Reagon ministria: Armët ia shitëm një vendi mik. Braçe: Akuza erdhi nga OKB, jo nga PS


BLEDAR HOTI


armeNënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, e cilësoi një veprim të turpshëm të Ministrisë së Mbrojtjes shkeljen e embargos për shitjen e armëve drejt Libisë. Kjo shkelje që, sipas socialistëve, është faktuar dhe nga raporti i OKB-së për embargon e armëve, pasi janë dërguar municione në Libi gjatë konfliktit civil dhe revoltës së regjimit të Muamar Gadafit. “Veprimi është i turpshëm ligjërisht e moralisht, ndërsa ka krijuar shqetësim edhe në radhët e OKB-së. Të hënën do të kërkojmë një reagim nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami”, theksoi Gjoni. Nënkryetari i komisionit u shpreh se Partia Socialiste do ta hetojë këtë çështje. Gjoni deklaroi se sanksionet që do të marrë Shqipëria janë ligjore dhe politike, pasi në raportin e OKB-së bëhet fjalë për një sasi të madhe municionesh.


Ministria e Mbrojtjes


Ministria e Mbrojtjes, pas deklaratës së numrit dy të Komisionit të Sigurisë, hodhi poshtë akuzat për shkelje të embargos, edhe pse kjo është faktuar nga raportet e OKB-së. Sekretari i Përgjithshëm, Edvin Kulluri, i këtij dikasteri tha se “kontrata për eksport municioni në fjalë është realizuar me një vend mik dhe forcat e tij të armatosura, që sipas raportit të panelit të ekspertëve të Këshillit të Sigurisë të OKB-së, janë pronar dhe përdorues të fundit ligjorë. Ministria e Mbrojtjes disponon të gjithë informacionin ligjor, të cilin ia ka vënë në dispozicion dhe panelit të ekspertëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”. Kulluri, në deklaratën e tij, theksoi se armët i janë shitur një vendi mik dhe se nuk ka shkelje. “E thënë ndryshe, për Shqipërinë nuk ka thyerje të embargos. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka nisur një hetim për këtë sasi prej 800 000 fishekësh 12.7 mm, të cilat janë gjetur në destinacione të tjera. Gjithnjë sipas raportit të panelit të ekspertëve, kjo sasi municioni ka shkuar në mbështetje të forcave rebele anti-Gadaf. Duke iu referuar këtij dokumenti (ku shumë mirë mund ta gjeni dhe online), rezulton se në deklaratat e opozitës dallohen qartazi dy elemente dezinformuese: Së pari, se Shqipëria nuk ka thyer asnjë embargo ndërkombëtare. Së dyti, ritheksojmë se ky municion nuk ka shkuar për regjimin e Gadafit, por për forcat antiregjim. Ndaj nuk kuptojmë ndjeshmërinë e lartë të Partisë Socialiste ndaj aleatit të vjetër të saj, kolonel Muamar Gadafit, si i përzgjedhur këtë herë në fushatën e pandërprerë shpifëse të kësaj force politike ndaj shtetit shqiptar”, theksoi Kulluri.


Kundërreagimi i Braçes


Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, ka reaguar ndaj qëndrimit të Ministrisë së Mbrojtjes, duke theksuar se akuza për shkeljen e embargos e ka bërë OKB-ja dhe jo opozita shqiptare. “Sali Berisha është aktor, por gjithnjë zgjedh më banalin e aktorëve për të folur: Arben Imamin, ministrin më të paaftë e më abuziv që ka drejtuar ndonjëherë Ministrinë e Mbrojtjes. Tamam kjo ‘akoma ministri’ e Imamit, nxori këllirën e tij për të thënë publikisht: Nuk kemi thyer asnjë embargo të OKB-së!!! Sinqerisht, këta janë jo vetëm keqbërës në këtë vend, por edhe të pacipë, të pafytyrë fare!!! Dua të sqaroj: E para, qeverinë e Sali Berishës, Ministrinë e Mbrojtjes së Arben Imamit, MEICO-n e Ministrisë së Mbrojtjes në qeverinë e Sali Berishës, këtë herë nuk i kam akuzuar unë!! Këtë herë, të gjithë bandën me pushtet në Ministrinë e Mbrojtjes i ka hetuar, kapur dhe paditur: paneli i hetimit i Këshillit të Sigurimit të OKB-së!!! Madje, madje, jo vetëm i ka kapur, por u ka marrë edhe dëshminë e pasqyruar qartë në raport: Qeveria e Sali Berishës, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Jashtme, MEICO, kanë pranuar thyerjen e embargos, haptazi, qartë, por janë justifikuar me gabimin njerëzor të agjentëve të aviacionit civil që nuk kanë vënë re tri ditë rresht faktin se avionët e ngritur nga Rinasi ndryshonin menjëherë korridoret ajrore, duke mos shkuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, por direkt në Bengazi!!!”, shkruan Braçe në “Facebook”.


 


 


SHQIP


Raporti i OKB-së për armët në Libi


Dy ditë më parë, gazeta “Shqip” botoi shkrimin ku bëhet e ditur se në raportin e OKB-së vendi ynë po hetohet për thyerjen e embargos së armëve. Raporti citohet nga një artikull i “Asociated Press”. “Armët libaneze po shpërndahen me ritëm alarmant në territore të reja në perëndim të Afrikës dhe në Mesdheun Lindor, përfshirë këtu Sirinë dhe Rripin e Gazës, ku po nxiten konfliktet dhe po rriten arsenalet e grupeve të armatosura dhe terroristëve, shprehet një kolegj i OKB-së. Në këta 12 muajt e fundit, përhapja e armëve nga Libia është shtuar në një shkallë shqetësuese, duke u zgjeruar edhe në territore të reja, si Afrika Perëndimore, Levanti dhe potencialisht edhe në gadishullin Somalez”, shprehet kolegji. Pesë ekspertët e kolegjit bënë 28 vizita në 15 shtete të Afrikës, Europës dhe Lindjes së Mesme, përfshirë këtu edhe 10 vizita në Libi”, thuhet në shkrimin AP-së. Raporti përbëhet nga 94 faqe dhe përmban detaje mbi çështje të trafikimit të armëve, të cilat shkelin embargon e vendosur në vitin 2011, qëllimi i së cilës është të gjurmojë pasuritë e individëve dhe grupeve të lidhura me Gadafin dhe regjimin e tij, të cilat janë përfshirë në listën e zezë të OKB-së. Raporti përmendi një rast të transferimit të armëve në Libi, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Armeninë, Shqipërinë e Ukrainën dhe një rast të veçantë që përfshin Sudanin. U raportua edhe transferimi i një avioni të telekomanduar në Liban nga një kompani kanadeze, të cilën autoritetet vendase shprehen se po e hetojnë.