GJERGJ ZEFI


Shpesh jam orvatur të kuptoj se çfarë po ndodh me Shkodrën gjithë këto vite. Kam vrarë mendjen gjatë, por për asnjë çast nuk munda të kthjellohem e t’i jap përgjigje pyetjes, a brengës (a si të doni quajeni) se si ka mundësi që gjithë ky qytet me një të kaluar të ndritur, që do e kishin zili shumë qendra në rajon, orientohet vazhdimisht përkundër interesave të saj. Për më shumë se 22 vjet me radhë, Shkodra voton në shumicë të kualifikuar Partinë Demokratike. Kjo qasje elektorale e Shkodrës dhe e banorëve të saj tashmë është “teoremë që s’do vërtetim”. Ndodh vetëm kështu. Kjo nuk është më lajm. Aq sa njerëzit janë mësuar me këtë dhe nuk çuditen më. Edhe unë, as që do të kujtohesha për një gjë të tillë, sikur të mos ishim në pragzgjedhje, e sikur të mos rrëqethesha nga pamjet e trishta televizive që pa asnjë emocion informonin se më shumë se gjysma e Shkodrës është nën ujë. Me gjithë dhembjen time, shto edhe refleksin tim të vjetër si kritik mediatik, prapë nuk i vë faj reporterit që nuk i lëviz më as qerpiku kur raporton se 6000 ha tokë janë nën ujë; 717 shtëpi janë tërësisht të përmbytura, dhjetëra fshatra janë të izoluara, gjysma e rrugëve janë të kalueshme vetëm me mjete uji etj., etj. Reporteri nuk ka faj, kjo gjë ndodh çdo vit tashmë, madje edhe nga 2-3 herë në vit, kështu që Shkodra e përmbytur nuk përbën më lajm, me gjithë ankthin e madh të banorëve të saj, me gjithë dëmet e parikuperueshme, me gjithë reumatizmin që u ka hyrë deri në palcë, me gjithë faktin se të jetosh është më keq sesa të vdesësh. Shkodra nën ujë jo vetëm që nuk është më lajm, por kjo situatë nuk është më as interes elektoral për politikën. Megjithëse është kthyer në “kënetë”, asnjë nuk merr mundimin të peshkojë ndonjë votë. Njëra nuk mundohet se e di që i ka, e tjetra e di që nuk i merr dot. Kjo është Shkodra sot. E marrë peng, në varfëri të tejskajshme, e përmbytin çdo vit, 2-3 herë në vit madje, ndonjë rrallë edhe kot, pa ndonjë arsye, njëlloj si në eksperimentet e Pavllovit me qentë, e Shkodra prapë i voton. E fyejnë  e dhunojnë, e presin, e vrasin, e sakatojnë e prapë ajo i voton… E lagin, e terin, e thajnë , e ngrijnë, e pjekin dhe ajo prapë i voton. I vënë në krye injorantë, bashibozukë, pa mend, pa gojë, pa fytyrë e pa kokë e i thonë: Këta janë udhëheqësit tuaj, duartrokitini. Ia kanë ndërruar edhe emrin, ia kanë marrë erzin dhe ajo prapë i voton… I voton dhe si duket do t’i votojë sërish.


Në konstatimin tim nuk ka asnjë prapamendim, as nuk dua të peshkoj ndonjë votë, as nuk pretendoj të ua ndërroj mendimin, thjesht po përpiqem të kuptoj – Pse ndodh kjo? Unë nuk gjej asnjë arsye politike në këtë reagim të Shkodrës. Nuk gjej asnjë justifikim; as moral, as ligjor, as kanunor e as qytetar. Ky reagim nuk është normal, nuk është i arsyeshëm e aq më shumë politik. Ky reagim i Shkodrës dhe i qytetarëve të saj është më tepër një formë e depresionit nervor, rrjedhojë e një të kaluare 80-vjeçare të vështirë e të trazuar. E gjithë kjo qasje, nuk mund të jetë tjetër veçse një luhatje psikike kolektive, e shpjegueshme shkencërisht, pranuar nga psikologët si një diagnozë me emrin “Syndrom Stockholm”. Sindroma e Stokholmit apo e thënë ndryshe “dashuria për keqbërësin” është e lashtë sa edhe vetë njeriu, por është ngritur në teori apo në diagnozë nga shkencëtarët e kriminalistikës dhe psikologët në gusht të vitit 1973, kur pas një përpjekjeje për grabitje të një banke në Stokholm të Suedisë, nga disa kriminelë grabitës, të cilët mbajtën peng për 6 ditë 4 punonjës të bakës. Pas operacionit të policisë u bë arrestimi i kriminelëve dhe çlirimi i pengjeve. Këta të fundit, në vend që të deklaronin kundër kriminelëve pengmarrës u deklaruan me simpati dhe dashuri ndaj tyre. Psikologët, këtë mirëkuptim absurd të viktimave për pengmarrësit e quajtën “Sindroma e Stokholmit”. Sipas disa autorëve, Sindroma e Stokholmit shfaqet në shumë rrethana të ndryshme:


•    Kur një person apo një bashkësi personash kërcënohen se do të vriten nga një person apo një grup personash dhe duket se këta janë në gjendje ta bëjnë këtë


•    Kur personi apo bashkësia e abuzuar nuk mund të shmanget nga situata, ndaj dhe e percepton jetën e vet në duart e abuzuesit.


•    Kur personi apo bashkësia e kërcënuar është e izoluar nga mjedisi rrethues, në kuptimin që e vetmja perspektivë që ka lidhet ngushtë me atë të personit kërcënues.


•    Personi kërcënues herë pas here tregon njëfarë dhembshurie ndaj viktimës.


Vetëm përmes këtij sindromi mund të shpjegohet qasja elektorale e Shkodrës dhe e qytetarëve të saj, vetëm përmes këtij sindromi mund të justifikohet se si për 22 vite ky qytet voton për Partinë Demokratike. Shkodra është “peng” i keqbërësve të saj. Aq e vërtetë është kjo sa edhe opozita e majtë, e lodhur nga një opozitë e gjatë dhe e pashpjegueshme në këtë qytet, i është dorëzuar edhe ajo e sindromit që e ka mbërthyer qytetin, dhe është vënë në garë me Partinë Demokratike për të kooptuar të “fortit”, “pengmarrësit” që do t’i përgjigjen këtij sindromi. Fatkeqësisht, sindromi vazhdon, lufta bëhet për të ndërruar xhelatët…