Skandali


Deputeti i PS-së, Tahiri, flet për fakte tronditëse të ndodhura dy javë më parë


Dy policë – Sipas socialistit Tahiri, përgjimi fizik i dy liderëve, ai i PS-së dhe LSI-së, Rama dhe Meta, është kryer nga dy agjentë sekretë


Dy javë – Takimi mes Ramës dhe Metës, sipas Tahirit, ka ndodhur dy javë më parë, përpara se LSI-ja të zyrtarizonte daljen nga koalicioni


1 prill – Kreu i LSI-së, Ilir Meta, në këtë datë takoi aleatin e tij në qeveri, kryeministrin Berisha, ku i deklaroi daljen nga koalicioni


BLEDAR HOTI


rama-metaPolicia ka përgjuar takimin e dy krerëve të partive kryesore, të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Ky skandal përgjimi është zbuluar nga vetë deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri. “Policia ka kryer një përgjim fizik, në një nga lokalet e Tiranës. Këtë e deklarova dhe dy ditë më parë në emisionin ‘Opinion’, gjatë debatit për rendin me ministrin e Brendshëm, Flamur Noka. I qëndroj asaj deklarate”, – tha për “Shqip”, socialisti Sajmir Tahiri. Deputeti socialist ka theksuar më pas për gazetën “Shqip” se përgjimi është kryer në Tiranë, në një nga lokalet e kryeqytetit. Ky vëzhgim policesk, sipas socialistit, ka ndodhur dy javë më parë, ku Meta dhe Rama janë përgjuar gjatë takimit të tyre. Kjo periudhë përkon me kohën kur LSI-ja ende nuk kishte bërë gati shkëputjen nga koalicioni qeveritar me Partinë Demokratike. Rama dhe Meta, sipas kësaj deklarate të Tahirit, mund të jenë takuar në fund të marsit. Ndërsa më datën 1 prill, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, takoi në zyrën e kryeministrit, kreun e PD-së, Sali Berisha. Në këtë takim, Meta bëri të ditur qëndrimin e tij për largimin nga koalicioni qeveritar. Mediat e raportuan faktin se kryeministri Sali Berisha e ka pritur me qetësi largimin e aleatit të tij të majtë, Meta, nga koalicioni qeveritar, duke e lidhur me idenë se një ikje e tillë nuk përbënte surprizë për lidershipin e PD-së. Ky është një skandal i madh, nëse vërtetohet se policia shqiptare ka përdorur aparaturat e përgjimit për të zbardhur një takim mes dy drejtuesve kryesorë të partive politike, i PS-së, Edi Rama dhe ai i LSI-së, Ilir Meta. Opozita prej kohësh dhe në mënyrë të vazhdueshme, ka denoncuar qeverinë se nëpërmjet strukturave të saj ka përgjuar gjatë gjithë kohës deputetët e PS-së. Sulmi i PS-së u lëshua në adresë të Shërbimit Inteligjent Ushtarak, i cili kryente dhe përgjime ndaj opozitës, si dhe gjatë kohës kur kjo parti organizonte mbledhjet e grupit të PS-së. Për këtë opozita bëri të ditur se SHIU ka blerë deri në 400 mijë dollarë amerikanë një aparaturë për përgjimin. Opozita paraqiti dhe dokumente ku faktoi tenderin e kryer nga Ministria e Mbrojtjes me një procedurë të përshpejtuar më 19 janar të vitit 2011. Kjo solli më pas dhe nismën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për të vërtetuar ligjshmërinë e detyrës së Ministrisë së Mbrojtjes, veçanërisht për përgjimet e kryera. Kjo nismë u rrëzua në Parlament nga mazhoranca, duke e cilësuar si jo të ligjshme. Opozita, në të njëjtën kohë, akuzoi qeverinë se nëpërmjet strukturave të saj ka përgjuar dhe diplomatët. Në një seancë dëgjimore me ministrin e Mbrojtjes në Komisionin e Sigurisë, Imami hodhi poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërteta. “Dua të nënvizoj që provokimi që janë përgjuar diplomatët nuk shkon. Nuk jemi në kohën e Traktatit të Varshavës që të përgjohen diplomatët e vendeve të Perëndimit. Kjo është çështje e së shkuarës, por edhe kjo tullumbace e dytë shumë shpejt do të plasë, vuri në dukje ai. Më tej, Imami tha se: “Presioni që ushtrohet nuk është i mirë as për shërbimin, as për reputacionin e Shërbimit Informativ Ushtarak”. Socialistët në Komisionin Parlamentar të Sigurisë kanë kërkuar dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar për Ministrinë e Mbrojtjes, gjë që nuk është lejuar në mënyrë kategorike nga titullari i këtij dikasteri, Arben Imami. Kjo përbënte shkeljen e parë të mospranimit të mbikëqyrjes parlamentare nga ekzekutivi.