Qarku i Fierit
Me largimin e LSI-së nga koalicioni i të djathtës, Shehu nuk arrin të mbledhë shumicën
Kreu u LSI-së për Fierin tha se do të shqyrtojë se çfarë do të bëjnë me këshillin e qarkut
Edmond Hoxhaj
Këshilli i Qarkut të Fierit pritet që së shpejti të ketë në krye kryetarin e majtë të zgjedhur më 21 shtator 2011, Vangjel Ndreka. Kjo, pasi pas koalicionit parazgjedhor të PS-së me LSI-në, kryetari i djathtë i Qarkut Fier, Artur Shehu, nuk mund ta ketë më mazhorancën minimale prej 49 anëtarësh që nevojitet për të mbledhur këshillin, të cilën ai ka pretenduar se e ka arritur gjatë mbledhjeve të fundit. Lidhur me këtë fakt, është prononcuar për gazetën “Shqip” kryetari i PS-së së Fierit, Andjus Olldashi, i cili i ka bërë thirrje Shehut që të largohet nga posti. “I bëj thirrje z. Artur Shehu që të largohet nga posti që mban në mënyrë të paligjshme. Tashmë atij i ka humbur edhe mazhoranca që ai pretendonte dikur. Sido që t’i numërojë anëtarët e këshillit të qarkut, edhe me ata të ndryshuarit në mënyrë të paligjshme, ai nuk e arrin dot më numrin magjik 49. Ka qenë vetë z. Artur Shehu ai i cili ka deklaruar më parë para mediave se në momentin që nuk do të arrinte të mblidhte mazhorancën e anëtarëve të qarkut do të dorëhiqej. Në mbledhjen e fundit që z. Artur Shehu ka zhvilluar në një ambient privat, ka pretenduar se ka pasur në sallë 49 këshilltarët e nevojshëm, edhe pse nëntë prej tyre ishin cilësuar si të paligjshëm me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe disa të tjerë nuk kanë qenë të pranishëm. Tashmë, me largimin e LSI-së nga koalicioni me PD-në dhe bashkimin me të majtën, z. Artur Shehu i kanë firuar disa anëtarë të listës së tij të paligjshme. Kështu, dy kryetarë njësish vendore që i përkasin LSI-së, të cilët janë automatikisht anëtarë të Këshillit të Qarkut, bëjnë që lista e Shehut të mos ketë më 49 emrat e nevojshëm, por vetëm 47”, theksoi Olldashi. Më tej ai shtoi, se e majta zotëron pjesën më të madhe të bashkive e komunave në Qarkun e Fierit. Sipas Olldashit, pas koalicionit me LSI-në, tashmë mund të arrihet që në këshillat e këtyre njësive vendore të kërkohet ndryshimi i këshilltarëve të djathtë. “Ne i bëjmë me dije Shehut se tashmë, pas rikonfigurimit të së majtës, nëse do të bëjmë të njëjtat lëvizje që ata kryen një vit e gjysmë më parë, mund të rrëzojmë në këshillin e qarkut gati gjithë anëtarët e të djathtës. Nëse ai nuk do të largohet dhe do të vazhdojë të dhunojë ligjin për pushtetin vendor, atëherë mund të na detyrojë t’i përgjigjemi me të njëjtën monedhë”, përfundoi kreu i PS-së së Fierit. Ndërkaq, gjatë bërjes publike të dorëheqjes së tij, ish-prefekti Robert Bitri, njëkohësisht kreu i LSI-së për Fierin deklaroi se do të shqyrtojnë në vijim se çfarë do të bëjnë me këshillin e qarkut. Pritet që LSI-ja të vendosë për pozicionin e saj lidhur me këtë ngërç të krijuar në tetor të vitit 2011, që edhe pse solli në Fier diplomatë të huaj, mes tyre edhe ambasadorin Arvizu, nuk u arrit të zgjidhet. Pas zgjedhjes së kandidatit të PS-së, z. Vangjel Ndreka si kryetar të këshillit të Qarkut Fier, e djathta nisi të ndryshojë në njësitë vendore përfaqësuesit e këtyre bashkive apo komunave të qarkut. PS-ja i cilësoi si të paligjshme këto ndryshime, duke vlerësuar se shkarkimi apo emërimi i anëtarëve të këshillit të qarkut nuk mund të kryhet nga këshillat e njësive vendore, por vetëm nga ai i qarkut. Pas një maratone procesesh gjyqësore, këto ndryshime u vlerësuan si absolutisht të paligjshme. Por edhe pas këtyre vendimeve të gjyqësorit që nuk u njohën nga pushteti, të djathtët e mbajtën Qarkun e Fierit duke pretenduar se së bashku me anëtarët e LSI-së arrinin të mblidhnin 49 këshilltarë nga 96 që ishin gjithsej. Ndërkohë, rivali i Shehut, z. Vangjel Ndreka, arriti që gjatë mbledhjeve të këshillit të qarkut të thirrura prej tij, të sigurojë praninë e 54 këshilltarëve të mandatuar në konstituimin e parë, më 21 shtator të 2011-s.