Bulqizë
Konflikti në familje ka ndodhur në një fshat të Bulqizës, ndërkohë që policia shoqëroi dy dhunuesit
Dhuna në familje – Policia tha se ka proceduar penalisht të dy dhunuesit, ndërkohë që 68-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë në spitalin e Bulqizës
Sherri mes vjehrrës dhe nuses ka degjeneruar në dhunë fizike, ku e reja ka bërë për spital të moshuarën, ndërkohë që pas kësaj në konflikt është përfshirë edhe kunati i agresores. Ky i fundit, kur ka parë nënën të dhunuar, i janë errësuar sytë dhe ka rrahur nusen e vëllait, ndërkohë që fqinjët kanë njoftuar policinë, e cila ka shoqëruar dy dhunuesit, kurse kryefamiljarja 68-vjeçare, e dhunuar nga nusja, është dërguar në spital. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në fshatin Strikçan të Komunës Zerqan, në Rrethin e Bulqizës. Nga burimet pranë Policisë së Bulqizës mësohet se në orët e mesditës, File dhe Feride Koçi, vjehërr e nuse, kanë nisur një sherr mes tyre për punët e shtëpisë, ndërkohë që nuk ishte hera e parë që ato kishin konflikt. Por këtë herë debati ka shkuar deri në dhunë fizike, pasi nusja ka marrë një dru dhe ka rrahur vjehrrën e saj, duke e plagosur rëndë. Sapo nusja kishte rrahur me mjete të forta vjehrrën e saj 68-vjeçare, ku burri i saj, njëkohësisht djali i të dëmtuarës, nuk ndodhej në shtëpi, aty ka mbërritur djali tjetër i të moshuarës. Sipas të dhënave nga policia, njëri nga djemtë e Files, Hajriu, pasi përballet me aktin e rëndë, nuk është përmbajtur, por ka filluar të dhunojë kunatën në shenjë hakmarrjeje për nënën e tij. Burime nga policia lokale e Bulqizës bëjnë me dije se në këto kushte, fqinjët kanë njoftuar sallën operative. Sapo janë informuar për ngjarjen e rëndë, uniformat blu kanë shkuar në fshatin Strikçan, ku kanë shoqëruar për në ambientet e komisariatit të policisë, Hajri dhe Feride Koçin, për t’i marrë në pyetje për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë. Ndërsa 68-vjeçarja File Koçi është dërguar në Spitalin e Bulqizës, për të marrë mjekimin e duhur për plagët që i kishte shkaktuar nusja, duke e goditur atë me dru. Nusja ka pretenduar në polici se dhunën ndaj vjehrrës e ka ushtruar, pasi ajo e ka goditur e para dhe e ka bërë për vetëmbrojtje. Deklaratë mbrojtëse ka bërë edhe Hajriu, i cili ka deklaruar se e kishte dhunuar kunatën, pasi ishte nxehur kur kishte parë nënën e dhunuar. Në këto kushte, policia ka administruar deklaratat e të dy dhunuesve dhe ka vendosur që ata të ndiqen penalisht për dhunë në familje dhe plagosje, ndërkohë që mjekim i është ofruar edhe nuses së familjes Koçi, pasi kishte disa shenja dhune.
H. Likdisha