Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë sot në një takim në Koplik , ku u prezantua edhe kandidati për deputet i LSI-së në Malësinë e Madhe, Ritvan Heba. Në fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e cilësoi z. Heba si një “një shok i shkëlqyer, është një nga themeluesit e LSI-së, është një drejtues me përvojë dhe me të gjitha vlerat, kapacitetet dhe mbi të gjitha integritetin për të qenë përfaqësues i denjë i popullit të mrekullueshëm i Malësisë së Madhe”.
Kreu i LSI tha më tej se 23 qershori po vjen dhe është një ditë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, sepse do të sjellë shpresa të reja për një të ardhme më të mirë, për një ecuri më të mirë dhe më të shpejtë të vendit. “Lëvizja Socialiste për Integrim është konfirmuar si një forcë bashkëpunuese, si një forcë e motivuar fuqimisht nga interesi për t’i shërbye stabilitetit të vendit, integrimit evropian, realizimit të reformave, të cilat të gjitha së bashku synojnë standarde të reja të demokracisë dhe mbi të gjitha të mirëqenies dhe të jetës së qytetarëve tanë”, u shpreh ai. Meta theksoi se LSI gjithmonë ka marrë vendimet e më të drejta për vendin.
“Ne jemi të bindur se në çdo kohë kemi marrë vendimet më të drejta që i kanë shërbyer vendit. Edhe vendimi më i fundit është një vendim plotësisht i drejtë, i cili do të ndihmojë vendin për të shënuar një fazë të re të demokracisë, të funksionimit të institucioneve, të rivendosjes së ekuilibrave politikë dhe të balancimit midis pushteteve që garantojnë një demokraci më të shëndetshme dhe më funksionale, që garantojnë një frymëmarrje më të gjerë edhe ekonomike dhe një përkujdesje sociale e cila do të ndihmojë akoma më shumë qytetarët tanë që hasin probleme më të madhe sot. Shqipëria ka nevojë të eci më shpejt. Malësia e Madhe ka nevojë të eci më shpejt dhe kërkon ritmin e shokëve dhe djemve si Ritvan Heba të cilat janë të kudogjendur, të cilët janë pranë njerëzve dhe në shërbim të tyre”, vijoi Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
12 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)