Deklarata 


lulzim bashaNë zyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës nuk ka mbërritur asnjë dorëheqje tjetër e punonjësve që i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Këtë e ka konfirmuar vetë kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, i cili e justifikon dorëheqjen e ish-nënkryetarit Petrit Vasili me angazhimin e tij politik.


“Nuk kam pasur asnjë dorëheqje tjetër përveç dorëheqjes së zotit Petrit Vasili, zëvendëskryetarit të bashkisë, të cilin dua ta falënderoj për bashkëpunimin e tij dhe për rolin që ka luajtur gjatë detyrës si zëvendëskryetar i bashkisë. Dua të kujtoj që Vasili është nënkryetar i LSI-së dhe në këtë kuadër do të ishte e çuditshme nëse angazhimi i tij paraelektoral, pse jo kandidimi i tij si deputet, nuk do të kushtëzonte vendimin që më paraqiti para 24 orësh për dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës”, tha Basha.


Punonjës të tjerë në Bashkinë e Tiranës, në rang drejtuesish, thonë se ende nuk ka asnjë sinjal nga kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim për të vijuar me dorëheqjet. Ndërsa lidhur me zëvendësimin e nënkryetarit të bashkisë, nëse do t’i përkasë sërish LSI-së, Basha thotë se kjo varet nga zhvillimet politike.


“Është një çështje, e cila do t’i përgjigjet realitetit politik, që kjo forcë politike do të vendosë në raport me Bashkinë e Tiranës”. Ikja e LSI-së nga koalicioni qeveritar nuk u reflektua në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, pasi këshilltarët e LSI-së bashkuan votat me ata të PD-së. Por kjo ndodhi më parë se të bëhej propozimi për zëvendësimin e anëtarit të LSI-së në KQZ, me një anëtar të PR-së. Një ditë pas këtij propozimi dha dorëheqjen nënkryetari i bashkisë, Petrit Vasili.