Bashkia Tiranë
Në dilemë, drejtuesit e tjerë, anëtarë të LSI-së, dhe vendimmarrja vendore në këshill bashkiak
Lorina Mixha
Marrëveshja politike mes Partisë demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk u “zgjidh” vetëm për sa i takon qeverisjes qendrore. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, sqaroi pak ditë më parë se kjo marrëveshje e prishur nuk do të rëndojë dhe nuk do të cenojë vendimmarrjen në qeverisjen vendore, por është ndërprerë vetëm për sa i takon bashkëqeverisjes qendrore.
Por dje, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës njëkohësisht edhe nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante prej rreth gjashtë muajsh si numri i dy i bashkisë së kryeqytetit.
Emërimi i tij u bë në verën e vitit të kaluar menjëherë pas largimit të tij si ministër i Shëndetësisë.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Petrit Vasili, dha dorëheqjen nga posti të cilin e mbante si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo dorëheqje erdhi e papritur në një kohë, kur vetë kreu i LSI-së, Ilir Meta, kishte theksuar se për sa i përket aleancës mes kësaj partie dhe PD-së në nivel lokal, do të ishin vetë vendorët që do e vendosnin. Por kjo masë dorëheqjeje, duket se ka ardhur si pasojë e presionit që LSI kërkon t’i bëjë PD-së, për shkak se lidershipi i kësaj partie është duke i hequr të drejtën e përfaqësimit me anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Me këtë akt, LSI-ja paralajmëron PD-në se ajo ka mundësinë e bllokimit të nismave të demokratëve në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Të gjithë janë befasuar me lajmin e dorëheqjes së Petrit Vasilit, pasi prisnin që një vendim i tillë të merrej të paktën pas kalimit të muajit qershor. Për shkak të problemeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por për të dhënë një mesazh të qartë dhe të pastër politik, nënkryetari i bashkisë, Petrit Vasili, dha dje dorëheqjen.
Largimi i Vasilit vjen fill pas dorëheqjeve e largimeve të anëtarëve të tjerë të LSI-së si pjesë e vazhdës së dorëheqjes së përfaqësuesve të kësaj partie në nivelin qendror të pushtetit. Sipas punonjësve të bashkisë, Vasili nuk ka bërë takim me kryetarin Lulzim Basha, por përmes një letre drejtuar kryebashkiakut njofton këtë të fundit për largimin nga detyra.
Në shkresën e firmosur prej Vasilit, ai shpjegon se arsyet e largimit janë motivet elektorale dhe angazhimi në partinë politike që aderon.
Sipas praktikës së ndjekur në Shqipëri, Vasili nuk ishte i detyruar nga ligji të jepte dorëheqjen e tij, duke qenë se pritet të jetë në kandidimin si deputet në Korçë në listën e Partisë Socialiste. Largimi i tij ka qenë i parakohshëm, pasi në rastin e qeverisjes vendore, të gjithë ata që kanë qenë drejtues apo kanë zotëruar poste në bashki dhe komuna pavarësisht kandidimit si deputet, kanë bërë dorëheqjen pas emërimit të tyre si deputetë apo pas prezantimit të listave zyrtare nga partitë politike.
Sakaq, e gjithë vëmendja shkon në vendimmarrjen vendore, aty ku këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike aktualisht bëjnë shumicën. Ndërkohë që nëse pesë anëtarët e LSI-së në Tiranë do të kalonin nga krahu i Partisë Socialiste, kreu i bashkisë, Lulzim Basha, nuk do të mund të vijonte normalisht punën, në rast bllokimi të vendimmarrjes.