në hyrje të Parlamentit për rezolutën e çështjes çame.


Tonet – Deklaratat e një dite më parë pritet të egërsohen sot në sallën e seancave plenare. Duket se situata, në dukje e qetë parazgjedhore, do të marrë një kthesë tjetër.


Fatjona Mejdini


Ylli Manjani & Ilir MetaNjë përplasje e fortë pritet të jetë seanca e sotme e Kuvendit, ku LSI-ja paralajmëron bllokadë në lidhje me zëvendësimin e anëtarit të saj në KQZ. Por çfarë do të ndodhë? Plani konkret mbahet sekret nga partia e Metës, por nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, deklaroi dje në mbrëmje, se do të ketë një veprim energjik. Në rendin e ditës pritet të jetë shkarkimi i anëtarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe kjo pritet të sjellë jo vetëm matje forcash numerike, por edhe debate të ashpra në sallën e Parlamentit. Kjo situatë u paralajmërua dje nga deklaratat e ashpra të përfaqësuesve të partive të përfshira në këtë trekëndësh, PD-së, LSI-së dhe PS-së. Por më shumë se një çështje e thjeshtë politike, çështja e anëtarit të LSI-së në Parlament është përplasja e parë serioze e dy ish-aleatëve, PD-së dhe LSI-së, dhe një sfidë sesa drejtuesit e këtyre partive do të arrijnë të ruajnë tonët e premtuara të “xhentilesës” politike. Me tone të ashpra dhe kërcënuese, nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, e paralajmëroi mazhorancën e Sali Berishës të hiqte dorë nga kjo shkelje shumë e rëndë e Kodit Zgjedhor dhe se opozita do ta përshkallëzonte qëndrimin e saj. Këtë qëndrim LSI-ja e përforcoi dhe me një letër ankuese të dërguar te krerët e diplomacisë perëndimore në Tiranë. Por pak orë më vonë, Kryeministri Berisha, nga një mbledhje teknike me drejtuesit lokalë të PD-së, shfrytëzoi rastin për të bërë të qartë se mazhoranca ishte e vendosur për ta bërë këtë zëvendësim, pasi minoranca nuk mund të kishte shumicën bllokuese në KQZ. Berisha e quajti këtë lëvizje thjesht një korrektim të nevojshëm, duke shtuar se kreu i PS-së, Edi Rama, pasi kishte dështuar në dëshirën e tij për të rrëzuar qeverinë, po dështonte edhe një herë tjetër.


Vota


Por më shumë se deklaratat e ashpra politike, ajo që pritet të vendosë sot në seancë plenare është vota. Pavarësisht faktit se opozita në Parlament është shtuar në numër, duke llogaritur këtu dhe votat e katër deputetëve të LSI-së, votimi i fundit në Parlament tregoi se ishin tre deputetë të opozitës: Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Gjovalin Kadeli, të cilët dhanë votën e tyre pro mazhorancës. Sipas mazhorancës, shkarkimi i anëtarit të KQZ-së ka nevojë vetëm për një shumicë të thjeshtë votash në Parlament, pra miratohet me shumicën e deputetëve që marrin pjesë në votim. Por për të hapur votimin, kërkohen 71 vota deputetësh dhe një bojkot i grupit parlamentar të PS-së dhe atij të LSI-së do ta bënte tepër decizive rolin e deputetëve rebelë socialistë, por edhe ato të dy deputetëve të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, të cilët janë jashtë tensionit për këtë çështje.


LSI-ja


Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, ka theksuar pasditen e djeshme, se opozita nuk kishte ndërmend ta toleronte këtë lojë politike që po kryhej nga PD-ja. Sipas Manjanit, kjo që kërkonte të bënte PD-ja ishte një shkelje shumë e rëndë e Kodit Zgjedhor, i cili rrezikonte integritetin e zgjedhjeve. “Nuk është kërkesë e Partisë Republikane që të kalohet në këtë gjest politik, që është një lojë e PD-së, e cila ka ngelur që tani në zgjedhje. Vazhdoj të insistoj se prekja në kushtetutshmërinë e legjitimitetit është prekje e zgjedhjeve. Këta e bëjnë që të imponojnë nesër çdo votë që ka të bëjë me zgjedhjet. Legjitimiteti i zgjedhjeve është tërësisht i dyshimtë, është detyrë e opozitës që vetëm për shkak të numrave të rikthejë sa më shpejt të jetë e mundur legjitimitetin. Ka ende kohë për PD-në të reflektojë. Shkelje shumë e rëndë e Kodit Zgjedhor”, theksoi Manjani, duke shtuar se anëtarët e KQZ-së rrëzohen vetëm nga parashtrimet që jep për ta Kodi Zgjedhor dhe jo partitë politike.


 


 


Pjesë e letrës së LSI-së dërguar ambasadorëve:


LSI-ja do të reagojë politikisht e në mënyrë proporcionale dhe do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për bllokimin e këtij akti të dhunshëm e shqetësues politik. Ne nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që politika të ndërhyjë në çështjet e brendshme të KQZ-së dhe nuk do të tolerojmë asnjë tentativë për komprometimin dhe manipulimin e procesit zgjedhor.


Situata është jashtëzakonisht kritike dhe mund të minojë legjitimitetin dhe integritetin e të tërë procesit.


LSI-ja shpreson në mirëkuptimin tuaj dhe në angazhimin e menjëhershëm aktiv në funksion të parandalimit të përshkallëzimit të situatës dhe në interes të ruajtjes së standardeve të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit.


 


PBDNJ: Po manipulohen zgjedhjet 


PBDNJ-ja, partia e drejtuar nga Vangjel Dule, paralajmëron se zgjedhjet e 23 qershorit po vihen në rrezik serioz. Precedenti më i dhunshëm i ndërmarrë nga mazhoranca, deklaroi PBDNJ-ja, është tentativa për ndërprerjen para kohe të mandatit të një anëtari të KQZ-së, zgjedhur para pak muajsh. “Ne e konsiderojmë këtë nismë si antikushtetuese, antiligjore dhe si precedent të rrezikshëm për tensionimin e situatës parazgjedhore në vend”, tha përfaqësuesi i partisë së minoritetit grek, Ligoraq Karamelo.