Bujqësia


Konventa e PD-së, Majko: Komedi, lum ç’na dëgjojnë veshët dhe na shohin sytë


Konventa – Konventa e PD-së për Bujqësinë ka zgjatur mbi tri orë. Ajo u mbyll nga diskutimi i kryeministrit Berisha


Sali berishaPartia Demokratike zhvilloi dje konventën e dytë të saj, e lidhur për çështjen e Bujqësisë. Takimi elektoral i mbajtur në Pallatin e Kongreseve ka zgjatur mbi tri orë. Ajo u çel nga ministri i Financave, Ridvan Bode. Diskutimet e ministrave Ruli apo dhe Olldashi u fokusuan edhe në sulmet ndaj liderit të opozitës, Edi Rama. “Edi Rama është për taksën progresive dhe ne themi, njerëz bëni kujdes, sepse ai mendon vetëm se si e si taksat t’i rrisë në mënyrë progresive. Për 11 vjet, qytetarët kanë parë një Ramë kryetar bashkie, që dyfishoi taksat për qytetarët e Tiranës. Ka deklaruar se do heqë TVSH dhe për prodhimet bujqësore dhe ushqimore, kjo ‘bamirësi’ e Ramës vetëm do ta vrasë fermerin shqiptar. Plani i Edi Ramës është një dhe vetëm një, rritja e taksave për biznesin e mesëm. Ne duhet të ndalojmë që rritja e taksave të ndodhë në Shqipëri”, deklaroi Ruli. Ndërsa Olldashi u mundua të lidhte një anekdotë me socialistin Rama. Kryeparlamentarja Topalli në fjalën e saj tha se qeverisja demokrate e ka nxjerrë fshatin nga izolimi. Ndërsa numri dy i PD-së, Astrit Patozi, u shpreh se “zoti Rama ka një vizion të krijuar në odën e tij të fantazive, ai s’do që Shqipëria rurale të zhvillohet, nuk punon që gjithë shqiptarët të zhvillohen njësoj, do të vërë mur bllokues për zhvillimin e fshatrave, duket se ai thellë-thellë e urren fshatin, banorët e Shqipërisë rurale i ka konsideruar si injorantë që votojnë Saliun”, tha Patozi. Berisha ashtu si dhe në Konventën e parë, ka mbërritur më vonë në këtë takim elektoral. Ai e mori fjalën i fundit në këtë konventë. “Nga kjo tribunë, dua të përulem me nderimin më të madh për secilin fermer shqiptar, të shpreh respektin dhe dashurinë, mirënjohjen e pakufishme ndaj tyre. Ne kemi bërë për ta, por ju duhet ta dini se shumë herë më e madhe është dashuria e fermerit shqiptar për familjen e tij, për kopshtin, arën, lopën, derrat e delet, për ullinjtë, për gjithçka që ai prodhon për familjen dhe shoqërinë shqiptare. I garantoj ata se ne jemi krenarë me ta. Ne kemi shumë për të bërë, do bëjmë gjithçka për t’i shpërblyer me ato që meritojnë, atë që bëjnë për shoqërinë tonë. Mandati i ardhshëm është mandati i përfundimit të infrastrukturës më moderne. Vrapi ynë nuk do të ndalet derisa t’i garantojmë fshatit shkolla të njëjta me qytetin, ujë të rrjedhshëm dhe energji. I garantoj fermerët se përparësia e parë për Partinë Demokratike do të jetë kullimi në tokat me sera”, tha Berisha. Konventa e PD-së është komentuar në mënyrë ironike nga deputeti i PS-së, Pandeli Majko. “Po shoh Konventën e Bujqësisë të Partisë Demokratike e cila flet vetëm për suksese në bujqësinë shqiptare. Gjithçka është ‘rritur’… Çmimet padyshim. Komedia zhvillohet sipas parimit ‘Si lum ne çfarë na dëgjojnë veshët dhe të shkretët ne çfarë na shohin sytë’…Përpara!”, shkruan Majko në “Facebook”.