E tallën shokët


Adoleshenti u gjet i pajetë nga nëna e tij, pasi e pa në ëndërr


drejtoria e policise elbasanI tallur nga shokët, një adoleshent, frekuentues i sektit “Dëshmitarët e Jehovait”, i ka dhënë fund jetës, duke u vetëvarur në derën e shtëpisë. Historia tronditëse vjen nga fshati Pobrat i Komunës Gjinar në Elbasan, ku 18-vjeçari Bajram Ahmati është gjetur i varur me litar në pragun e shtëpisë nga nëna e tij, e cila sapo e kishte parë në ëndërr të birin. Gjithçka mendohet se ka ardhur pas talljeve që shokët i kanë bërë maturantit dy net më parë, para se ai të shkonte në shtëpi dhe të ndërmerrte aktin fatal.


Vetëvarja


Policia është njoftuar për këtë ngjarje mëngjesin e djeshëm pas një telefonate në sallën operative, ku telefonuesi është shprehur se djali i Xhevahir Ahmatit ka varur veten në pragun e shtëpisë. Menjëherë, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e policisë së Elbasanit dhe bashkë me ekspertët kanë formuar një grup hetimor, me qëllim për të dokumentuar këtë ngjarje tragjike. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se Bajrami 18-vjeçar, ka përdorur një litar, të cilin e ka lidhur në një tra dhe i ka dhënë fund jetës. Gjatë këqyrjes së kufomës, policia dhe ekspertët mjekoligjorë nuk kanë vënë re shenja të tjera dhune në trupin e pajetë, kështu që e kanë cilësuar krimin si vetëvrasje.


Nëna


Më tej, specialistët e policisë kanë biseduar me prindërit, por edhe me të afërm dhe shokë të 18-vjeçarit për të zbuluar shkaqet që e kanë shtyrë atë drejt aktit të vetëflijimit. Gjatë marrjes në pyetje të nënës dhe babait të viktimës, policia ka zbuluar se i riu kishte shkuar i mërzitur në shtëpi. Nëna e tij, po ashtu edhe i ati kanë deklaruar para policisë se ai nuk kishte qëndruar shumë me ta pas mbërritjes në shtëpi, pasi ishte futur në dhomë. “Erdhi dhe na tha se do të shkonte të mësonte, kështu që nuk qëndroi shumë me ne dhe u fut në dhomën tjetër”, ka thënë nëna e tij, ndërkohë që më tronditëse ishte ndjesia e saj se diçka e keqe i kishte ndodhur të birit. Në orët e para të mëngjesit, nëna e tij kishte parë një ëndërr të keqe me të birin, kështu që menjëherë është zgjuar nga gjumi dhe ka shkuar në dhomë për të kontrolluar për të. Ajo nuk e ka gjetur aty dhe kur ka dalë për të kontrolluar jashtë shtëpisë, është përballur me skenën makabër, pasi para syve i është shfaqur i biri i vetëvarur. Prindërit nuk kanë ditur një motiv që ka shtyrë djalin e tyre të vetëvritet, kështu që policia ka marrë në pyetje edhe të njohur të tjerë të adoleshentit.


Shokët


Sipas të dhënave nga policia, gjatë punës për zbulimin e motiveve të vetëvrasjes, grupi hetimor ka kontaktuar me disa shokë të 18-vjeçarit, të cilët kanë treguar se disa prej tyre e kishin tallur një ditë më parë. Ata e kishin fyer, duke i thënë se “ti je si femër”, kështu që ai është mërzitur për këtë, por që nuk u kishte shkuar në mendje se do të vetëvritej. Nga ana tjetër, policia shprehet se bashkëmoshatarët e tij janë shprehur se ai ishte shumë i urtë dhe person i mbyllur, kështu që mbante përbrenda zemërimin që mund të kishte me të tjerët.


“Jehovai”


Të njohurit janë shprehur gjithashtu se i riu kishte të paktën dy javë që kishte nisur të frekuentonte sektin e “Dëshmitarëve të Jehovait”. Vite më parë, ky sekt mori një “njollë” në vendin tonë, pasi shumë frekuentues të këtij besimi, sidomos moshë e mitur filluan të vetëvriteshin. Ndërkohë, nga hetimet e kryera në atë kohë nuk u vërtetua asnjëherë se sekti kishte lidhje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me aktet e vetëflijimit. Edhe në këtë rast, policia tha se po kryen verifikimet, por dyshimet më të mëdha të tyre janë se i riu ka vrarë veten në kushtet e depresionit të thellë dhe jo për shkak të frekuentimit të besimit te sekti “Dëshmitarët e Jehovait”.


 


 


Sekti


“Dëshmitarët e Jehovait” dhe dyshimet për vetëvrasje


Dëshmitarët e Jehovait është një sekt fetar, i cili u përhap në Shqipëri pas viteve ’90 me rilindjen e feve të tjera, pas rënies së sistemit komunist, i cili pengonte me ligj zhvillimin dhe predikimin e besimeve fetare gjatë 45 viteve të ushtrimit të pushtetit në vendin tonë. Ky sekt zhvillon aktivitetin e tij fetar dhe në shumë vende të tjera të botës, por në disa shtete është e ndaluar të predikohet ky besim fetar, për shkak të riteve dhe parimeve të dyshimta fetare që shpesh kanë shtyrë në vetëvrasje shumë persona mes të cilëve dhe fëmijë. Fenomeni i vetëvrasjeve nga persona, të cilët kishin përqafuar parimet morale dhe fetare të këtij sekti regjistroi shumë raste gjatë vitit 2005 në Shqipëri, duke lënë dyshime të thella mbi sektin fetar Jehovaian, duke ngritur pikëpyetje të shumta mbi predikimet dhe normat e tyre. Janë me dhjetëra dëshmi të pasqyruara në median vizive dhe atë të shkruar gjatë vitit 2005 që tronditën të gjithë opinionin publik, akuza të drejtpërdrejta ndaj “Dëshmitarëve të Jehovait”, të ngritura nga familjarët e viktimave. Në atë kohë, krerët e policisë në qytetet përkatëse ku ndodhën ngjarjet tronditëse, thanë se vetëvrasjet do t’i nënshtrohen një hetimi të plotë, por me keqardhje duhet të themi se tashmë kanë kaluar 8 vite nga ato vetëvrasje tragjike që u morën jetën edhe të miturve dhe gjithçka është lënë në harresë.