Kreu i LSI-së: Më 21 janar unë kam qenë në shtëpi
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, nuk i njeh vetes asnjë përgjegjësi për vrasjen e 4 qytetarëve protestues të opozitës më 21 janar 2011, një tubim i provokuar nga publikimi i videos ku ai akuzohej për korrupsion. “Qëndrimi im ndaj çdo akuze që më është drejtuar, ka qenë gjithmonë shumë i hapur para drejtësisë, kam dhënë dorëheqje, kam shkuar si qytetar, nuk i kam lënë çështjet në procedurë, i kam shkuar deri në fund, kam fituar 5 me 0. Në 21 janar unë kam qenë në shtëpi, nuk e di çfarë përgjegjësie kam unë për atë gjë që ka ndodhur”, u shpreh Meta për “News 24”.
Kriza në KQZ
Prishja e balancës së KQZ-së në favor të opozitës, sipas kryetarit të LSI-së, nuk mund të jetë një rrezik për të shkatërruar procesin, ndërsa e kundërta po. “E çfarë do të bëjë kjo shumicë? Diferenca nuk do të jetë 10 vota, por do të jetë 200 mijë vota. Ai është një reagim i pamatur. Po të më kishte thënë kur jam ndarë me të që unë kam vendosur të bëjë këtë zgjedhje për këtë arsye unë do ta kisha zgjidhur këtë punë. Kjo mënyrë veprimi është një mundësi për të prishur zgjedhjet dhe është shumë e gabuar. Në qoftë se gjendet një referencë ligjore që duhet të bëhet ky zëvendësim le të bëhet menjëherë. Por nëse bëhet me forcë se ne nuk duam t’ia dimë për ligj se jemi të fortë, atëherë kjo ka të bëjë me integritetin e procesit zgjedhor”, tha Meta.
Akuza e drejtpërdrejtë e Ilir Metës për tentativën e prekjes së procesit të 23 qershorit, ka vetëm një autor, ish-aleatin deri në 1 prill 2013, Kryeministrin aktual, Sali Berisha.
Takimi me Ramën
Edhe Lesi drejt opozitës
Edhe Nikollë Lesi është pranë afrimit me aleancën që drejton Edi Ramën. Dje, kreu i LDK-së është takuar në selinë rozë, kreun e PS-së që ka zgjatur mbi një orë. Në përfundim të takimit, Lesi ka thënë se miku i tij i vjetër, Edi Rama, i ka bërë një ofertë dashamirëse për të marrë pjesë në koalicionin e opozitës. “Kam një ftesë nga kryetari i PS-së, Edi Rama, të cilën do ta shqyrtoj me kryesinë e LDK-së dhe me miqtë e mi. Oferta është dashamirëse nga kryetari i PS-së dhe ajo do të detajohet në vijim, nëse do të biem dakord. Jam korrekt me mikun tim (Ramën), me të cilin biseduam disa gjëra të kohëve të vjetra, që i shërbejnë një të ardhmeje të re”, tha Lesi.