Universiteti 


Provimet me zgjedhje, kusht për të studiuar në privat. Duhet t’i japin edhe ish-maturantët


Shpresa Mezini


maturantetProvimet e maturës janë kushti kryesor që duhet të përmbushin maturantët për të qenë studentë në një prej fakulteteve të vendit. Kjo nuk vlen vetëm për universitetet publike, por edhe për ato private, të cilat deri më tani i kanë pranuar kandidatët pa notat e provimeve me zgjedhje. Nisur nga urdhri më i fundit i firmosur nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, rezulton se privatët nuk do të jenë më të privilegjuar si më parë. Sipas tij, edhe këto institucione të arsimit të lartë në vend janë të detyruara që pranimet t’i bëjnë vetëm pasi nxënësi të dorëzojë 4 notat e provimeve të maturës, 2 me detyrim dhe 2 me zgjedhje. Përndryshe mësohet se aplikimi do të quhet i pavlefshëm. Mirëpo në urdhrin e fundit të MASH thuhet se zhvillimi i provimeve me zgjedhje është kusht edhe për aplikimet në sistemin part-time.


“Vendimi për përfshirjen e provimeve me zgjedhje është domosdoshmëri për rëndësinë që ka në kompleks procesi i Maturës Shtetërore, por edhe si një formë që nxit jo vetëm mësimin e lëndëve bazë, por edhe të atyre me zgjedhje, siç janë gjuhët e huaja, fizika, gjeografia, kimia, historia apo biologjia”, sqarojnë specialistët e arsimit për gazetën “Shqip”.


Kështu, nëse gjatë viteve të mëparshme, nxënësit që kanë dëshiruar të regjistrohen në universitetet private apo në fakultetet me kohë të pjesshme, nuk i kanë zhvilluar provimet me zgjedhje, mësohet se sivjet praktika do të ndryshojë.


Urdhri


Të gjithë të rinjtë, të cilët deri më tani nuk u janë nënshtruar provimeve me zgjedhje, pasi në universitetet private i kanë pasur dyert e hapura, ndonëse në mungesë të rezultateve të dy testeve, sivjet do të “ndëshkohen”. Kjo, për shkak se duke nisur nga ky vit akademik e në vazhdim, kriteri kryesor për t’u regjistruar në universitetet private do të jetë i njëjtë si për shtetin edhe për privatin, si për sistemin me kohë të plotë edhe për atë me kohë të pjesshme.


“Ky kusht do të jetë i njëjtë edhe për ata që e kanë përfunduar arsimin e mesëm gjatë viteve të kaluara, edhe për ata që nuk e kanë përmbyllur arsimin e mesëm nëpërmjet procesit të maturës. Ata mund të jenë të diplomuarit e këtij viti shkollor, ata mund të jenë të diplomuarit e viteve të kaluara, ata mund të kenë një dëftesë pjekurie, por si kusht është që bashkë me dëftesën e pjekurisë të jenë të pajisur edhe me një certifikatë që jepet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve për vlefshmërinë e provimeve me zgjedhje që ata kanë dhënë në provimin e Maturës Shtetërore”, tha drejtori i Arsimit Privat në MASH, Alfred Mullai. Sipas tij, verifikimi i dokumenteve të kandidatëve që shkojnë për regjistrim do të jetë i imtësishëm, me qëllim numërimin e të gjitha elementeve të nevojshme për të kryer këtë veprim, ku për herë të parë, sivjet do të listohen edhe notat e marra në dy testet me zgjedhje.


Ndëshkimi


Sipas Mullait, në rast se vërehen nxënës, të cilët rezultojnë se nuk i kanë zhvilluar testet me zgjedhje, do të ndërpritet procesi i regjistrimit, ndëshkim që i përjashton ata si nga universitetet shtetërore, edhe nga ato private.


“Monitorimi fillon pikërisht nga regjistrimet dhe nga regjistri bazë ose i ashtuquajtur amza dhe aty çdo student i regjistruar ka dosjen e tij. Kusht është që kjo dosje të jetë e plotë, në mënyrë që të ndiqen procedurat e tjera për regjistrimin e tij”, theksoi Mullai. Sipas tij, masa penalizuese nuk do të merren vetëm kundrejt nxënësve, të cilët do të humbasin të drejtën e studimit, por edhe ndaj universiteteve private. Kështu, mësohet se në rast se do të regjistrohen nxënës që nuk figurojnë të kenë zhvilluar të gjitha provimet e maturës, për shkelësit masat do të jenë edhe më të rrepta, deri në pezullimin e licencës për të ushtruar aktivitetin.