Tiranës do ti shtohen edhe 30 biznese të vogla, të të rinjve sipërmarrës që kanë përfituar nga një grant prej 2500 dollarësh nga bashkia e kryeqytetit. Nisma është pjesë e një projekti me bankën botërore, nëpërmjet të cilit bashkia do të ofrojë mbështetje për rreth 353 të rinj që të marrin një profesion dhe të hapin një biznes të ri.
“Vetëpunësimin, krijimin e bizneseve të reja të vogla, konsolidimin e atyre që ekzistojnë. Dhe kjo vlen për çdo grup moshë. Punësimi i të rinjve të qytetit të Tiranës që dëshirojnë të hapin bizneset e tyre ta bëjnë këtë me sa më pak pengesë. Për këtë arsye para dy netësh në Këshillin bashkiak ne miratuam një paketë kushtesh për të përzgjedhur një bankë e cila duke marr 1 mln euro nga bashkia e Tiranës si fond garancish, do të bëjë të mundur kreditimin e të rinjve të Tiranës për të hapur bizneset e tyre”, tha Lulëzim Basha, kryetar i bashkisë Tiranë.
Sipas tij, bashkia po ndjek edhe politika që të rinjtë të mësojnë profesione të ndryshme. Projekti ka mundësuar që rreth 181 të rinj tani të kenë një profesion. Efektet e këtij trajnimi janë ndierë menjëherë tha ai. Ka nga ata të rinj që janë punësuar në industrinë fasone, si elektricistë apo që kanë hapur edhe bizneset e tyre.