Aksidenti i Himarës
Thirrjes së vajzave të aksidentuara u janë bashkuar edhe qytetarë të Elbasanit
Vajzat pritet që protestën ta përshkallëzojnë drejt grevës, nëse nuk reagohet për dëmshpërblimin
Bardha Nergjoni
Studentet e mbijetuara nga aksidenti tragjik në Himarë më 21 maj të vitit 2012, kanë nisur protestën e tyre një ditë pasi kanë mësuar shumat qesharake të dëmshpërblimit nga kompania e sigurimit të automjetit të udhëtarëve. Duke i cilësuar tallëse vlerat e përcaktuara për dëmshpërblime ndaj tyre, ato kanë protestuar, bashkë me shumë qytetarë të Elbasanit dhe studentë të tjerë të universitetit të këtij qyteti, të cilët janë sensibilizuar me problemin e tyre dhe kanë kërkuar që të rishikohen dosjet. Madje, ato kërkuan ndërhyrjen e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për zgjidhjen e këtij ngërçi.
Protesta
Studentet janë shprehur se shumat e ofruara nga kompania janë qesharake dhe të papërfillshme. Ato kanë kërkuar që të rishikohen dosjet dhe shuma e kompensimit të përcaktohet në bazë të dëmtimeve që kanë pësuar në këtë aksident. Vajzat protestuese shprehen se dëmtimet që ato kanë pësuar kanë qenë të mëdha dhe një pjesë e madhe e tyre kërkojnë ndërhyrje të specializuara që kanë nevojë për shumë para. Ato thonë se në disa raste shumat janë aq të papërfillshme saqë është turp t’ia ofrosh dikujt që është përfshirë në aksident. Në rast se nuk do të ketë një reagim pozitiv nga ana e kompanisë për ndarjen në mënyrë të drejtë të parave, studentet kanë paralajmëruar se do të përshkallëzojnë protestën e tyre drejt një greve.
Vajzat
Antoneta Taçe tregon që ka ende shenjat e aksidentit në fytyrë, ndërkohë që shuma që i është ofruar nga kompania, sipas saj, është aq qesharake saqë nuk mund të thuhet. “Në këto kushte, na ka mbetur vetëm të protestojmë”, shprehet ajo, ndërkohë që mbështetet nga shoqja e saj, Alma Dedja, e cila ka vështirësi në të ecur dhe shëndetin e ka të brishtë. “Më thanë merri këto dhe mos bëj fjalë, ndryshe do të mbetesh pa gjë. Jam shumë e fyer dhe e zhgënjyer nga kjo. Unë kam pasur thyerje të vertebrës dhe kam qëndruar për një kohë të gjatë në spital e ato më ofrojnë një shumë, me të cilën nuk mund të bëj asgjë”, tregon Dedja. Ndërsa Ticiana Hysa dhe Adisa Çela thonë se ato kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve të tjera për të ndërmjetësuar me kompaninë, pasi të vetme, ato nuk mund të bëjnë gjë. Në këtë gjendje vajzat deklarojnë se do të vazhdojnë protestën, edhe me grevë urie, derisa të plotësohen kërkesat e tyre.
Solidarizimi
Mbështetës të protestës kanë qenë edhe strukturat përfaqësuese në Universitetin e Elbasanit. Julian Hoxhaj, përfaqësues i studentëve në Senatin Akademik, ka qenë ndër organizatorët e protestës së parë në mbështetje të studenteve të aksidentuara rreth një vit më parë. “Ne e kemi organizuar këtë protestë kundër kompanisë siguruese, pas tentativave të vazhdueshme të studenteve për të marrë paratë që u takojnë me ligj. Ne kërkojmë sensibilizim për të gjithë qytetarët. Kërkojmë që kjo kompani ta marrë seriozisht këtë çështje”, deklaron Hoxhaj. Këtë protestë e kanë mbështetur edhe pedagogët. Të hënën në Elbasan do të organizohet një takim në prani të përfaqësuesve të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe të Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit. Aksidenti i Himarës shkaktoi 13 viktima dhe 26 të plagosur. Të mbijetuarat kërkojnë dëmshpërblimin nga kompania e sigurimit, e cila ende nuk i ka shlyer, edhe pse kanë përfunduar dosjet muaj më parë.