Mësuesit 


Shpresa Mezini


mesuesMësuesit e punësuar së fundmi, duke nisur nga viti i ri kalendarik apo ccelja e vitit të ri shkollor janë bërë duke e mbyllur njërin sy. Shpesh kriteret e përfolura për punësimin e mësuesve, kualifikimet, licencat e profesionin, përvetësimi i gjuhës së huaj e gjithccka tjetër primare janë anashkaluar, si pjesë e procedurës së punësimit.


Vala e fundit e punësimeve para zgjedhjeve të qershorit, ka kaluar pa masa të rrepta kontrolli e pa zbatuar të gjitha ato kushte të përfolura e të kërkuara nga autoritetet.


Cilësia e mësimit që zhvillohet në shkollat parauniversitare shpesh diskutohet dhe vendoset në dyshim.


Diskutimet lidhen me një sërë faktesh, por së fundmi mbi profesionalizmin e arsimtarëve. Nuk bëhet fjalë për mësuesit “veteranë”, ata të cilët kanë përvojë disa ose shumëvjeçare në fushën e arsimit, por për të punësuarit e rinj, sidomos ata që vijnë si më të “freskët”.


Ky është mendimi i brezave të mësuesve të diplomuar deri në vitin 2002, të cilët vërejnë se arsimtarët e rinj kanë mangësi të thella njohurish, ndonëse japin mësim në të njëjtat institucione.


Mësuesit rrëfejnë për gazetën “Shqip”, se vitet kur kanë studiuar kanë qenë shumë më rigoroze krahasuar me këto të tanishmet, problematikë që konstatohet lehtësisht te mësuesit e rinj, të cilët hasin vështirësi për të mësuar nxënësit.


“Ndonëse energjikë, të rinj në moshë, me ide të reja, ata janë të papërgatitur si duhet të dhënë mësim në shkolla. Ky nuk është vetëm mendimi im, por i shumë kolegëve të tjerë, që përveç se duhet të zhvillojnë orët e tyre të mësimit, duhet të ndihmojnë edhe mësuesit e rinj, të cilët herë pas here nuk ia dalin dot të vetëm. Ministria e Arsimit, nëpërmjet një urdhri të lëshuar me firmën e ministrit, deklaroi se nuk do të lejohen punësime të reja nëse kandidati nuk ka zhvilluar provimin e shtetit apo mbrojtjen e testit ndërkombëtar të gjuhës angleze TOEFL, por kjo në realitet nuk ka ndodhur”, tha Valentina, mësuese në një prej shkollave 9-vjeçare të kryeqytetit.


Sipas saj, praktikë që po përdor MASH-i për punësimet e mësuesve të rinj është fyese për brezin e vjetër të arsimtarëve, të cilët kanë investuar vite të tëra në fushën e arsimit.


“Vërej që në shkollën ku unë jap mësim prej 27 vjetësh, mësuesit e rinj nuk e kanë përfituar ende as licencën e profesionit, as diplomën e gjuhës angleze. Ndërsa thuhet se rregullat për punësimet e reja janë ashpërsuar, shoh që jo vetëm nuk janë strikte, por janë kaq tolerante sa profesionin e mësuesit mund ta ushtrojë çdo i diplomuar në fushën e arsimit, çka është shumë problematike për formimin bazë të brezave të rinj”, theksoi mësuesja.


Disa kohë më parë specialistët e arsimit bënë me dije se kriteret për t’u punësuar në arsim do të jenë më të rrepta. Duke iu referuar udhëzimit të firmosur nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, parashikohet se për të qenë mësues në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare publike ose private, kandidatët duhet të kenë licencën e profesionit. Kështu, sipas tij, të gjithë mësuesit duhet të zhvillojnë provimin e shtetit, për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit. Kjo do të thotë që diploma që ka kurorëzuar studimet e tyre, nuk është njësoj e vlefshme nëse nuk shoqërohet edhe me notën e testit të shtetit, duke qenë se mësuesia është 1 prej 11 profesioneve të rregulluara me ligj.


Sipas specialistëve në MASH, udhëzimi i ri synon punësimin e mësuesve super të kualifikuar. Ata theksojnë se ky vendim vjen sidomos pas rezultateve të arritura në provimin e shtetit, nga mësuesit që ishin në nivel më pak se mesatar.


Mirëpo, edhe pse udhëzimi është i qartë, duke marrë parasysh rëndësinë e punësimit të mësuesve, profesion që konsiderohet si një nga tri shtyllat bazë të një shoqërie, praktikisht rezultati ka dështuar.