Protestë e madhe para Parlamentit. Marrin pjesë edhe shqiptarë nga trevat


Fatjona Mejdini


DSC_5938Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka mbledhur dje mijëra qytetarë shqiptarë përpara Kuvendit, për t’i kërkuar PD-së dhe PS-së miratimin në mënyrë unanime të një rezolute për çështjen e Çamërisë. Në protestën e cila mblodhi jo vetëm përfaqësuesit e komunitetit çam, por dhe shqiptarë nga të gjitha trevat, duke përfshirë ata të Kosovës, Preshevës, Malit të Zi dhe Maqedonisë, u kërkua që rezoluta të votohej sepse iu përkiste 10 milionë shqiptarëve të shpërndarë në rajon dhe në botë. Në fjalën e tij, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, fillimisht i kërkoi Parlamentit shqiptar të çlirohej nga presioni grek dhe ta nxirrte jashtë atë që në mënyrë simbolike e quajti “Kali i Trojës”. “Të çlirojmë Parlamentin shqiptar nga presioni grek, e t’i japim dinjitet të votojnë rezolutën e drejtësisë europiane për shqiptarët e Çamërisë. Ne jemi këtu që ta nxjerrim Kalin e Trojës nga Parlamenti i shqiptarëve. Ne s’jemi humbës si trojanët, por fitimtarë si shqiptarët, ne jemi kombi i Skënderbeut e Nënë Terezës”, theksoi Idrizi përpara qytetarëve të ardhur nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe nga gjithë trevat. Duke mbajtur një baraslargim nga dy partitë e mëdha politike, Idrizi theksoi se sot, këto dy parti janë vendosur në garë për të ofruar zgjidhjen më të mirë për këtë çështje. Por ai theksoi se PD e PS janë përgjegjëse për mospasjen e një rezolute të miratuar deri në këto momente dhe se nxjerrja e dokumenteve nga sirtarët dhe ndryshimi i qëndrimit për këtë çështje, ka ardhur falë punës këmbëngulëse të PDIU. “Partitë e mëdha hynë në garë për miratimin e rezolutës. Nëse nuk do të ishte PDIU-ja, ajo rezoluta që u nxor nga sirtarët e pluhurosur të Kuvendit të shqiptarëve, do të mbetej atje ku ishte. Në harresën dhe turpin e historisë. Ata që e votuan atëherë, do ta mbanin në ato sirtarë. Ata që nuk e votuan në qershor 2004, kur shumë prej jush u përgjakën, nuk do të propozonin rezolutë alternative”, theksoi Idrizi, duke e quajtur këtë kohën më të mirë për të marrë miratimin e Kuvendit për një draft të tillë. Idrizi gjeti rastin të theksojë se kjo ishte një rezolutë për fqinjësinë e mirë dhe se miratimi i saj, ishte vetëm fillimi i punës. Ai theksoi se në letër, kjo rezolutë ishte e vdekur dhe se PDIU do të vijonte të kërkonte zbatimin e saj për të bërë të mundur që Greqia të kërkonte falje për masakrat e shkaktuara, të pranonte të drejtën e shtetësisë për këtë komunitet, të zgjidhte çështjen e pronave, të bënte restaurimin e varrezave në Çamëri dhe po kështu të ngrihet një përmendore në përkujtim të të rënëve. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin figurat më të shquara të kombit shqiptar, si Adem Demaçi, deputetja e Parlamentit të Kosovës, Flora Brovina dhe përfaqësues të shoqatës “Vatra” të Preshevës. Në këtë aktivitet mbajtën fjalë dhe përfaqësues të tjerë të PDIU-së dhe Shoqatës Çamëria.


 


Kërkesat e PDIU në rezolutë:


-Heqja e Ligjit të Luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë


-Riaktivizimi i Traktatit të Miqësisë


-Shqyrtimi i çështjes së pronave


-Shqyrtimi i çështjes së ruajtjes së kulturës


-Ngritja e përmendores


-Rishqyrtimi i historisë


-Njohja e gjuhës shqipe dhe greke në mënyrë reciproke.


 


Mehmeti sulmon Pëllumbin


Muhedini akuzon PS-në për votimin në 2004-n


camet-okNë protestën e djeshme të PDIU-së, kritika të shumta u bënë dhe ndaj ish-kreut të Parlamentit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi. Ish-kryetari i Shoqatës Çamëria, Servet Mehmeti kujtoi vitin 2004 ku qindra shqiptarë të Çamërisë u dhunuan përpara godinës së Parlamentit. Mehmeti u tregua kritik dhe ndaj Pëllumbit. “Edhe pse kemi të njëjtin emër, unë nuk jam si ty. Kolonjarët dhe devollinjtë dimëronin bagëtitë në Çamëri. Ku shkoi ndjenja kombëtare? Prandaj të bëj thirrje që të kërkosh falje për atë që ke bërë 9 vite më parë”, theksoi ai. Edhe presidenti i nderit i PDIU-së, Tahir Muhedini, akuzoi PS-në për atë që e quajti maskaradën e vitit 2004 dhe u shpreh se atyre duhet t’u vijë turp për atë që kanë bërë. Ndërsa deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri, deklaroi se pas nëntë vitesh në Parlamentin e Shqipërisë u zbulua “Kali i Trojës”. Sipas Tahirit, tashmë ka ardhur koha që mazhoranca e sotme, e cila ishte ajo që votoi pro në vitin 2004, do ta certifikojë përsëri atë Rezolutë.